Ballina ED/OP Salafizmi – Pyetje dhe përgjigje për një fenomen

Salafizmi – Pyetje dhe përgjigje për një fenomen

Nga Nermin Ismail – D.W.

Salafistë, islamistë, xhihadistë – të gjithë janë një? Jo. Salafistët nuk janë një grupim homogjen. Por si duhen dalluar grupimet e ndryshme të tij?

Salafizmi ka disa aspekte dhe një histori të gjatë

Çfarë nënkuptohet me salafizëm?

“Salafizmi” është një nocion që mbledh shumë aspekte brenda për një fenomen modern, që praktikohet në mënyra të ndryshme. Në tërësi nën salafzmin kuptohet përkushtimi për ta kuptuar dhe jetuar islamin, ashtu si e kanë jetuar tre gjeneratat e para myslimane. Salafizmi e ka origjinën si fjalë nga arabishtja, “salaf” që lidhet me paraardhësit e një besimi të pastër. Por salafistët nga shumica e myslimanëve nuk i dallon vetëm kjo , sepse edhe myslimanët e tjerë i japin një rol të rëndësishëm gjeneratave të para.

Salafistët të quajtur puritanë përpiqen të orientohen nga profeti Mohamed dhe fjalët e tij, duke parë në fazën e hershme të islamit, “epokën e artë” për fenë e tyre. Që në shekullin e 19-të ka pasur lëvizje reformuese teologjike, që e refuzonin laicizimin e shoqërisë dhe iu referoheshin rikthimit të vlerave islamike.

Salafistët aktualë nuk bazohen vetëm tek mënyra e jetesës së profetit dhe kurani. Ata refuzojnë çdo lloj devijimi nga “besimi i vërtetë”, sipas tyre. Të drejtë ekzistence ka vetëm praktika e besimit nga historia më e hershme e islamit. Devjimet dhe ndryshimet nuk lejohen. Elementë sipërfaqësorë si mbajtja e një mjekre apo pantallonat e gjata deri në kyçet e këmbës janë esencialisht të rëndësishme për salafistët.

Si mund të dallohen rrymat e ndryshme?

Salafizmi në një ndarje të përgjithshme mund të kategorizohet në grupimin tradicionalist, aksionist dhe xhihadist. Tradicionalistët i referohen pastërtisë së besimit islam dhe përpiqen të përjashtojnë nga jeta e tyre çdo lloj influence jo-islamike nga jashtë. Ata përqëndrohen tek besimi dhe spiritualiteti.

Grupimi i dytë është salafizmi politik. Përkrahësit e tij duan që botëkuptimin e tyre për islamin t’ua injektojnë jo vetëm myslimanëve të tjerë, por të gjithë shoqërisë. Përkrahës të këtij grupimi salafist i refuzojnë proceset demokratike si zgjedhjet. Por edhe kjo nuk vlen për të gjithë. Në Egjipt për shembull në vitin 2011 ka pasur një parti politike salafiste.

Grupimi i tretë dhe më i rrezikshëm i salafistëve janë xhihadistët apo siç njihen terroristët salafistë. Ndryshe nga shumica e salafistëve ata nuk e refuzojnë përdorimin e dhunës, por e shohin atë si mjet legjitim, dhe duan që përhapjen e ideve të tyre fetare dhe politike ta bëjnë me mjete jo ligjore. Në botëkuptimin e tyre armik nuk është vetëm perëndimi, por edhe myslimanët që mbajnë një qëndrim tjetër. Refuzimi i plotë i qëndrimeve të tjera ndaj islamit dhe pretendimi se besimi prishet njihet si “takfir”. Me këtë ata legjitimojnë dhunën edhe kundër besimtarëve të besimit të vet.

Çfarë shifrash për salafizmin njihen në Gjermani?

Ekspertët e shohin skenën salafiste si një nga rrymat e grupimeve islamiste që po rritet me shpejtësinë më të madhe. Sipas Zyrës Federale të Mbrojtjes Kushtetuese (dhjetor 2017) në Gjermani ka rreth 10.800 salafistë. Shumica i përkasin salafizmit politik, që përqëndrohet tek misionarizmi. Për shembull “Shoqata Feja e Vërtetë”, që ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë e ndaloi dhe e shpërbëu para dy vjetësh. u bë e njohur përmes aksionit të shpërndarjes së kuranit “lexo” në të gjithë Gjermaninë.

Shumica e grupimeve salafiste nuk bëjnë thirrje hapur për dhunë, disa madje e refuzojnë atë. Zyra Federale e Kriminalistikës në Gjermani kategorizon vetëm 690 persona të gatshëm për dhunë, të ashtuquajtur rrezikues islamistë. Këta janë persona, ku autoritetet mendojnë, se ata janë të gatshëm, për akte dhune me motive politike. Në vitet e kaluara rreth 960 salafistë nga Gjermania shkuan të luftojnë në Siri dhe Irak. Një e pesta e tyre janë femra. Ndërkohë që një e treta e tyre është rikthyer në Gjermani./D.W./