Ballina Kosova Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

 

Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se sot votohet për mandatin e dialogut tripalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Ndërkaq, menjëherë pas votimi përmes një postimi në Twitter, Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, tha se Kosova është “një hap më pranë regjimit pa viza”, duke shtuar se qytetarët e Kosovës “meritojnë mundësitë e njëjta”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës së shpejti do të lëvizin lirshëm, pa viza.

Ndërkaq, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se ka mbetur që të kalohet edhe një fazë deri në liberalizimin e vizave.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Hoxha tha se Kosovës i mbetet të vazhdojë reformat dhe të lobojë sa më shumë te vendet anëtare, pasi janë pikërisht këto vende, që veç e veç do të votojnë në kuadër të Këshllit të Ministrave të Brendshëm.

“Vendimi përfundimtar varet nga shtetet anëtare veç e veç, ku në Këshillin e Ministrave votojnë përmes ministrave të Brendshëm. Dhe këtu janë ato sfidat që ne po i shohim, sidomos duke pasur parasysh debatin mbi emigracionin. Shpresoj se shtetet anëtare, hezitimet që i kanë, do të mund t’i adresojnë, por jo në dëm të Kosovës” tha ministrja Hoxha.

Radio Evropa e Lirë mëson se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Komisioni Evropian kumton rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

RFE /RL