Ballina Aktualitet Presidenti Thaçi dekoroi familjen Bush me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë

Presidenti Thaçi dekoroi familjen Bush me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në kuadër të takimeve të shumta në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, sot ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me ish-guvernatorin e Floridës, Jeb Bush.

Duke u mbështetur në kompetencat e tij kushtetuese dhe në emër të popullit të Kosovës, Presidenti i Kosovës i ka dorëzuar ish-guvernatorit Bush, Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, e cila i është dedikuar familjes Bush për kontributin e tyre përcaktues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kur babai juaj ka folur për të drejtat e popullit të Kosovës, të tjerët nuk kanë mundur ta gjejnë Kosovën as në hartë”, ka thënë presidenti Thaçi. Përveç presidentit Bush të vjetër, presidenti Thaçi ka kujtuar edhe kontributin e presidentit George W. Bush, në jetësimin e aspiratës për Kosovën e pavarur.

Presidenti Thaçi, po ashtu, e ka ftuar ish-guvernatorin e Floridës që ta vizitojë Kosovën. Nga ana tjetër, Jeb Bush, e ka falënderuar presidentin Thaçi për medaljen, duke e vlerësuar respektin që populli i Kosovës ka për familjen Bush.

“Për mua dhe familjen Bush ky është një nder, që na falë shumë emocione. U jemi mirënjohës juve personalisht dhe gjithë popullit të Kosovës”, ka thënë Jeb Bush. Në Nju Jork, presidenti Thaçi po i vazhdon takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës.​