Filmi dramatik “Operation Finale” (Operacioni i fundit), trajton një temë historike. Ai pasqyron momentin dramatik të kapjes nga punonjësit e Mossadit siç njihet shkurt shërbimi izraelit i Zbulimit, të Adolf Eichmann-it, njërit prej arkitektëve kryesorë të Holokaustit Nazist. Producenti Chris Weitz dhe historiani Matthew Horton, njëkohësisht dhe skenarist i filmit, sjellin përmes ekranit, ngjarjet që kanë ndodhur në Argjentinë 15 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Penelope Poulu e “Zërit të Amerikës” bisedoi me disa nga autorët dhe aktorët e filmit:
Pasi marrin informacionin se Adolf Eichmann fshihej në Argjentinë, Izraelitët kurdisin një plan për rrëmbimin e arkitektit të planit nazist për asgjesimin e hebrejve, të njohur si “Zgjidhja finale” dhe e nxjerrin përpara drejtësisë. Në atë kohë, Argjentina strehonte një numër të konsiderueshëm nazistësh të arratisur nga Gjermania dhe Izraeli nuk kishte shpresë që kërkesa për ekstradim do të pranohej.
((Peter Malkin i interpretuar nga Oscar Isaac)): “Do t’ja jepja me gjithë qejf një plumb ballit, por nuk do ta bëjmë këtë, ne duam ta kapim”
((Rafi Eitan, Operativ i Mossadit)): “Eichmann duhet nxjerrë para drejtësisë në Israel”.
Nën drejtimin e një punonjësi të zbulimit të Mossadit, Peter Malkin, një grup elitë e rrëmben Eichmannin dhe e çon atë në një shtëpi të sigurtë. Atje, Peter Malkin përpiqet ta kuptojë burrin të cilin e shihte si monstër.
((Peter Malkin)): “Mund t’ju pyes diçka?”
((Adolf Eichmann)): “Nuk ndodhem në pozitat për të kundërshtuar.”
((Peter Malkin)): “Është e vërtetë se ju i quanit kampet makina likuidimi?”
((Adolf Eichmann)): “Të gjithë përdornin termat që donin për një punë të ndyrë.”
Sir Ben Kingsley thotë për “Zërin e Amerikës” se përshkrimi prej tij i një “Adolf Eichmann të prekshëm dhe njerëzor” është një paralajmërim se krimet më të urryera në histori nuk janë kryer nga njerëz-monstra, por nga njerëz të zakonshëm. Ai e lidh këtë konstatim me një histori personale që e ka përndjekur për vite me radhë dhe që e bëri ta pranonte rolin.
“Ishim jashtë një sinangoge me një gazetare hebreje, një grua të re, kur na u afrua një hungarez dhe na pyeti se çfarë po bënim. Ne i thamë: “jemi duke bërë një film për jetën e Simon Wiesenthalit”. Ai u përgjegj: “ju hebrejtë duhet të pushoni, se kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nëse nuk heshtni, ka për të ndodhur përsëri”. Çfarë përgjigje t’i japësh kësaj?! Shokuese!”– thotë aktori.
Oscar Isaac luan rolin e Peter Malkinit, një burrë që mban zi për vrasjen e së motrës dhe fëmijëve të saj nga nazistët, por që e trajton Eichmannin me mirësi dhe e bind atë që të bashkëpunojë:
“Duket sikur Malkin e bindi Eichmannin se ai është njerëzor. Sikur i thotë: po të ishim si ti, do të të kishim vrarë.”– thotë ai
Duke qenë djali i një të mbijetuari të Holokaustit, producenti Chris Weitz thotë se kjo histori është personale për të.
“Unë jam rritur si fëmija i një njeriu që kishte humbur gjithshka për shkak të kësaj urrejteje kombëtare… Unë kam bindjen se shumë njerëz mendojnë që nëse sot nuk ekzistojnë ndjenjat antisemite, janë ndjenjat kundër imigrantëve, apo forma të tjera racizmi, që mund ta prishin plotësisht shoqërinë tonë,” – thotë producenti i filmit.
Në premierën e filmit, që u shfaq në Muzeumin e Holokaustit në Uashington DC, skenaristi dhe historiani Matthew Horton tha se gjyqi i Eichmannit në Izrael ishte një moment historik për popullin hebre.
“Gjyqi u dha atyre mundësinë ta ndjejnë nga afër dëshpërimin, të pranojnë atë që u ndodhi izralitëve, popullit hebre dhe të bëjnë përpara. Pra, nëse në botë ka njerëz që besojnë se Holokausti nuk ka ndodhur, ky film thotë: ja ku është! Kjo ishte një nga arsyet pse ky gjyq ishte kaq i rëndësishëm. Ai dha mundësinë për një katarsis kombëtar.”– thotë historiani Mathew Horton, skenarist i filmit “Operacioni i fundit”.