Ballina Ravijëzime Nëna ime Xhume

Nëna ime Xhume

Nga Rajmonda Maleçka, poete e publiciste, Tiranë

Ditët ikin njëra pas tjetrës dhe neve na duhet të mësohemi pa ty. Duhet të mësohemi pa kujdesin e nënës, pa sytë e butë të nënës, pa dorën e butë të nënës, pa mirmëngjeset e natën e mirë të nënës.
E vështirë, gati e pamundur të mungosh Ti në familjen tonë, në mëngjeset e freskëta të shtëpisë sonë, të kafesë ditës sonë, të mbrëmjes sonë, ku sa e sa herë na ke treguar gjëra të shenjta, histori të mençura jetësore, që i tregon vetëm nëna.
Shpeshherë ëndërroj si fëmijë i vogël. Se, Ti do të vish. Siç vijnë gjërat e bukura në ëndërrat e një fëmije, siç vije nga puna, siç vije nga tregu, siç vije bashkë me babain tonë nga rrugët e largëta të Dibrës e mbushur me mirësi. Vije e neve na dukej se na sillje gjithë botën brenda, na sillje vetëm mirësinë, dashurinë, harenë, ëndërrat, ndërsa brengën, mërzinë, lodhjen e gjërat e trishtueshme i mbaje brenda vetes apo i leje jashtë derës nëna ime. Kështu bën zakonisht një nënë e mirë për fëmijët e saj.
Nëna ime Xhume!-
Tashmë e kuptoj; si do të ëndërroj, unë tashmë e kuptoj, siç e kupton dhe vëllai im i mirë Nuri, siç e kupton babai im i mirë Bujar Maleçka, me të cilin nuk u ndatë dhe një natë apo ditë për 50 vite, pra, e kuptoj se ti i përket paqes së përjetshme. Mungesa jote e ka trishtuar çdo gjë doje ti e shtrenjta ime.
Ditët po ikin dhe ne duhet të mësohemi pa Ty. Tashmë na duhet të mësohemi të komunikojmë me ç’farë ti ke lënë mes nesh. Ke lënë kaq shumë gjëra, që zakonisht lënë njerëzit e mirë të kësaj bote. Ke lënë dashurinë njerëzore, ke lënë mirësinë e një nëne më të cilën na ke rritur ne fëmijët e tu, ke lënë urtësinë që çdo gjë e bën njerëzore, ke lënë qindra e qindra njerëz nga Tirana, Dibra, Kosova, Medvegja-Presheva-Bujanoci, shqiptarët e Maqedonisë, të cilët përveç dhimbjes për Ty, ruajnë kujtimet e një nëne të mrekullueshme shqiptare, e për gjitha këto ne na duhet të falenderojmë përjetë nëna ime e mirë.
Ti ke lënë kaq gjëra të shenjta e të shtrenjta në këtë botë aq san eve na duket se të kemi përherë mes nesh.
Nëna ime e shtrenjtë!-
I lehtë të qoftë dheu!- Qofsh përjetë në parajsë! Kurrë mos u harroftë mirësia, dashuria dhe shenjtëria si nënë, bujaria dhe buzëqeshja prej njeriu të mrekullueshëm!

Përjetë nëna ime do të mbes mes nesh!

Tiranë-23.09.2018