Pas negociatave të vazhdueshme mes Tiranës dhe Brukselit, ligji special për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar ka marrë aprovimin e Komisionit Europian. E konfirmon këtë, kjo letër drejtuar qeverisë shqiptare nga shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella për sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
“Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë…por në bazë të informacioneve të deritanishme nuk është e mundur të konfimojmë apo përjashtojmë nëse ndihma shtetërore do të përfshihej në favor të kontraktorit të përzgjedhur”.
Komisioni Evropian thotë se e mbështet angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndryshuar draftin në mënyrë që për projektin të garantohet garë mes kompanive.
“Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike dhe jo mbi acquis-të e Bashkimit Europian. Ndonëse, në këtë pikë nuk vërejmë asnjë shkelje të MSA-së, Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin.”