Udhëheqësit e Bashkimit Evropian e gjejnë veten në një udhëkryq ndërsa mundohen të arrijnë marrëveshjen mbi çështjet e mëdha të unionit. Kjo u dëshmua gjatë samitit të kësaj jave në qytetin austriak Salzburg, ku gjatë një darke katër orëshe ata shpalosën ndasitë e tyre për çështjen e emigracionit.
Analistët dhe zyrtarët e BE-së thonë se përçarja ekziston jo vetëm për çështjet e mëdha të emigracionit, largimin e Britanisë nga BE-ja dhe për qeverisjen ekonomike.
Të ndryshme janë edhe pritshmëritë për mënyrën se si qeveritë e vendeve anëtare ushtrojnë pushtetin e tyre dhe si zbatojnë rregullat e BE-së. Disa udhëheqës të vendeve anëtare shqetësohen se vlerat liberale mbi të cilat u themelua unioni po dëmtohen tashmë nga disa prej udhëheqësve të tjerë.
“Nuk është e qartë nëse kemi pritshmëri të njëjta”, thotë një zyrtar i lartë i BE-së, i cili shikon krisjen kryesore mes vendeve më tradicionale të Evropës Perëndimore nga njëra anë dhe qeverive populiste të Evropës qendrore dhe jugore në anën tjetër.
Përplasjet po shfaqen me shpejtësi dhe forcë, në veçanti për çështje të shtetit ligjor dhe debatet për kontrollin dhe balancat demokratike. Një nga pikat më të fundit është çështja e sistemit të udhëtimit të lirë të zonës Shengen.
Kjo zonë, anëtare të së cilës janë 26 vende, është vendosur nën presion prej krizës së emigracionit që ka përfshirë kontinentin. Austria, Danimarka, Gjermania, Norvegjia dhe Suedia kanë rikthyer përkohësisht kontrollin në kufi në pjesën më të madhe të pikave të tyre kufitare, duke përmendur si arsye kërcënimet ndaj sigurisë. Por, këto vende vazhdojnë të jenë brenda Shengenit dhe duhet të tregojnë kujdesin që të zbatojnë rregullat e kësaj zone.
Megjithatë, Polonia është akuzuar për abuzim flagrant me sistemin, duke futur në listat e zeza një aktiviste të të drejtave të njeriut, për t’i kufizuar asaj lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Muajin e kaluar, qeveria polake e Partisë populiste Ligj dhe Drejtësi (PiS) deportoi aktivisten e të drejtave të njeriut, Lyudmyla Kozlovska, e lindur në Krime. E martuar me një shtetas polak, 33-vjeçarja jetonte në Varshavë prej shumë vitesh dhe pasi kishte aplikuar për leje qëndrimi, u dëbua nga vendi. Zonja Kozlovska drejton një fondacion për të drejtat e njeriut, të përqëndruar tek problematika e demokracisë në vendet ish-komuniste. Ajo luajti një rol aktiv në protestat e Majdanit që çuan në largimin e Presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych.
Pasi e deportuan zonjën Kozlovska, autoritetet polake shtuan emrin e saj në një listë të zezë të zonës Shengen, duke i ndaluar kështu edhe udhëtimin në 26-të vende anëtare. Zyrtarët polakë prentendojnë se organizata joqeveritare që ajo drejton, “Fondacioni për Dialogun e Hapur”, ka parregullsi në mënyrën se si u krijua dhe se është përfshirë në “aktivitete armiqësore”.
Zonja Kozlovska i tha Zërit të Amerikës se ajo beson se është bërë objekt sulmi pasi “PiS-ja i frikësohet krijimit të lëvizjeve popullore, si lëvizja Majdan”, dhe se i frikësohet kontakte të OJQ-së së saj me politikanët evropianë në Bruksel.
Futja e emrit të saj në listën e zezë shkaktoi zemërimin e ligjvënësve gjermanë, duke përkeqësuar edhe më tej marrëdhënien e rënduar mes Berlinit dhe Varshavës. Parlamentarët gjermanë thonë se lista e zezë e Shengenit është krijuar për terroristë të dënuar apo të dyshuar, si dhe për kriminelë, dhe se në këtë listë nuk duhet të futen kritikët apo disidentët.
Zonja Kozlovska, një kritike e PiS-së, foli këtë javë në një aktivitet në parlamentin gjerman pasi ambasada gjermane në Kiev i dha një leje hyrjeje të përkohshme, megjithë ndalimin për të në zonën Shengen. Një ndër ligjvënësit që i bëri ftesën, Frank Schwabe, i Partisë Social Demokrate (SPD), thotë se “qeveria polake ka një problem me pranimin e kritikave” dhe e konsideron skandaloz futjen e saj në listën e zezë.
Rasti i zonjës Kozlovska është vetëm një nga rastet e shumta të mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare për çështjet e shtetit ligjor dhe interpretimin e rregullave të BE-së , duke treguar kështu se sa të ndryshme janë pritshmëritë e vendeve të Evropës perëndimore, krahasuar me ato të Evropës qendrore dhe jugore, të qeverisura tashmë nga qeveri nacionaliste.
Zyrtarët e BE-së thonë se vendet perëndimore janë më të përpikta në zbatimin e rregullave dhe ligjeve të BE-së. Ndërkohë, udhëheqësit e vendeve të lindjes dhe jugut janë më pak legalistë dhe më tepër pragmatikë në zbatimin e këtyre rregullave kur përmbushin objektivat e tyre në politikën e brendshme, duke thyer kështu rregullat fiskale, transparencën bankare dhe rregullat kundër pastrimit të parave, si dhe duke shpërfillur mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që nga e drejta e shprehjes dhe deri tek të drejtat e shoqërisë civile.
“Rasti Kozlovska është vetëm një shembull i krisjes së madhe mes vendeve anëtare që janë të lidhura me idealet klasike libeale dhe atyre që nuk janë”, thotë një politikëbërës i lartë i BE-së. “Po sfidohen liria e shtypit, pavarësia e gjyqësorit, siguria ligjore dhe arritjet e tjera demokratike që na bashkojnë në një komunitet, ose që na bashkonin deri më tani”.
Si Polonia, ashtu edhe Hungaria, janë përplasur me Brukselin dhe vendet e tjera perëndimore për shkak të përpjekjeve të tyre për të ndryshuar shoqërinë civile dhe për të ulur aktivitetin e OJQ-ve.
Këtë javë, zytarët hungarezë thanë se nuk do ta tërheqin një paketë ligjore të miratuar këtë vit që penalizon çdo individ apo grup që ofron të ndihmojë emigrantët e paligjshëm të aplikojnë për azil. Ky legjislacion i miratuar në shpërfillje të BE-së, kufizon hapësirat e OJQ-ve për të marrë pjesë në procesin e azilit. Sipas këtij ligji, individët dhe grupet që ndihmojnë emigrantët e paligjshëm të fitojnë status qëndrimi në Hungari, do të dënohen me burgim.
Kjo paketë ligjore emërtohet zyrtarisht si paketa “Stop Sorosin”, sipas emrit të miliarderit të njohur hungarezo-amerikan dhe filantropit të shoqërisë civile, George Soros. Dy nga organizmat kryesore evropiane, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja, i kanë kritikuar këto masa si “arbitrare” dhe të vakëta, si dhe në kundërshtim me ligjet e BE-së.
Sekretari hungarez i shtetit, Pal Volner, tha këtë javë gjatë një konference se Budapesti nuk pranon që Komisioni Evropian, i cili ka filluar procedura për ndëshkimin e shkeljeve të Hungarisë, të përfshihet në aktivitetet politike vendase.
Të njëjtin pozicion mban edhe Polonia, kur bëhet fjalë për çështje të shtetit ligjor.
Të hënën, Polonia u përjashtua nga pjesëmarrja në një entitet të BE-së, ku përfaqësohen institucionet gjyqësore të vendeve anëtare, për shkak të dëmtimit të pavarësisë së gjyqësorit polak sipas propozimeve të paraqitura nga qeveria e partisë PiS. Ministrat polakë thonë se reformat e tyre gëzojnë popullaritet dhe në përputhje me mandatin e tyre elektoral. Presidenti polak Andrzej Duda i ka refuzuar paralajmërimet e BE-së, duke u thënë mbështetësve të mbledhur këtë javë në një tubim në jug të vendit, se “duhen të na lënë rehat, që ta rregullojmë Poloninë”