Ballina Aktualitet Shqipëria merr 500 mln euro borxh

Shqipëria merr 500 mln euro borxh

Shqipëria ju drejtua për herë të tretë tregjeve ndërkombëtare të kapitalit, duke lëshuar një Eurobond me afat maturimi 7 vjeçar përmes të cilit ajo siguroi një hua prej 500 milion eurosh, me një interes prej 3.55 përqind. I gjithë procesi u ndoq nga tre banka të huaja që luajtën rolit e ndërmjetësit, amerikania City Group, italiania Banca Imi, dhe francezja Société Générale, të cilat muajt e fundit kontaktuan me investitorë potencialë duke prezantuar karaketristikat e Eurobondit.

Hera e fundit që Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare ishte në 2015, ku mori një hua prej 450 milion eurosh me një interes prej 5.75 përqind, dhe afat maturimi 5 vjeçar. Përmes huasë së tanishme, qeveria synon të shlyejë 200 milion euro të mbetura nga huaja e parë, ndërsa pjesa tjetër prej 300 milionësh do të përdoret për të mbështetur financat e brendshme.

Përmes një statusi në Facebook kryeministri Edi Rama duke bërë krahasimin mes Eurobondit të 2015 dhe atij aktual, shkruan se “tregjet u përgjigjën qartë. Shqipëria nuk shihet më si risk, po si një investim i sigurtë e premtues”. Por deputetja demokrate Jorida Tabaku reagoi duke deklaruar se kryeministri Rama “merr borxh për të shlyer borxhet që mori katër vjecarin e parë, parà që i përdori për luks e udhëtime, pisha dhe palma! Në një kohë kur, në janar 2018 Maqedonia doli në treg me Eurobond me interes 2,75% dhe në prill 2018 Mali i Zi në Prill doli me një interes Eurobondi 3,375%! Shqipëria sot me 3,55%.”.