Ballina Bota Nënpresidenti Mike Pence priti Kryeministrin Zoran Zaev

Nënpresidenti Mike Pence priti Kryeministrin Zoran Zaev

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev për të biseduar mbi zhvillimet aktuale në Maqedoni, para referendumit të 30 shtatorit.

Siç thuhet në njoftimin nga Shtëpia e Bardhë, Nënpresidenti Pence e ka uruar Kryeministrin Zaev për Marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë, që është një zgjidhje afatgjatë e problemit të emrit midis dy vendeve, ndërsa e ka falënderuar për lidershipin në sigurimin e marrëveshjes.

Nënpresidenti ka nënvizuar se Marrëveshja e Prespës do të çojë drejt një sigurie më të madhe dhe mirëqenies për të gjithë rajonin.

Pence dhe Zaev kanë diskutuar mbi hapat e ardhshëm të zbatimit të marrëveshjes.

Zoti Zaev i shoqëruar nga zëvendës-kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit maqedonas, Zaev u shpreh se “mundësia për takimin vjen në një çast historik për Maqedoninë kur qytetarët e saj pas dhjetë ditësh do ta caktojnë kursin e vendit të tyre drejt të ardhmes në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.

Zaev e ka njohur nënpresidentin Pence me veprimtaritë për zbatimin e referendumit dhe për thirrjet që po u bën drejtuesve politikë e në veçanti atij të opozitës, që të përfshihen në perspektivat Euro-atlantike.

Nënpresidenti Pence, sipas njoftimit nga zyra e zotit Zaev, ka theksuar mesazhet e presidentit Trump për mbështetjen e Uashingtonit për guximin e treguar dhe lidershipin për zbatimin e reformave të duhura në Maqedoni dhe për marrëveshjen me Greqinë që i hapën këtij vendi rrugën për integrim në NATO dhe në BE.

Kryeministri maqedonas ka theksuar shpresat për shndërrimin në protokoll dhe proces të ratifikimit të ftesës për anëtarësim qysh në janar të 2019-s.

“Ulësen në NATO, që do të thotë pjesëmarrje e barabartë në punën e Këshillit të Aleancës dhe siguri e qëndrueshmëri për vendin tonë, e pranojmë së bashku me përgjegjësinë e përshtatjes së standardeve mbrojtëse me ato të NATO-s”, – është shprehur Zaev.