Edhe pse pritshmëritë ishin që në sezonin veror, çmimet e produkteve bujqësore të binin në minimum këtë vit, një pjesë e mirë e tyre kanë qëndruar në vlera të larta.
Këtë fakt e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare të institucioneve kompetente, por edhe një vëzhgim në dyqanet e lagjeve, atje ku blen edhe konsumatori fundor. Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave lidhur me inflacionin, vihet re se çmimet e zarzavateve përfshirë patatet për muajin korrik 2018 krahasuar me muajin korrik 2017 janë rritur me 18.3%. Ajo që vihet re është se rritja e lartë vjetore çmimeve të këtij grupi produktesh ka filluar që në muajin prill, ndërsa muaji qershor ka shënuar vlerën më të madhe me 22.6% rritje. Ndërsa sa i përket grupit “fruta” rritja ka qenë minimaliste krahasuar me një vit më parë, me rreth 2.7% gjatë muajit korrik.
Çfarë blen konsumatori final?
Një qytetar që bën blerjet e përditshme në dyqanet e lagjeve apo tregjet me pakicë të fruta-perimeve, e vë re fare lehtë ndryshimin që kanë pësuar çmimet e këtyre produkteve gjatë muajve korrik dhe gusht. Dhe në këtë rast, krahasimi nuk bëhet me muajt e mëpërparshëm si maj apo qershor, pasi si gjithnjë në këto periudha çmimet janë të larta dhe bien gradualisht në kulmin e sezonit veror, kur edhe prodhimi i fermerëve është i mjaftueshëm, po ashtu edhe furnizimi në tregje. Megjithatë këtë vit, duket se rënia nga muaji në muaj nuk ka qenë normale dhe një sërë produktesh, kryesisht të grupit të perimeve dhe frutave janë tregtuar me çmime të “kripura”.
Nga një vëzhgim nëpër dyqanet e tregtimit të këtyre produkteve, vihet re se çmimet e domateve variojnë nga 160-180 lekë/kg; bamjet 80-100 lekë/kg; patatet 50-60 lekë kg; pjeprat 110- 120 lekë/kg, shalqinj 30-35 lekë/kg; patëllxhanë 70-80 lekë/kg; kungulleshka 60-70 lekë/kg; speca 70-80 lekë/kg. Sa i përket edhe frutave, duket se edhe pse janë sezonale, çmimet kanë qëndruar relativisht të larta. Të tilla si nektarina me 130-140 lekë/kg, rrushi 140-150 lekë/kg; dardha 150-160 0 lekë/kg, molla 120-130 lekë kg; kumbulla e zezë 70-80 lekë/kg. Shitësit e dyqaneve e argumentojnë nivelin e lartë të çmimeve, kryesisht të zarzavateve me mungesë të prodhimit cilësor. “Prodhimi që vjen nga Myzeqeja, i domates, meqë po këmbëngul më së shumti tek ky produkt, është jocilësor. Klientët tanë nuk e preferojnë. Kjo është dora e dytë. Dhe ne detyrohemi t’i blejmë disa produkte nga fshatarët në periferi të Tiranës, me cilësi më të mirë dhe çmim më të lartë. Fitimi ynë është shumë i ulët”, shprehet shitësi i një dyqani fruta-perimesh.
Zgjedhjet alternative
Çmimet e larta të perimeve dhe frutave në dyqanet e licencuara apo në tregje, i kanë detyruar qytetarët të bëjnë një zgjedhje alternative, në mënyrë që të kursejnë sadopak. Shitësit ambulantë janë zgjidhja “ideale” në këtë rast. Duke qenë se qëllimi tyre nuk është i mirëfilltë tregtie, por shesin ato prodhime që kanë, për të siguruar të ardhura ditore, çmimet që ofrojnë ambulantët janë shumë më të leverdishme se ato që gjenden në treg, për shkak se nuk kanë edhe kosto qiraje. Nga një vëzhgim i bërë në disa zona, duket se ambulantët, të ardhur kryesisht nga periferia e kryeqytetit, ofrojnë fruta dhe perime të sezonit, të paktën me 20-30 lekë më pak. Edhe nga pikëpamja e cilësisë, shumë nga qytetarët preferojnë produktet e fshatit dhe klientela e tyre ka ardhur në rritje.
Tkurret eksporti i fruta-perimeve
Në gjysmën e parë të vitit, nga e gjithë harta e produkteve bujqësore që eksportohen jashtë vendit, zëri i bujqësisë ka shënuar rënie, ndërsa blegtoria, agroindustria dhe peshkimi kanë pasur ecuri pozitive. Megjithëse rënia duket se është e lehtë me vetëm 1.9 për qind, konkretisht në vlerë monetare nga 6,5 miliardë lekë eksporte në 6.4 miliardë, janë disa produkte që kanë pësuar tkurrje në eksport, si pasojë ndoshta e kërkesës në rënie apo prodhimit më të ulët. Duket se një sërë produktesh për të cilat vitet e fundit kërkesa ka qenë në rritje, këtë vit ka pasur reduktim të eksporteve. Në sasi, për periudhën janar-qershor 2018 janë eksportuar 93.3 mijë tonë produkte bujqësore nga 105 mijë tonë të eksportuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht rënie kanë pasur produkte të ndryshme si domate, qepë, hudhra, lakër, lulelakër, karrota, rrepa, panxhar, perime leguminoze, zarzavate të tjera, agrumet, pjepra, shalqinj, papaja, si dhe një pjesë e konsiderueshme e frutave, si kajsitë, qershitë, pjeshkët. Por duket se tkurrja më e madhe e eksporteve është vënë re tek perimet e ngrira me -86.4%, agrumet -66.7%, njëkohësisht rënie të lartë kanë edhe frutat e thata si dhe bimët si xhenxhefil, trumzë apo shafran./Scan