Ballina ED/OP KËSHILLI I INTELEKTUALËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI ME QËNDRIME DHE PROPOZIME KONKRETE PËR...

KËSHILLI I INTELEKTUALËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI ME QËNDRIME DHE PROPOZIME KONKRETE PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Nga Abdulla Mehmeti – Maqedoni

Sot, më 15 shtator, në Ditën ndërkombëtare të demokracisë, Këshilli i intelektualëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe veprimtarëve shqiptarë në Maqedoni, në takimin e katërt të radhës të mbajtur në Tetovë, në lidhje me Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit, referendumin e 30 shtatorit për këtë çështje dhe për integrimin e vendit në NATO dhe BE, si dhe ndryshimet kushtetuese të cilat dalin si obligim nga Marrëveshja e Prespës, të cilat duhet të pasojnë gjatë muajve në vijim, solli këto përfundime.

U miratua teksti përfundimtar i Memorandumit, i cili në emër të këtij Këshilli do t’u drejtohet organeve të pushtetit, Qeverisë dhe Parlamentit të Maqedonisë, partive politike parlamentare për mbështetje, përfaqësive diplomatike të akredituara në Shkup dhe institucioneve ndërkombëtare që ta ushtrojnë ndikimin e tyre në lidhje me zgjidhjen e statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Njëkohësisht, u soll qëndrim që përmes akteve të veçanta juridike-politike, në formë të kërkesave, deklaratave apo në ndonjë formë tjetër, disa organizata joqeveritare dhe institucione, përfaqësuesit e të cilave janë pjesë e këtij Këshilli, gjithashtu t’u drejtohen organeve dhe institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, me kërkesa dhe propozime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të cilat i ka trajtur ky Këshill në katër takimet e mbajtura deri më sot.

Për qëndrimet e Këshillit, përmbajtjen e akteve të miratuara dhe bisedimet me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në lidhje me këto çështje, opinioni do të njoftohet gjatë ditëve në vijim.

(15 shtator 2018)