Ballina Bota Bashkimi Evropian shkon në Nju Jork në përkrahje të multilaterizmit

Bashkimi Evropian shkon në Nju Jork në përkrahje të multilaterizmit

Bashkimi Evropian merr pjesë me një delegacion të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB që fillon të hënën e ardhshme në Nju Jork. Në program edhe Ballkani Perëndimor.

Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork

Bashkimi Evropian merr pjesë me një delegacion të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, që fillon të hënën e ardhshme në Nju Jork. Pjesëmarrja shoqërohet nga ideja e forcimit të Kombeve të Bashkuara, rritjes së mbështetjes për multilaterizmin dhe vendosjes në botë të një rendi që drejtohet nga ligji.

Delegacioni drejtohet nga Presidenti Jean Claude Juncker, i cili pak ditë më parë theksoi rëndësinë e multilaterizmit me fjalinë lapidar: “Bota në të cilën ne jetojmë na përket ne të gjithëve dhe jo vetëm pak prej disave”. Juncker do të flasë për partneritet strategjik BE-OKB me sekretarin e përgjithshëm, António Guterres. Ai do të flasë në Samitin e Paqes, Nelson Mandela më datën 24. Në këtë samit do të flasë edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta.

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit perëndimor, mes tyre ai shqiptar Ditmir Bushati dhe ai i Kosovës, Behgjet Pacolli, do të kenë një mëngjes pune me Komisionerin Johannes Hahn, ditën e martë. Kommisioneri Hahn dhe përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Federica Mogherini, do të takohen një ditë më pas me të gjithë kryetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune.