(Shkrim me shkas)
(Në gazetën serbe “Vesti”, hollësisht është shkruar për veprimtarinë e oficerit të karrierës, Ismet Ibishi, bashkëpunëtorit të kolonel Ahmet Krasniqi dhe të kolonel Tahir Zemaj, duke thënë se ishte njëri ndër bartësit kryesor të organizimit të ish oficerëve ushtarak, nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, në krye të së cilës qëndronte ish Presidenti, Dr. Ibrahim Rugova)
Mr. Sc. Adem Lushaj – Deçan
Oficeri i karrierës, ushtaraku i parë që kishte dhënë betimin si pjesëtar i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (01/91), Ismet Ibishi, është vënë në shënjestër të mediave serbe, për veprimtarinë e tij profesionale e patriotike. Këtë shkrim të mediumit serb, po prezantojmë në kohën kur në Kosovë (në njëzetvjetorin e vrasjes), u sjellën eshtrat ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes në “Qeverinë Bukoshi”, Kolonelit Ahmet Krasniqi, e ku Ismet Ibishi ishte bashkëpunëtor i afërm i ministrit Krasniqi, sikurse që ishte i Kolonelit Tahir Zemaj, faktikisht ishte edhe zëvendës i tij, ku Kolonel Tahir Zemaj, ishte emëruar si Komandant i Forcave të Armatosura për Rrafshin e Dukagjinit. Kush më tepër do kishte dashtë të jetë pranë ministrit Krasniqi (më shumë se kolegu i tij Ismet Ibishi), por fati e deshi që mos ti qëndroj pranë, në ditën kur eshtrat i erdhën në shtetin e Kosovës. Fati bëri që ish zëvendës ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës (2010-2014), të mos jetë në Kosovë, ngase iu ka nënshtrua një operimi të syve në Frankfurt të Gjermanisë. Edhe pse larg nga vendi i rivarrosjes së ministrit të tij të mbrojtjes, Ismet Ibishi kishte mendjen dhe zemrën pranë eshtrave të Kolonel Krasniqit, krahas shumë bashkëluftëtarëve të tij.
Në vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqi, thuhet se ka dorë, edhe shteti serb, thënie që mediat e citojnë eprorin ushtarak të FARK-ut, Hisen Berisha. Ndërsa, në njërën nga mediat në Serbi, hollësisht është shkruar për veprimtarinë e bashkëpunëtorit të ministrit Ahmet Krasniqi, Ismet Ibishi, duke thënë se ishte njëri ndër bartësit kryesor të organizimit të ish oficerëve ushtarak, nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, në krye të së cilës qëndronte ish Presidenti, Dr. Ibrahim Rugova.
Në një shkrim të mediumit serb (Vesti) të datës 08 tetor 2012 me autor Daniel Mirkoviq, është përshkruar biografia e tërësishme e Ismet Ibishit, e që mund të jetë sinjalizim për drejtësinë e shtetit serb, që ta kenë në konsideratë “veprimtarinë e begatë armiqësorë” të këtij oficeri të dëshmuar. Ky medium serb, ka përshkruar edhe angazhimin e ish zëvendës ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, për blerje të dy helikopterëve dhe trajnimin e pilotëve në Turqi, sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, përkatësisht në pikën e kalimit kufitar në Jarinje dhe Bërnjak, pika këto që ishin marrë nën kontroll nga forcat speciale të Kosovës (ROSU).
Gjithnjë sipas këtij mediumi serb, angazhimi i Ismet Ibishit në projekt të Qeverisë së Kosovës, për blerje të helikopterëve dhe trajnim të stafit, nuk ishte i rastësishëm, ngase Ibishi ka përfunduar shkollimin ushtarak ajror në Rejllovc, ndërkohë ishte i angazhuar si oficer i APJ-së në Slloveni në mbrojtjen kundër ajrore (1978-1981). Po ashtu në këtë shkrim të “Vesti” të arkivuar nën emrin “Akter” thuhet se, “Ismet Ibishi ishte larguar nga APJ në vitin 1991, e që së bashku me seperatistat tjerë shqiptar, ishin bashkuar me forcat çlirimtare të Sllovenisë. Qysh në fillim të vitit 1991, Ibishi ishte aktivisht i kyçur në formimin e forcave të armatosura të ashtuquajtur Shteti i Pavarur i Republikës së Kosovës. Në gusht të vitit 1991, kishte punuar në hartimin e listës dhe bashkimin e gjithë oficerëve shqiptar që ishin në Slloveni, Kroaci, Austri, Gjermani dhe shtetet e tjera të Evropës”. Autori ka shkuar edhe më tej duke thënë se, në mars të vitit 1998, Ismet Ibishi ishte i angazhuar si zv. komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, që komandohej nga kolonel Tahir Zemaj, e që në prioritet kishte zbulimin dhe kundër zbulimin.
Pra, autori në fjalë Mirkoviç, duke prezantuar veprimtarin e begatë të kolonelit Ismet Ibishi, edhe pas përfundimit të luftës, na jep për të kuptuar se të gjithë luftëtarët e lirisë, janë të kërcënuar nga kërkesat e Serbisë për arrestim, kërkesa këto të bëra edhe përmes Interpolit.
Në fund! Luftëtarit të lirisë, eprorit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), mikut Ismet Ibishi, i dëshirojmë shërim dhe kthim të shpejtë në Kosovë, me bindje se në mundësinë e parë, do jetë pranë varrit të ministrit dhe bashkëpunëtorit të tij, Kolonelit Ahmet Krasniqi.