Ballina Shëndet Studimi: Bylmetet, të nevojshme për shëndetin

Studimi: Bylmetet, të nevojshme për shëndetin

Konsumimi i deri tre porcioneve me prodhime bylmeti në ditë mund të jetë me përfitime për shëndetin. Ky është përfundimi i një studimi të kryer në Kanada. Studjuesit thonë se ky zbulim lidhet me nivelin e sëmundjeve kardioavaskulare. Por mjekët thonë se përfundimet e këtij studimi nuk e justifikojnë ndryshimin në masë të udhëzimeve të ushqyerjes, që këshillojnë pakësimin e bylmeteve me yndyrë të plotë.

Raporti i fundit lidhur me konsumimin e produkteve të bylmetit ndoqi mënyrën e ushqyerjes së 130 mijë njerëzve në 21 vende të botës, në mbi 5 kontinente, për një periudhë 9-vjeçare.

Një nga krahasimet kryesore të studimit ishte mes grupit të njerëzve që nuk konsumonin produkte bylmeti dhe atyre që konsumonin më tepër: deri në 3,2 porcione bylmeti në ditë. Doli se konsumatorët më të mëdhenj të bylmeteve ishin në Amerikën Veriore dhe në Europë, ku njerëzit konsumonin mbi katër porcione në ditë.

Sipas autorëve të studimit, një porcion normal bylmeti mund të jetë një gotë qumësh prej 244 militrash, një gotë kosi prej 244 militrash dhe një copë djathi prej 15 gramësh, ose një lugë e vogël gjalpë, prej 5 gramësh.

Ekipi i studjuesve të Universitetit McMaster arriti në përfundimin se grupi që konsumonte më tepër bylmet pati nivele më të ulëta të kolesterolit dhe prekej më pak nga ishemia cerebrale. Ky grup po ashtu kishte nivelin më të ulët të vdekshmërisë.

Autorja kryesore e studimit, Dr. Mahshid Dehghan, nga Universiteti “McMaster” i Ontarios, thotë se ekipi i studjuesve e përqëndroi studimin kryesisht tek njerëzit që nuk konsumojnë bylmet në dietën e tyre të përditshme:

“Historia e yndyrnave të saturuara ka filluar shumë kohë më parë: përfundimi ka qenë se produktet me nivel të lartë të tyre ngrenë nivelin e kolesterolit, që shkakton arteriosklerozën dhe kjo e fundit është përgjegjëse për sëmundjet koronare të zemrës; por studimet e mëparshme nuk merrnin në konsideratë pasojat e yndyrnave të saturuara tek komponentët e tjerë lipidë të gjakut, si dhe tek faktorët e tjerë të rrezikut,” – thotë Dehghan.

Ky studim është në nivel vëzhgues, që do të thotë se studjuesit i nxorën konkluzionet të lidhura me faktorë të tjerë, pra ata nuk kanë hyrë në mekanizmat që sjellin këtë rezultat.

Sipas autorëve të Universitetit McMaster, ne harrojmë shumë nga komponentët e dobishëm që përmbajnë produktet e bylmetit. Në mesin e tyre janë amino acidet, vitaminat K1 dhe K2, si dhe kalçiumi, potasiumi dhe magnezi.

“Ne vumë re se në mesin e personave që nuk konsumonin fare produkte bylmeti, rreziku i vdekshmërisë, apo i sëmundjeve kardiovaskulare, kryesisht ishemia cerebrale, vdekja nga sëmundjet kardiavaskulare dhe ato jo kardiovaskulare, është më i lartë”, tha studjuesja Dehghan.

Studjuesja thotë se bazuar tek ky studim, njerëzit që konsumonin bylmet ishin 10 për qind më pak të rrezikuar nga shumica problemeve shëndetësore. Rreziku për ishemi cerebrale ishte 34 për qind më i vogël se tek personat që nuk konsumojnë bylmet. Por ajo shtoi se pjesëmarrësit në studim nuk konsumonin më tepër se tre porcione bylmeti të ditë.

Disa kritikë të studimit kanë ngritur pikëpyetje të ndryshme. Një prej tyre është Dr.Jimmy Chun Yu Loui i Universitetit të Hong Kongut. Ai argumenton se në studim janë përfshirë njerëz nga India, apo Kina, që kanë patur një zhvillim të madh ekonomik në 10 vitet e fundit dhe struktura ushqimore e tyre ka ndryshuar gjatë kësaj kohe. Pra, sipas tij 9 vjet nuk janë të mjaftueshme që një studim të arrijë në konkluzione

Në kushtet kur flitet shumë për problemin e obezitetit, ky studim mund të shkaktojë konfuzion tek njerëzit. Por autorët thonë se ai nuk u bën thirrje njerëzve të konsumojnë në masë produkte me sasi të lartë yndyre, si djathi dhe gjalpi. Ata thonë se bylmetet janë një burim i rëndësishëm energjie, por kjo nuk do të thotë që njerëzit të konsumojnë shumë racione në ditë. Sipas studjuesve kanadezë, konsumimi me masë, i produkteve të bylmetit, është gjithmonë rruga që duhet ndjekur.