Ballina Aktualitet Çmimet janë rritur me 2,1% në gusht sipas matjeve të EUROSTAT, ushqimet...

Çmimet janë rritur me 2,1% në gusht sipas matjeve të EUROSTAT, ushqimet me ritmet më të larta

Në gusht çmimet janë rritur me 2.1 % sipas matjeve të EUROSTAT.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,4 %, vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë”, ndjekur nga grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” me 2,3 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” 1,9 %.  Teksa çmimet e “Pije alkoolike dhe duhan” jënë rritur me 1,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %, “Shërbimi arsimor” me 0,9%, “Komunikimi” me 0,7 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5 %, etj.

Në muajin gusht 2018, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8 %, pasuar nga grupet, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,3 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1%. Ndërsa, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,1 %, krahasuar me muajin Korrik. Në grupet e tjera nuk pati ndryshime krahasuar me muajin e mëparshëm.

Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”./ Monitor