Ballina Bota BE reagon ndaj fjalimit të Vuçiçit për Millosheviçin ku e cilësoi si...

BE reagon ndaj fjalimit të Vuçiçit për Millosheviçin ku e cilësoi si një “udhëheqës të madh”

Bashkimi Evropian, tha të hënën se “ripajtimi, normalizimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të mundshme nëse politikat e së kaluarës që i kanë sjellë shumë vuajtje e mjerim Ballkanit Perëndimore, hidhen poshtë dhe tejkalohen”.

Këto komente u bënë pas fjalimit të një ditë me parë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Kosovë, ku ai e cilësoi si një “udhëheqës të madh” ish presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Presidentit serb, tha se pararendësi i tij, në qeverinë e të cilit ai ishte ministër i informacionit gjatë luftës në Kosovë, “qëllimet, gjithsesi i ka pasur më të mirat, por rezultatet i kemi pasur mjaft të këqija”.

Të hënën, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se “nuk guxon të lihet hapësirë për dykuptimësi apo lavdërim të atyre që kanë mbështetur politikën dhe veprimet e tij. Vendimet e gjykatave vendase dhe ndërkombëtare në këtë drejtim janë shumë të qarta”, tha ajo.

Ajo tha se ripajtimi dhe fqinjësia e mirë janë vlera për të cilat angazhohet Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit duhet të mbështesin këto parime.