Ballina Bota SHBA, një senator bën thirrje për masa ndaj sulmeve kibernetike

SHBA, një senator bën thirrje për masa ndaj sulmeve kibernetike

Një senator amerikan ka bërë thirrje për rritjen e masave të sigurisë për mbrojtje nga sulmet kibernetike për Senatin, pas paralajmërimeve se hakerë të qeverive të huaja kanë vendosur nën shënjestër adresat personale të email-eve të senatorëve amerikanë dhe ndihmësve të tyre.

Në një letër dërguar të mërkurën drejtuesve të Senatit, Ron Wyden një senator demokrat nga Oregoni shkruante se zyra e tij ka zbuluar se “të paktën një kompani e madhe teknologjike” ka paralajmëruar një numër senatorësh dhe ndihmësish të tyre, se llogaritë e tyre personale të email-eve ishin “nën shënjestrën e hakerave që përfaqësojnë qeveri të huaja”.

Zoti Wyden propozon miratimin e një ligji që autorizon zyrën e sigurisë të Senatit të zgjerojë përgjegjësitë e saj duke marrë masa mbojtëse edhe për adresat personale elektronike krahas atyre zyrtare.

Zëdhënësja e zyrës së sigurisë nuk bëri asnjë koment lidhur me këtë çështje. Po kështu edhe kompanitë Google dhe Microsoft, të cilat ofrojnë në platformat e tyre llogari personale të email-eve, nuk pranuan të komentojnë.