Ballina Aktualitet Tregu i sigurimeve më i varfëri në Europë, ja si mund të...

Tregu i sigurimeve më i varfëri në Europë, ja si mund të nxitet

Flet Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA, z. Avni Ponari

Mungesa e legjislacionit, por edhe mentaliteti i vjetër i shqiptarëve, i trashëguar nga komunizmi, ku shteti duhej të kujdesej për këdo dhe për gjithçka, ka bërë që Shqipëria sot të ketë tregun më të ulët të sigurimeve për frymë.

Z. Avni Ponari, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA, shoqërisë më të madhe të sigurimeve në vend, pohon në një intervistë për “Monitor” se për të rritur tregun, duhet ta nisim me rregullimin e konceptit si fillim, duke transferuar përgjegjësitë nga shteti te qytetari dhe më pas, një nga një, edhe hapat e tjerë. I rëndësishëm është hartimi dhe zbatimi i ligjeve dhe rregullave nga të gjitha palët, në të kundërt, kur bëhet sikur hartohen ligje, kur bëhet sikur zbatohen ligjet dhe bëhet sikur punohet, do të mbetemi gjithmonë në fazën “sikur” dhe jo në fazën e zhvillimit të gjërave, pohon ai.

Si ka qenë ecuria e kompanisë për 2018 deri tani dhe pritshmëritë për 2019?

Shqipëria është vendi më i varfër sa u përket sigurimeve, me vetëm 30-35 euro për frymë, në një kohë kur vendet e tjera variojnë nga 100 euro për frymë e deri në 2200 euro në shtetet e Bashkimit Europian. Kjo situatë vjen si pasojë e një sërë faktorësh, ku më i rëndësishmi mbetet mungesa e legjislacionit, por edhe mentaliteti i vjetër i shqiptarëve, i trashëguar nga komunizmi, ku shteti duhej të kujdesej për këdo dhe për gjithçka.
Industria financiare jobankare në Shqipëri nuk është zhvilluar. Potencialet për këtë industri nuk janë zbuluar nga qeveritë, duke e nënvlerësuar dhe duke anashkaluar, ndoshta edhe për vetë faktin që vendi ynë ka shumë probleme, harrohet se kjo është një industri e rëndësishme dhe me shumë resurse.

Mungesa e kulturës së sigurimeve është njëra anë, por edhe mostransferimi i përgjegjësive nga administrata tek individët, duke premtuar shëndetësi falas, pensione që do të rriten, përmbytjet dhe tërmetet i paguan shteti, zjarret i shuan shteti, aksidentet i mbulon shteti, dëmet e biznesit i paguan shteti etj., po sigurimet çfarë do të bëjnë?

Duhet të heqim dorë nga mentaliteti që për çdo gjë duhet të përgjigjet shteti. Dihen resurset dhe buxhetet që ka shteti ynë dhe se sa mund të përballojë. Ndaj i duhet lënë secilit të bëjë detyrën e vet dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe aq sa mund të përballojë.
Kur ndodh një tërmet, përgjegjësia për rimëkëmbjen financiare i duhet lënë kompanive të sigurimit dhe jo shtetit. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe kur ndodhin përmbytje, edhe kur ka zjarre masive, edhe kur dëmtohen bizneset dhe çdo ngjarje tjetër.

Kompanitë shqiptare të sigurimeve i kanë kapitalet dhe aftësitë likuiduese për të gjitha llojet e ngjarjeve, pavarësisht sesa të mëdha mund të jenë ato, sepse janë të risiguruara te kompanitë më të mëdha në botë siç janë Lloyd’s, Munich Re, Allianz etj., të cilat kanë mbuluar ngjarje si ato të 11 shtatorit në SHBA, të uraganeve dhe tërmeteve më të mëdha në botë, ndaj për një vend me më pak se 3 milionë banorë, siç është vendi ynë, nuk ka asnjë sfidë për mbulimin e ngjarjeve të siguruara.

Pyetja që lind është: A mundet shteti ynë të përballojë një katastrofë natyrore me kosto qindra-milionë euro? Natyrisht që jo! Atëherë le t’ia kalojë përgjegjësinë atyre që mundet ta bëjnë këtë gjë, kompanive të sigurimit. Në fund të fundit, kjo është edhe arsyeja e ekzistencës së tyre: ripërtëritja financiare.

Cilat janë planet në drejtim të investimeve dhe zhvillimit të shërbimeve?

Si kompani austriake, ne sot u ofrojmë klientëve gjithçka ka tregu i sigurimeve europian, me të njëjtat standarde. Jemi e vetmja kompani që i ofrojmë të gjitha klasat e sigurimit, me një larmishmëri prej 42 produktesh në treg dhe me shërbime të shpejta dhe korrekte, tanimë edhe online.
Ne përpiqemi që të jemi korrektë me klientët tanë, t’u shërbejmë atyre dhe në thelb të përmbushim kontratat që kemi me ta, kontrata të cilat janë me të njëjtat standarde si në çdo shtet europian.

Fakti që kemi mbi 20 vjet në treg dhe zotërojmë mbi 30% të tregut tregon që ne jemi zgjedhja e parë e klientëve dhe ne jemi aty me ta, afër interesave të tyre dhe në përmbushje të qëllimeve dhe detyrimeve të përbashkëta.
Natyrisht, si pjesë e UNIQA-s, një prej kompanive më të mëdha në Europë, me asete dhe financa të jashtëzakonshme, jemi në kërkim të projekteve të rëndësishme strategjike për vendin për investime afatgjata.

Shqipëria ka tregun më të ulët të sigurimeve për frymë në rajon. Çfarë masash sugjeroni për të nxitur tregun?

Përvoja ime mbi 26-vjeçare në këtë treg më bën të kuptoj që ende nuk është zbuluar ky thesar i fshehur për qytetarët dhe shtetin. Industria e sigurimeve duhet të optimizohet sa më shpejt, sepse nuk është në interes të tregut, por të qytetarëve.
Në 20 vjet kemi paguar mbi 100 milionë euro dëme, pra kemi rigjeneruar një pjesë të familjeve dhe të ekonomisë shqiptare. Sikur kjo industri të zhvillohet jo për interes të tregut, por për interes të qytetarëve, do të kemi shumë përfitime dhe do të jenë qytetarët të parët ata që do të përfitojnë, pasi kjo industri, në fund të fundit, është kontribuuese e të gjithëve për atë që i është dëmtuar. Thënë ndryshe, kjo është një industri humane e rregulluar me ligj dhe e mbikëqyrur nga autoritetet.

Në fillim duhet një koncept i qartë për sigurimet, sepse bota e qytetëruar nuk mundet dot të mendojë një individ pa sigurimin e shëndetit, pa sigurimin e jetës, të shtëpisë apo biznesit. Industria e sigurimeve nuk mund të mendohet pa sigurimet e saj, sepse doktorët, dentistët, inxhinierët apo profesionistët e tjerë nuk mund të mendohen pa sigurimin e përgjegjësisë, restorantet-baret-hotelet nuk mund të mendohen pa sigurimin e përgjegjësisë ndaj klientit, biznesi nuk mund të mendohet pa sigurimin e ringritjes nëse i ndodh diçka e kështu me radhë për të gjitha fushat.

Pra, ajo që dua të them është se duhet ta nisim me rregullimin e konceptit si fillim, duke transferuar përgjegjësitë nga shteti te qytetari, dhe më pas një nga një edhe hapat e tjerë. I rendësishëm është hartimi dhe zbatimi i ligjeve dhe rregullave nga të gjitha palët, në të kundërt, kur bëhet sikur hartohen ligje, kur bëhet sikur zbatohen ligjet dhe bëhet sikur punohet, do të mbetemi gjithmonë në fazën “sikur” dhe jo në fazën e zhvillimit të gjërave.

Si e vlerësoni ligjin e ri të sigurimeve?

Nuk mund të ketë njerëz në botë që bëjnë aksidente dhe pas aksidentit kanë të njëjtin prim sigurimi, sikundër ndodh në Shqipëri. E pra, ka 20 vjet që flitet për ligjin për sigurimet e detyrueshme dhe për aplikimin ndër të tjera të sistemit bonus-malus dhe sot pas 20 vitesh, ne jemi ende në pikën fillestare, jemi pothuaj në fillimet e industrisë, ku ka plot të pasiguruar dhe të pandëshkuar.

Nga kjo mungesë legjislacioni, ose më saktë nga mungesa e zbatimit të legjislacionit, ka mungesë sigurimesh dhe ka shtim të numrit të aksidenteve, ku vetëm për vitin 2017 numërohen rreth 2 mijë aksidente, nga ku kanë humbur jetën 222 persona dhe janë plagosur rreth 2300 të tjerë. Por këto nuk janë thjesht shifra, sepse përveç fatalitetit që u ndodh individëve dhe familjeve nga pikëpamja humane, këto shifra përkthehen edhe në humbje financiare për të gjithë shoqërinë.

Në një raport të posaçëm të Bankës Botërore, thuhet se vendet që nuk investojnë sa duhet në këtë drejtim, mes tyre edhe Shqipëria, do të humbasin nga 7% deri në 22% Prodhim të Brendshëm Bruto potencial për një çerek shekulli. Një ulje me nivelin prej 10% të vdekjeve në rrugë përkthehet në një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, me të paktën 3.6%.

Nga ana tjetër, duket sikur industria e sigurimeve është kthyer në një industri të Fondit të Kompensimit, duke u shërbyer atyre që shkelin ligjin, duke paguar dëmet e tyre, sepse së bashku me avokatët kanë krijuar një frymë sikur gjithë sigurimet janë Fondi i Kompensimit.
Duhet forcuar ligji në funksion të mbrojtjes së qytetarit, në funksion të atij qytetari që është i rregullt, që sigurohet dhe që zbaton rregullat dhe ligjit. Pra duhen ndryshuar gjërat, duke kthyer çdo gjë aty ku duhet. Primarja që duhet të fillojë të zbatohet është që ai që bën dëm dhe është i pasiguruar të paguajë vlerën e dëmit dhe të marrë masa ndëshkuese si në të gjithë botën.

Forcim i ligjit

Duket sikur industria e sigurimeve është kthyer në një industri të Fondit të Kompensimit, duke u shërbyer atyre që shkelin ligjin, duke paguar dëmet e tyre, sepse së bashku me avokatët kanë krijuar një frymë sikur gjithë sigurimet janë Fondi i Kompensimit. Duhet forcuar ligji në funksion të mbrojtjes së qytetari, në funksion të atij qytetari që është i rregullt, që sigurohet dhe që zbaton rregullat dhe ligjit/ Monitor