Ballina Ravijëzime Koha e Partisë

Koha e Partisë

Nga Xhafer SADIKU

Ende nuk ishte zbardhur mirë dhe banorët e atij fshati të vogël po bëheshin gati për tu nisur në punët që u ishin caktuar që në mbremje. Ndonjë që sapo ishte nisur u kthye mbrapsht nga brigadieri: kemi mbledhje, të gjithë tek lëmi.
Mbledhje që në mëngjez!
Që mbledhja ishte me rëndësi merrej vesh nga presidiumi: Një burrë me nje çantë e automatik, polici i zonës, sekretari i partisë, kryetari i frontit dhe brigadieri.
Mbledhjen nuk e hapi si zakonisht brigadieri, por sekretari, i cili pas disa çastesh ia dha fjalën punëtorit operativ të sigurimit.
-Partia na mëson të jemi vigjëlentë ndaj armikut, se ai punon ditë e natë të na dëmtojë. Prandaj, duhet të jemi vigjëlentë ndaj armikut të klasës. Aq më tepër fshati juaj.

Njerëzit e ulur në murin e lëmit kthyen kokën drejt një të riu, birit të “kulakut”. Sa më shumë fliste operativi, aq më tepër largoheshin të tjerët nga i riu. Mbase prisnin arrestimin e tij dhe duhej t’i largoheshin sa më shumë, por sytë e tyre shigjetonin mbi të.

Më në fund, operativi doli tek qëllimi për të cilin kishte ardhur.
-Ju keni dëgjuar se në rrethin tonë është arrestuar një grup armiqësor që kishte qëllim të helmonte ujin e qytetit, të digjte mullaret e grurit, të sabotonte në ekonomi dhe në fund të arratiseshin. Por partia u tregoi vendin, i dënoi pa mëshirë. Asnjë mëshirë për armikun. Duartrokitje dhe thirrje: Rroftë partia!
Kur operativi mbaroi së foluri, dukej sheshit që banorët morën frymë thellë.

I riu, i vetmuar mbi murin e lëmit, dukej i qetë dhe nuk i lëvizi qerpiku. Nuk ishte hera e parë që përballonte presione të tilla. Sa herë goditej ndonjë “grup armiqësor” në vend, në fshatin e vogël kishte mbledhje të këtij lloji.