Ballina Kulturë Bashkudhëtarë në fushën e letrave

Bashkudhëtarë në fushën e letrave

Në foto autori Ibrahim Hajdarmataj

Nga Ibrahim Hajdarmataj, Kryetar i OJF   “Mësuesi”, Tropojë

Skicë kushtuar gazetarit të talentuar Fran Gjoka nga Lezha

…Në fillim të dhjetorit të vitit 1974, nga shefi i arsimit dhe i kulturës së rrethit të Tropojës na vjen një qarkore ku shkruhet: “Të punohet me të gjithë Këshillat Pedagogjike të shkollave, me mësues, nxënës e prindër artikulli i shkruar nga Fran Gjoka, botuar në gazetën “Mësuesi”, që bënë fjalë për aktivitetet e larmishme kulturore-patriotike të zhvilluara nga nxënësit në qytetin e  Lezhës. Aktivitetet e zhvilluara në Lezhë, të jenë shembull dhe nxitje edhe për gjallërimin e mëtejshëm të aktiviteteve në shkollat tona.” (Aso kohe gazeta “Mësuesi” dilte katër faqe me format të madh, çdo ditë të mërkurë).

Në atë kohë, Kabinetin pedagogjik e  drejtonte profesori i psikologjisë Kol Tahiri, i ardhur nga Universiteti i Tiranës, i cili ishte shumë i pasionuar për shtypin. Me ardhjen e tij në “Bajram Curi” u rrit numri i drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që abonoheshin në gazetën “Mësuesi” apo dhe në “Revistën Pedagogjike.…

Më 15 dhjetor, më erdhi një lajmërim nga Kryeredaktori i gazetës “Mësuesi”, i cili më shkruante: “Ibrahim! Më datën 20 dhjetor duhet të jesh në redaksinë e gazetës, pasi do të organizohet një takim me të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës. Ju do të vinin me Riza Çelën e Tropojës. Pjesëmarrës të atij takimi ishin dhe: një kolegë nga Kukësi, – Isa Halili; nga Mirdita, – Mark Lazri dhe Bardhok Sulejmani; nga Vlora-Pandeli Pano; nga Puka, – Sabah Sinani e Preng Ukaj; nga Shkodra, – Ramiz Likaj, Njazi Kazazi, Idriz Kali;  nga Lezha, – Fran Gjoka, Veli Brahimi; nga Peshkopia, – Mevlud Buci;  nga Durrësi, – Kadri Tarelli; nga Berati, – Sami Starova, Namik Selmani, Xhevahir Lleshi; nga Tirana- Dhimiter Xhoga, Fadil Kepi, Dr. Emil Cimbi, Ferhat Cakaj, Loni Prifti, Mesud Abule, Bashkim Saliasi, Ali Tuci-ATSH; nga Fieri-Mihal Krimce; nga Gjirokastra-Engjell Fino; nga Skrapari, – Enver Cakaj; nga Leskoviku-Maksim Rushi; nga Elbasani-Sami Domni; nga Burreli-Hamdi Hysuka; nga Përmeti Sejdo Harka (i cili pas shumë viteve u bë kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”)…

    Fran Gjoka

U gëzova shumë nga ky lajmërim. Atë kohë kisha përgatitur një letër, që ia drejtoja Fran Gjokës, të cilin e njihja vetëm nëpërmjet artikujve dhe veçanërisht atij artikulli për aktivitetet kulturore-patriotike, që citova më sipër. Midis të tjerash në atë letër drejtuar Franit, shkruaja:

Përshëndetje nga monopatet e Zogajve -Tropojë!

Duke ju uruar shëndet dhe suksese në detyrën tuaj si gazetar dhe redaktor i   “Mësuesit”, (të më falni për kohën që po ju marrë), artikulli juaj për aktivitetet kulturore dhe patriotike, jo vetëm që u punua në kolektivin tonë, por ai artikull do të jetë busull orientuese për aktivitetet tona edhe në atë ardhmen. Përfitoj nga rasti t`ju nis shkrimin për gazetën tonë të dashur ”Mësuesi” në lidhje me veprimtarinë e mësuesve vullnetarë të ardhur nga Tirana, Gjirokastra dhe Fieri në rrethin tonë, me shpresë se do ta botoni në numrin e  ardhshëm. Edhe një herë më falni për shqetësimin. Me konsideratë të lartë, bashkëpunëtori i gazetës “Mësuesi”, Ibrahim Hajdarmataj”.

Artikullin bashkë me këtë letër e kisha mbyllur në një zarf dhe  e kisha bërë gati ta nisja me postë. Ndërkaq, mbërriti  telefonata tjetër  e Kryeredaktorit, i cili pas përshëndetjes më pyeti:

-Mos e neglizhoni ardhjen në mbledhjen me bashkëpunëtorët e gazetës. Ata të seksionit të arsimit e kanë marrë udhëzimin për të mos ju penguar…

-Po,-i thashë,-ne po përgatitemi të vijmë, – dhe nisa t`i tregoj se i kisha shkruar një letër redaktorit të gazetës Fran Gjokës…

Ai kushedi pse qeshi dhe tha:

-Më vjen mirë që e ke këtë mendim për Franin, por ai nuk është redaktor i gazetës, por njëri nga bashkëpunëtorët siç je edhe ti Ibrahim. Dëshiroj të  them se, ne këtu, jemi krenar me Franin dhe se ai e bënë punën si të ishte një redaktor definitiv i gazetës…

Kryeredaktori fliste, kurse unë ndjeja një valë të brendshme respekti për kolegun tim Fran Gjoka, për punën e tij të madhe e të rrallë, edhe për nga sasia, por  edhe cilësia e shkrimeve. Edhe unë edhe kolegë të tjerë, të them të drejtën, çuditeshim me aftësitë dhe energjitë e tij, pasionin dhe përkushtimin e rrallë….

Ditën tjetër, me një “skodë” hipur prapa me Riza Çelën e  Tropojës, më 19 dhjetor morëm rrugën për në Tiranë. Rruga, jo vetëm ishte e paasfaltuar por edhe tërë gropa, me kthesa të mëdha të Gomsiqes. Pas 9 orëve udhëtim, arritëm në Tiranë, të lodhur  e të rraskapitur, zumë vend në hotel ”Tirana” (Tani Ministria e Drejtësisë) dhe, në mëngjes, shkuam në Ministrinë e Arsimit. Meqenëse shkuam më përpara, trokitëm te zyra e Kryeredaktorit të gazetës “Mësuesi”. Një zë  i panjohur na u përgjigj: ”Urdhëroni!” dhe ndërkaq u hap dera dhe u shfaq një burrë i ri, i gjatë dhe me fytyrë të qeshur. Nuk e njihja personin që na priti, kurse Kryeredaktorin dhe Sekretarin e Kolegjiumit (Bardhyl Xhama) dhe redaktorin (Murat Gecaj) i njihja mirë pasi ata kishin ardhur edhe në Tropojë, por edhe në Zogaj, madje i kisha pasur edhe miq një natë në shtëpinë time. Por ata nuk ndodheshin në zyrë.

-Më falni,-i thashë burrit të ri që na priti, -kemi ardhur që të takojmë Kryeredaktorin e  gazetës apo Sekretarin e Kolegjiumit. Vijmë nga Tropoja…

-Gëzohem shumë që po njihemi, – tha ai, – Kryeredaktori dhe Sekretari i Kolegjiumit nuk ndodhen për momentin, kurse unë jam si edhe ju, bashkëpunëtor i gazetës nga Lezha, Fran Gjoka më quajnë…

-Kurse unë jam Ibrahim, Ibrahim Hajdarmataj, nga Zogaj i Tropojë dhe shoku im është Riza Çela….

Dhe që nga ajo kohë e për dhjetëra vite me radhë, me Franin jemi jo vetëm kolegë, por edhe miq të mirë, që ndajmë shqetësime të përbashkëta, përfitojmë nga njëri-tjetri, këmbejmë përvoja të shkollave dhe të rrethit dhe u gëzohemi shkrimeve tona..Shpesh herë, vetëm ose me miq e shokë, por edhe kur bisedoj me Franin, kujtojmë kohën kur Fran Gjoka shkruante me ritmin e tij të pandërprerë ashtu si dhe sot, duke rrokur një tematikë mjaftë të gjerë, me thellësi problemesh dhe idesh, me mesazhe të qarta dhe mbresëlënëse. Pastaj, ato portrete mësuesish dhe drejtuesish, aq të realizuar, shkollat që përshkruheshin aq mirë dhe me të gjitha problematikat e tyre, pa fshehur asgjë, edhe duke vlerësuar, por edhe duke ballafaquar apo kritikuar mangësitë…Unë kisha të drejtë atëherë kur kisha menduar se ai ishte një redaktor i gazetës, madje, për të qenë i sinqertë duhej të pohojë se Frani shkruante dhe botonte edhe më shumë se një redaktor gazete, ndonëse punonte mësues, dhe dallohej ndër mësuesit më të mirë dhe më profesional të rrethit..Shkolla ishte zemra e tij, ashtu sikurse gazeta ishte shpirti  tij. Asnjëherë nuk e mendova Fran Gjokën të shkëputur prej këtij binomi të mrekullueshëm: Shkollë-Gazetë dhe anasjelltas….

Duke qenë bashkë shpesh herë në takime apo me shërbime në rrethe të ndryshme të vendit, kam njohur te Frani cilësi të rralla dhe tepër humane, ndërkohë që e vlerësoja ndër miqtë e çiltër e të sinqertë, që jepte pa kursim ndihmën dhe përvojën e tij. I kemi shkuar për vizita njëri-tjetrit, kemi ndenjur orë të tëra duke bashkëbiseduar për artikujt dhe teknikat e realizimit sa më mirë të tyre dhe, gjithnjë kam parë te Frani kolegun e përkushtuar dhe të palodhur, serioz, të aftë e plotë kulturë. Gjithnjë biseda jona ka qenë e lidhur ngushtë me gazetën “Mësuesi”, dhe gjithnjë Frani dallonte, madje na habiste me vrullin dhe ato energji ta jashtëzakonshme për të shkruar aq shumë dhe aq mirë, si një gazetar profesionist. Ai jo vetëm bënte po aq mirë edhe punën e  mësuesit dhe edukatorit, por, ndërkohë edhe  aktivizohej me shpërndarjen e gazetës së dashur në shkolla dhe zyra të arsimit apo individë të veçantë që ishin të abonuar te gazeta. Madje, zhvillonte edhe takime dhe biseda në shkolla ku tërhiqte mendime për përmirësimin e  nivelit të artikujve për gazetën dhe për rubrikat e saj,ndërkohë që aktivizonte edhe gazetarë të rinj…Mbaj mend dhembjen e  Franit kur u mbyll gazeta “Mësuesi”, artikujt e tij drejtuar institucionit të MASH, që gazeta të rihapej, sepse mësuesit e vendit e donin, u nevojitej shumë ajo gazetë. Ndonëse kërkesat e Franit dhe të shumë të tjerëve kanë rënë në veshtë shurdhër, ai nuk është tërhequr as atëherë dhe as tani që është në pension.

Artikujt e Fran Gjokës, që botohen në gazetat apo revistat e vendit apo dhe në mërgatë, asnjëherë nuk kanë reshtur, ata shprehin jetë, gjallëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për shkollën. Gjithkush mund t`i lexojë ata artikuj i ka lexuar apo dhe i lexon ata te “Koha Jonë”, “Republika”, “Tirana Observer”, “Nacional”, “Lisalba”, por edhe në dhjetëra portale, që botohen sot nëpër botë e ku emri i Fran Gjokës është kurdoherë i dukshëm, teksa artikujt e tij tërheqin vëmendjen dhe lexohen me interesim…

Nëpërmjet  artikujve të tij, unë, por besoj edhe shumë të tjerë, kanë njohur më mirë historinë dhe traditat e Lezhës, kanë njohur emrat  e mëdhenj të këtij qyteti që nga lashtësia e deri sot në kohët moderne, dimë shumë gjëra për Lezhën sepse na i ka rrëfyer Frani në artikujt e tij mbresëlënës, ndaj them me bindje se rrethi i Lezhës dhe sidomos shkollat e  tij, janë bërë shumë të njohura mes të tjerash, edhe nga puna e jashtëzakonshme shkrimore e mësuesit dhe gazetarit të talentuar Fran Gjoka…