Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro njoftoi një strategji të re për të rimëkëmbur ekonominë. Plani përfshin një rritje prej 3.000 për qind të pagës minimale dhe rregullimin e çmimeve për më shumë se 20 produkte ushqimore. Pagat më të larta dhe kontrolli i çmimeve tashmë kanë shkaktuar mbylljen e disa dyqaneve. Por, qeveria thotë se pronarët e dyqaneve që nuk pajtohen me planin ekonomik do të burgosen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Adriana Núñez Rabascall njofton nga Karakasi.
Frigoriferët bosh janë bërë një pamje e zakonshme në dyqanet e Karakasit. Shumë prej tyre nuk janë furnizuar me javë të tëra. Blegtorët ankohen se nuk janë konsultuar nga Presidenti Nicolas Maduro, para se ai të njoftonte rregullat e reja të çmimeve, të cilat caktojnë çmimin e mishit të lopës në një dollar për kilogram.
“Mishi u zhduk, nuk ka mish në asnjë vend”, thotë një banore e Venezuelës.
Kjo konsumatore ka pritur më shumë se dhjetë orë para një prej vetëm gjashtë dyqaneve në Karakas që ende shesin mish.
“Ose hani mish ose mos hani asgjë, kështu që venezuelianët nuk hanë asgjë, sepse nuk ka asgjë”, thotë Carmen Tellerias, banore e Karakasit.
Venezuelianët thonë se shumë njerëz po vuajnë nga uria.
“Nuk mund të gjesh vezë, mish pule. Për të blerë mish pule ju duhet të prisni në rradhë të gjata. Unë jam e moshuar dhe nuk mund të presë në rradhë. Jam e dërrmuar”, thotë një venezueliane tjetër.
Partia opozitare e Venezuelës thotë se mungesat e ushqimore nuk janë gjëja e vetme që ka tronditur ekonominë e vendit. Pavarësisht rritjes së pagave nga qeveria, inflacioni i lartë, kur çmimi mesatar i mallrave rritet më shumë se 50 për qind çdo muaj, ka ndikuar rëndë në aftësinë e shumicës së venezuelianëve për të blerë gjërat që u nevojiten.
Për këtë nënë venezueliane, blerjet bëhen në bazë të nevojës.
“Nëse bleni ushqime, nuk mund të përballoni pelenat. Nëse bleni pelena nuk mund të përballoni ushqimet. Nëse bleni qumësht, nuk mund të përballoni ushqime të tjera”, thotë Elennys Lara, banore e Karakasit.
Qeveria e Venezuelës ka kërcënuar se do të burgosë tregtarët që nuk shkelin rregullat e reja për çmimet. E njëjta gjë ndodhi muajin e kaluar, kur menaxherët e pesë dyqaneve dhe farmacive u burgosën.
“Çmimet e caktuara për disa produkte duhet të ruhen në një mënyrë të qëndrueshme dhe me këtë çmim për të cilin është rënë dakord ne garantojmë që kostoja e prodhimit dhe fitimet do të mbulohen”, tha Presidenti venezuelian Nicolas Maduro.
Zyrtarët e partisë opozitare të Venezuelës thonë se 50 për qind e të gjitha bizneseve që operojnë në Karakas do të detyrohen të mbyllen për shkak të pakos ekonomike drakoniane të qeverisë Maduro.
Shumë biznese të vogla tashmë janë detyruar të heqin shumë njerëz nga puna ndërsa po ndeshen me vështirësi për të paguar paga më të larta të kërkuara nga qeveria.