Ballina Aktualitet Ndotja akustike mbi normën e BE; Tirana kryeson si qyteti më i...

Ndotja akustike mbi normën e BE; Tirana kryeson si qyteti më i zhurmshëm

Zhurmat, me dhe pa dëshirën tonë, janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Në të gjithë Shqipërinë niveli i zhurmave është jashtë normave të Bashkimit Europian, por Tirana kryeson si qyteti më i zhurmshëm, nga monitorimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku niveli i ndotjes akustike shkon deri në 80-90 decibel gjatë ditës dhe 60-70 gjatë natës; ndërkohë që normat e Bashkimit Evropian janë 55 decibel gjatë ditës dhe 45 decibel gjatë natës.

Sipas studimeve, zhurmat ndikojnë në sjelljen tonë. Por përtej shpërqendrimit që ndotja akustike shkakton gjatë orarit të punës, apo stresit të akumuluar nga burimet e zhurmave, si muzika e lartë, trafiku i rënduar, ndërtimet pa orar edhe gjatë natës, puna në mobileri, servise; psikologët tregojnë se efektet negative shfaqen edhe në shëndetin tonë.

“Kemi edhe disa ndikime që kanë të bëjnë me humbjen e ndjeshmërisë së dëgjimit, duke qenë se personat që vuajnë nga kjo gjë janë në kontakt të shpeshta me intensitete shumë të lartë të zhurmave, mund të pësojnë dhe humbje të dëgjimit. Por jo vetëm,kemi edhe një rritje të tensionit, hipertension si dhe çrregullime të gjumit gjatë natës”, shprehet Ariola Merepeza, psikologe.