Ballina Ravijëzime KRONIKË PLURALISTE

KRONIKË PLURALISTE

Nga Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh

Nën shkreptimat e dritës së vonuar
Nëpër qiej të sëmurë ikte
Fantazma që kish ndaluar Zotin mbi dhe

Shitoret e para që u hapën
Ishin ato ku shiteshin shenjtorët e ndaluar

Prej dheu të pjekur në furra të bukës së munguar,
Prej druri,prej qelqi,prej bronxi,prej brirësh dhie,kaprojsh,prej eshtra zogjsh,
Ishin portretet,statujat,medaljonet e shenjtëve

Shitej Jezusi fëmijë,Jezusi zbathur, Jezusi në kryq,
Maria e shenjtë në Betlehem,
Abrahami me qingjin e flijimit përdore,
Shën Pali, e gjithë shenjtët e tjerë,
Imam Aliu në Qerbela,
Dhe së fundi ,portretet e dervishëve të provincave të Ballkanit

Monedhat blerëse s’kishin rëndësi :
Lek shqiptarë,marka gjermane,dhrahmi,lireta, dollarë, e së fundi Euro …

Me muzikë pluraliste:muzikë kombëtare,globale,folk,tallava,
Vazhdon shitja e shenjtorëve,engjëjve,
Ndërsa fantazma e Judës që shiti Jezusin në darkën e të trembëdhjetëve
Shfaqet kudo dhe bën pyetjen e frikëshme:
“ Pse më akuzoni për ato 30 aspra”?