Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta i dorëzoi sot gjatë një ceremonie solemne, Flamurin Kombëtar ekipit dhe delegacionit zyrtar, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e tretë të Lojërave Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018”, që do të zhvillohen në Argjentinë nga data 6 deri më 18 tetor 2018.
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, Presidenti Meta duke iu drejtuar sportistëve, të cilët do të garojnë në disiplina të ndryshme si boks, peshëngritje, atletikë dhe not, vuri në dukje se në këto Lojëra Olimpike ekipi ynë kombëtar i të rinjve i ka të gjitha mundësitë që falë talentit, pasionit rinor për sportin dhe përkushtimit të tyre, të arrijnë rezultate mbresëlënëse.
“Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time për angazhimin serioz në përgatitjen e delegacionit sportiv për Lojërat Olimpike Rinore 2018, që do të zhvillohen nga 6 -18 tetor në Buenos Aires, Argjentinë.
Gjithmonë kam ndjekur me interes aktivitetet tuaja sportive, në të cilat keni shfaqur gjithmonë vlerat e rëndësishme të shpirtit të garës, sidomos në këto ngjarje sportive elitare.” – tha Presidenti Meta.
“Me këtë rast ju uroj të jepni më të mirën, energjinë tuaj dhe aftësitë tuaja në garat ku ju do të garoni. Rezultati është njëra anë e suksesit tuaj, por kujtoni gjithmonë, që sporti është një element i çmuar dhe i pazëvendësueshëm që na ndihmon në rritjen e identitetit kombëtar, për të qenë gjithashtu sportistë të mirë dhe qytetarë të devotshëm.
Dua t’iu uroj juve dhe familjeve tuaja suksese në Lojërat Olimpike Rinore dhe njëkohësisht të gjitha institucioneve sportive në vend të japin kontributin e tyre, moral dhe material, për të krijuar një klimë të favorshme, për suksesin në pjesëmarrjen tuaj të rëndësishme.
Edhe një herë suksese dhe mbarësi në këtë garë të madhe botërore dhe rinore!” – u shpreh Presidenti Meta.
Duke i uruar suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi, Presidenti i Republikës ia dorëzoi Flamurin Kombëtar boksieres Elsidita Selaj, flamurmbajtëses së ekipit të të rinjve shqiptarë.
“Ju falënderoj Zoti President për mikpritjen që na rezervuat! Dua të theksoj që është një nder i madh të mbaj Flamurin Kombëtar dhe së bashku me shokët e skuadrës të përfaqësojmë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Rinore. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze që të kthehemi me rezultate sa më të larta!” – u zotua sportistja Selaj në emër të të gjithë Ekipit Olimpk Shqiptar të të Rinjve.