Kryeministrja britanike Theresa May u kërkoi udhëheqësve të Bashkimit Evropian të tregojnë respekt ndaj Londrës, duke e cilësuar kundërshtimit publik të propozimeve të saj për Brex-itin si “të papranueshëm”.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian diskutuan këtë javë në Salzburg të Austrisë për kushtet e tërheqjes së Britanisë nga blloku. Qeveria konservatore e Britanisë ka humbur shumicën dhe bashkë me të mandatin për një të ashtuquajturin “Brexit të vështirë”, në të cilën Britania do të largohet nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor i BE-së. Britania po kërkon tani një kompromis.
Portugalia veriore është e njohur për vreshtat me rrush të zi që përdoren në prodhimin e verës së ëmbël “port”, të njohur botërisht. Toka e thatë dhe lartësia e madhe prodhon më pak, por rrushi, i rritur në shpatet e pjerrëta dhe i rrahur vazhdimisht nga dielli, ka një përqëndrim të lartë sheqeri.
“Vera port është e mirë dhe vjen nga ky rajon. Ne jemi në male, kështu që ajo që prodhojmë është gjithmonë në sasi të vogël, por me cilësi të jashtëzakonshme”, thotë Luciano Madureira, prodhues i verës port.
Britania është tregu i dytë më i madh ku eksportohet porti i Portugalisë dhe dalja e saj e afërt nga Bashkimi Europian mund të ndikojë në biznesin vjetor prej 58 milionë dollarësh të portit.
Ligjet e BE-së mbrojnë emrat gjeografikë të produkteve të tilla si vera-port, shampanja, djathi parmixhano, e djathi bardhë, dhe çmimet e tyre janë më të larta jashtë tregut të përbashkët. Kjo është një nga çështjet që mban të bllokuar arritjen e një marrëveshjeje me Britaninë.
“Nuk mendoj se evropianët, BE-ja do të pranojë një marrëveshje e cila nuk mbron djathin e bardhë, parmixhanin apo shampanjën. Gjithashtu, marrëveshja përfundimtare duhet të ratifikohet nga parlamentet e të 27 vendeve anëtare. Nuk mund të imagjinohet sesi parlamenti grek, apo parlamenti Italian, a francez do të ratifikonte një marrëveshje përfundimtare që nuk mbron fuqimisht djathin e bardhë, parmixhanin apo shampanjën. Kjo do të ishte e vështirë, prandaj një bllokim për këtë çështje mund të rrezikojë të gjithë marrëveshjen Brexit”, thotë Erico Bonadio me universitetin e Londrës.
Britania mund të importojë në vend të portit, verë më të lirë të ëmbël nga Australia dhe Afrika e Jugut, ndërsa kërkon marrëveshje të tjera tregëtare pas daljes nga BE-ja.
Të dyja palët do të duhet të bëjnë modifikime pas Brex-it. Gjigandi i supermarketeve britanike Tesco po hap dyqane të shitjes me pakicë për të konkurruar me firmat gjermane Aldi dhe Lidl. Tesco e vë theksin tek ushqimet lokale dhe emri “Jack’s” i dyqaneve të saj është i lidhur me emrin e flamurit kombëtar britanik.
Kryeministrja britanike Theresa Maj po përpiqet të gjejë mbështetje për propozimin e saj të fundit për një marrëveshje me BE-në, e cila parashikon që Britania të mbetet në tregun e përbashkët evropian vetëm për mallrat.
“Është plani i vetëm i besueshëm dhe i negociueshëm në tryezë që zgjidh problemin e kufirit të vështirë në Irlandën e Veriut, dhe gjithashtu respekton votën e popullit britanik”.
Por plani i zonjës May është kritikuar nga të dyja anët e debatit të Brex-it, si ata që janë për të mos shkëputur shumë lidhje me BE-në, edhe ata që kërkojnë një shkëputje të pastër nga blloku. Evropianët e kritikojnë planin duke thënë se Britania kërkon të mbajë përfitimet e anëtarësimit në BE, pa marrë përgjegjësitë që vijnë me të.