Ballina Aktualitet TAHIR SALI BAJRAKTARI I SHIPSHANIT TË MALËSISË SË GJAKOVËS

TAHIR SALI BAJRAKTARI I SHIPSHANIT TË MALËSISË SË GJAKOVËS

Të nderuar familjarë e farefisni, miq e dashamirë të Tahir Sali Bajraktarit të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës!

Sot Tahir Sali Bajraktari po vjen në Kasaj, në “shtëpinë e tij të përjetshme”, në troje të vendlindjes së tij, te bajraku e fisi i tij, te fëmijëria, rinia e pleqëria e vet, te vllaznit e motrat e veta të gjakut, pragut e bajrakut, sepse Tahiri kudo shkoi i mori me vehte në zemren, mendjen e shpirtin e tij Kasaj e Shipshan, si ma të madhen peshë krenarie e përgjegjësie morale e historike, sepse ishte e mbetet një nga djemtë e burrat ma të mirë të tyre.

Jeta 69 vjeçare e Tahir Sali Bajraktarit është e baraz ndame në dy kohë të ndryshme, në dy sisteme të djehit e sodit, po zemra, shpirti, fytyra, e qeshura, e ecura e tij mbetën të pandryshueshme, përgjithmonë të pastra. Ashtu sikurse e ka emnin e tij, se vet emni Tahir domethanë “i pastër”. Ashtu siç e ka të qeshuren e tij, se vet e qeshura e tij e ka emrin Tahir, përndryshe: “e pastër”.

Tahir Sali Bajraktari i përket një peme genetike familjare të madhe dinastore të bajraktarëve të Shipshanit, ku rranjët e tyre gjithnji çelën degë të reja lisnore për kohërat, po edhe pipat e degëve rritën fuqishëm e lartësisht lisa e lisnaja me nipër e mbesa me emra të mirë ndër kohëra.

Tahir Sali Bajraktari i përket genetikisht e denjësisht Derës së Madhe të Bajrakut të krahinës së Shipshanit, të fisit të Shipshanit. I pari bajraktar i saj, prej në shek. XIX, Din Bajram Bajraktari dhe djali i tij, pasardhësi i bajrakut, Bek Din Bajraktari, janë dy figura të rëndësishme të historisë sonë kombëtare shqiptare, për të cilët ka me shkrue me dritërime historia dhe kanë me mbrri në vendin e merituar, në piedestal të kohënave, si figura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Këta të dy, në periudhat e veta historike, ishin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, etj., të cilët i prinë bajrakut e fisit të Shipshanit në luftërat kundër otomanëve-turqë, malazezëve e serbëve, nga Moraça në Plavë-Guci (në vitete 1852-‘54, 1867 e 1872-’75, 1879-’80), kundër otomanëve në Malësi të Gjakovës e Kosovë (1845, 1862, 1867-’70, 1878, 1881, etj.); kishin lidhje të mira me Vezirin e Shkodrës, Mustafa Pashë Bushatlliun e me dyert e mëdha të Kryezinjëve në Gjakovë e të Begollëve në Pejë, etj.; me bajrakët e tjerë në Malësi të Gjakovës, Kosovë, Plavë-Guci, etj.

Tahir Sali Bajraktari në rrugëtimin e tij vetjak e familjar pati sakrifica e sfida. Ma shumë jetë se në vendlindjen e tij, në Kasaj, i bani nëpër internime (Lushnje-Tepelenë-Lushnje (1953-’55), Fier (1959-’70), në Brisën e largët në Nikaj-Mërtur (1976-’80). Përndryshe, me shifra: nja 14 vjet në vendlindje dhe mbi 17 vjet në internime! Pra, iku i ri dhe u kthye burrë në vendlindjen e tij, në Kasaj!

Një dëshmi e mirë e faktit, e realitetit, se sa shumë i deshti Tahir Sali Bajraktari vendlindjen e tij, Kasajt, e shprehë dhe ardhja e prehja e tij e sotme dhe e përjetshme në afri trualli me varret e babës së tij, Sali Tahir Bajraktari (i shkollës së Fulcit në Tiranë, drejtues komune në Kosovë, luftëtar në Plavë-Guci, një nga kuadrot e parë në Tropojën e pasçlirimit); të mixhës së tij Rrustem Tahir Bajraktari (martir i Luftës së 1943-shit kundër çetnikëve serbo-malazezë në Plavë-Guci); të gjyshit të tij, Tahir Bek Bajraktari i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorën e 1912-tës.

Tahir Sali Bajraktari ishte njeri i paqes, i mirësisë. Vizionar në biznes, bashkë me djemtë e tij, me investime në energjetikë, turizëm, etj. si në Tiranë, në vendlindjen e tij – Kasaj, në bjeshkën alpine të Doberdolit të Tropojës, etj. Ishte i dhanun pas sportit të shahut, këtij sporti të mendjes, ishte pjesmarrës dhe në disa veprimtari shahistike kombëtare e ndërkombëtare.

Tahir Sali Bajraktari ishte njeri i punës. Mjeshtër në profesionin e tij. “Duar artë”, e quanin. I këndonte e jehonte puna. I papërtueshëm e i sakrifikueshëm kudo, kurdoherë, për të gjithë. Shoqëror. Rrinte në punën e tij, merrej me punët e tij.

Tahir Sali Bajraktari i Malësisë së Gjakovës, me truall afër Qafës historike e kufitare të Morinës, e donte shumë Kosovën dardane, si të parët e tij, ndaj dhe i kontribuoi me shumçka e gjithsa mundi edhe Luftës së fundit të Kosovës, për Lirinë e Pavarësinë e saj të sotme.

Tahir Sali Bajraktari ishte i ndershëm se në genet, rrugëtimet e veprimtaritë e tij i kishte palcnore e ashtnore traditat, virtytet e vetitë ma të mira të trollit e njerëzve të Kasajve, dhe të Shipshanit, dhe të Malësisë së Gjakovës!

Tahir Sali Bajraktari ishte njeri fisnik, jo vetëm se ishte Derë e Bajrakut të Shipshanit, po edhe për faktin se kishte një shpirt fisnik, një shpirt të lirë.

Tahir Sali Bajraktari ishte njeri bujar, ecte me bujarinë e familjes së tij në brezni, jo se ishte aq shumë i pasur, po ngaqë e kishte të pasur dhe zemrën e tij.

Tahir Sali Bajraktari vinte nga një familje dinastore e dëgjuar bajraktarësh të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës, po gjatë gjithë jetës e veprimtarisë së tij ishte një “Princ i djersës së vet”.

Tahir Sali Bajraktari është vllai i dy vllaznëve: i Mustaf Sali Bajraktarit (i dënuar nga diktatura komuniste, i vrarë në Burgun e Spaçit në moshë 29-vjeçare, i dekoruar “Martir i Demokracisë” (1994) e “Qytetar Nderi” i komunës Tropojë (2008) si dhe i Besnik Bajraktarit, jurist kariere në struktura vartëse të Ministrisë së Drejtësisë. Tahir Sali Bajraktari është dhe vllau i 9 motrave: i Dritës, i Bedries, i Nexhmijes, i Makbules, i Bahries, i Zarifes; i Vojsavës; i Fiqiretes, i Afërditës. Ai është dhe bashkëshorti i mirë, i Sabrie Bajraktarit – një grua e nanë dinjitare nga Puka. Ai është dhe baba i mirë i katër djemëve të tij të mirë: Fatmirit, Mersinit, Eltonit e Ervinit. E, të gjithë këtyne, iu shprehim ngushëllime për këtë humbje të madhe, dhimbje të thellë!

Ne mund t’i themi qindra fjalë të mira për Tahir Sali Bajraktarin në ditën e sotme të përcjelljes së tij, po besoj se i kemi thanë të gjitha sapo t’ia përmendim emrin e tij të përveçëm e të nderuem: Tahir Sali Bajraktari i Shipshanit!

Dhe tani, në shenjë nderimi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për njeriun e lartë, të çmuar, të mirë, Tahir Sali Bajraktari i Shipshanit ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje:

Koftë i paharruem emri e veprat, kontributet e kujtimi i tij në breza!

Ramiz LUSHAJ

__________________

Fjalë Lamtumir Përcjellje lexue prej meje në  varrimin e Tahir Sali Bajraktarit, në  Kasaj të Malësisë së Gjakovës -Tropojë, më 20 shtator 2018