Ballina Bota Merkeli mbështet Frankfurtin si qendër financiare

Merkeli mbështet Frankfurtin si qendër financiare

Pak kohë më parë, presidenti francez Macron ftoi përfaqësues të botës ndërkombëtare financiare në Paris. Koha më e përshtatshme që kancelarja Merkel të shprehë mbështetje në Frankfurt për Gjermaninë si qendër financiare.

“Ne do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur Hessenin, për të mundësuar kushte tërheqëse kuadër në qendrën financiare Gjermani”, deklaroi Angela Merkel të martën në mbrëmje në Frankfurt. Rreth 300 përfaqësues të ftuar nga dega e bankave dhe financës dëgjuan fjalën e Merkelit në ndërtesën e Bursës në Frankfurt. Mbështetja me sa duket u pa e nevojshme përballë Brexitit.

Tema e dytë, krahas Brexitit: digjitalizimi që shndërron gjithçka. Edhe këtu Merkeli premtoi ndihmë nga Berlini për të arritur rezultate. “Sillini këtu specialistët, intensifikojini universitetet tuaja, krijoni Klaster (Cluster) – dhe ne do t’ju ndihmojmë. Me shpresë që të kontribuojmë me këtë për të bërë të lavdishëm Frankfurtin, Gjermaninë dhe Evropën”.

Nuanca nxitëse, mbështetëse e fjalimit të saj vjen në një kohë, në të cilën industrisë financiare i duhet të përballet pikërisht me këto tema: digjitalizimin dhe Brexitin. Kjo në një kohë kur në temën e fundit askush nuk e di se ç’pamje do të ketë ai – dhe cilat rregulla do të vlejnë pas tij për industrinë financiare. Qeveria federale vërtet që ka synimin e qartë për të arritur mirëkuptim me Britaninë e Madhe. “Por natyrisht që është e rëndësishme, që ky synim të arrihet në përputhje me parimin: që një jo anëtar i Bashkimit Evropian nuk mund të ketë të njëjtat të drejta dhe detyrime si një anëtar i BE”.

Në vjeshtë, sipas fjalëve të Merkelit do të paraqiten të paktën parimet themelore. Pra deri atëherë do të sqarohen me Britaninë e Madhe detajet e ndarjes nga BE, por edhe parimet themelore  të marrëdhënieve të ardhshme. Kjo është e rëndësishme për investitorët dhe për ekonominë, për t’u orientuar. Pëndryshe, siguria e investimeve rrezikohet në të dyja palët, tha ajo.

Macroni më shpejt se Merkeli

Veç kësaj, në vende të tjera elita politike muajt e fundit është treguar më e zellshme. Kështu ish-bankieri dhe President i sotëm i Francës, Emmanuel Macron i ftoi para pak kohësh në Paris përfaqësues të industrisë financiare ndërkombëtare, për të bërë hapur publicitet për qendrën e tij financiare. Peshorja anoi nga Parisi, kur u vendos pro Francës që të vendoset atje Autoriteti Mbikqyrës i Bankave EBA. Në Frankfurt, përfaqësues të industrisë financiare kritikojnë se kjo ka pasur të bëjë edhe me mungesën e mbështetjes nga Wiesbadeni dhe Parisi.

Gjithsesi, Berlini politik duket se është bindur për ta vënë temën e së ardhmes së industrisë financiare më lart në agjendën politike. Sepse edhe në të ardhmen do të vendoset për një çështje të tillë të rëndësishme: se ku do të zhvillohet në të ardhmen Euro-Clearing, pra ku do të zhvillohet procedimi i letrave me vlerë, të shënuara në euro.

Euro-Clearing “duhet të vijë në Frankfurt”

I ashtuquajturi Euro-Clearing, nga pikëpamja e sektorit financiar është një nga pikat problematike në Brexitin që vjen. Sepse procedimi i kësaj fushe të rëndësishme të tregut financiar deri tani zhvillohet thuajse krejtësisht në Londër – në një shtet ende anëtar. Por kur Britania e Madhe të shkëputet nga hapësira e Euros, atëherë autoritetet e këtushme të mbikqyrjes nuk do të kishin më kontroll dhe qasje në këtë fushë me rëndësi themelore të tregut financiar. “Të themi: edhe ne mendojmë në mënyrë konstruktive. Politikisht unë mund t’ia shpjegoj secilit: që Euro-Clearing të zhvillohet në Evropë – dhe pastaj Frankfurti është vendi më i përshtatshëm”, tha Merkeli.