Në mbramjen e vonë të 18 shtatorit 2018, në bjeshkën e Dobërdolit të Tropojës, në shtëpinë e tij verore, ku tash pesë vite dilte për bjeshknim kah maji në shtator, u vra 69 vjeçari në pension, Tahir Sali Bajraktari i Derës së Madhe të Bajrakut të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës.
1.
Tahir Sali Bajraktari i Kasajve të Tropojës është një nga pasardhësit dinjitarë të Dinastisë së Bajrakut të Shipshanit, të cilët ndër shekuj i prinë bajrakut tonë të Shipshanit prej nga viti 1830, me Din Bajram Bajraktarin, Bek Din Bajraktarin (plagos në Luftën e Junikut e vdek rrugës për tek kulla e tij në Kasaj të Tropojës), Tahir Bek Bajraktari, Rrustem Tahir Bajraktari (pas Luftës me çetnikët sllavë në Plavë-Guci në nëntor 1943, kthehet i sëmurë në vendlindje e vdes pas disa ditësh), Tahir Sali Bajraktari – drejtues i komunës së Becit e ndër kuadrot e para të pasçlimit në rrethin e Tropojës.
Bajraktarët e Shipshanit morën pjesë në të gjitha luftërat e Malësisë së Gjakovës kundër otomanëve, malazezëve, serbëve, etj. deri në Moraçë e Shkup, deri në Plavë-Guci, Durrës, Gjakovë, etj. Ata ishin pjesmarrës në kuvende e luftëra të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes së Pejës, të Kuvendit të Junikut…e deri në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.
2.
Tahir Sali Bajraktari ishte njeri i punës, një mjeshtër në profesionin e tij. “Duar artë” e quanin. I këndonte e jehonte puna e mekanikut, motorristit, etj. I papërtueshëm e i sakrifikueshëm ishte për të gjithë. Shoqëror. Rrinte në punën e tij, merrej me punët e tij.
Ishte i dhanun dhe pas shahut, duke marrë pjesë dhe në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare.
Në pesë vitet e fundit, duke qënë dhe në pension, dilte verave për bjeshknim në bjeshkën e Dobërdolit, ku e kishte ngritë aty shtëpinë e tij verore me të gjitha pajisjet e duhura si në qytet, kishte dhe televizor e shërbim internet, kishte ngrit dhe një minicentral të vogël për ndriçim elektrik për vehte dhe për fqinjtë e tij. Ai nuk ishte bari në Dobërdol, siç e paraqesin disa media, por ishte si i thonë vendasit “bjeshktarë”.
Tahir Sali Bajraktari në kohën e djehit, në regjimin komunist, ka pasë gjithato përsekutime politike, i kanë pasë internuar familjarisht në Lushnje e në Brisë, etj.
Vllau i tij ma i madh, Mustaf Sali Bajraktari, ka pasë vdek tragjikisht e në moshë krejt të re, 29 vjeçare, në burgun e Spaçit, i cili në vitet e Demokracisë u dekorue me titullin “Martir i Demokracisë” (1994), me titullin “Qytetar Nderi” i komunës së Tropojës (2008), sheshit kryesor të Tropojës së Vjetër (Astë) iu dha emri i tij me ceremoni solemne e festive të madhe (2016), si dhe janë shkrue libra për jetën e aktivitetin e tij.
Tahir Sali Bajraktari është vlla i 9 motrave dhe ka një vlla, Besnik Sali Bajraktarin, një jurist i njohur në Tiranë, në strukturat vartëse të Ministrisë së Drejtësisë të Shqipërisë.
3.
Tahir Sali Bajraktari i Kasajve, i Shipshanit e i Malësisë së Gjakovës, i vrarë në mbramjen e djeshme në bjeshkën e Dobërdolit në Tropojë do të varroset në ditën e nesërme, më 20 shtator 2018, në vendlindjen e tij, me nderime të larta e dhimbje të thellë, i përcjellë nga familjarë, të afërm, farefisni, bashkvendasit e tij, nga miq e të njohur nga gjithë Tropoja, Qarku i Kukësit e Puka, nga Kosova, Tirana, Plavë-Gucia, etj.
I koftë i lehtë dheu i tokës së vet! Shpirti i ndrit’të!
I paharrueshëm emri e kujtimi i mirë për Tahir Sali Bajraktarin e Shipshanit të Malësisë së Gjakovës, Tropojës!