Ballina Aktualitet Banka Botërore: Shqipëria ndër të fundit në Europë për investimet e huaja

Banka Botërore: Shqipëria ndër të fundit në Europë për investimet e huaja

Vendet e Europës dhe Azisë Qendrorë të grupuara në Rajonin ECA në dekadat e fundit kanë evoluar duke zgjeruar infrastrukturën që shërben në zgjerimin e tregtisë, por një studim i fundit i Bankës Botërore që u publikua dje tregon se disa vende kanë shënuar përparim më të ulët.

Studimi vëren se përgjithësisht vendet e Ballkanit Perëndimor janë më dobët në lidhjet që rrisnin tregtinë dhe vlerat në Rajonin e ECA, por Shqipëria shihet të ketë renditje edhe me dobët se Rajoni.

“Multidimensional Connectivity indexes”  i dha pikë poshtë nivelin mesatar Shqipërisë duke e renditur keq në lidhjet me Europën dhe Azinë.

Banka Botërore e renditi Shqipërinë në vendin e 78 në botë, të përfshira, në indeksin e Lidhjes Shumëdimecionale. Ky vlerësim e vë atë të fundit në rajon dhe ndër të fundit në Europë, duke lënë pas vetëm shtete të tilla si Moldavia, Gjeorgjia, Taxhikistan, Azerbaxhan. Vendet e tjera të Rajonit, Bosnja, Maqedonia kanë renditje pak më të mirë (përkatësisht 68 dhe 77).

Vendin e parë në botë në këtë indeks e kanë Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga Gjermania dhe Kina.

Për nivelin e investimeve të huaja direkte, Shqipëria u rendit në vendin e 87, sërish ndër të fundit në Europë. Maqedonia ishte e 74 dhe Bosnja në vendin e 77.

Në Indeksin e lidhshmërisë më të tjerët, Shqipëria u pozicionua keq në aspektin tregtar në vendin e 80, në atë të emigracionit në vendin e 76 dhe në lidhjet me linja ajrore në vendin e 75.

Por Banka Botërore vëren se ka ende mundësi të larta për të maksimizuar ekspozimin ndaj rrjedhave ndërkombëtare të mallrave, njohurive dhe aftësive.

Indeksi i lidhjeve shumëdimensionalë sugjeron se vendet nuk duhet të mbështeten në një ose dy lloj lidhjesh, përkundrazi, ata duhet të zhvillojnë një shumëllojshmëri të gjerë lidhjesh reciproke me njëra-tjetrën, duke përfshirë edhe migracionin. Për shembull emigrantët e rikthyer në Argjentinë ringritën industrinë e verës duke shfrytëzuar përvojën jashtë vendit të tyre.

Gjithashtu lehtësimi i tregtisë së shërbimeve dhe heqja e pengesave për tregtinë e produkteve do të lehtësonte transaksionet ndërkombëtare.

Përmirësime të tjera në klimën e brendshme të biznesit mund ta bëjnë një ekonomi më të hapur me botën e jashtme.

Politikat e brendshme të secilit shtet, duke përmirësuar klimën e biznesit, shërbimet në përgjithësi dhe duke zhvilluar institucionet vendase sidomos ato të financave, bëjnë lidhjet me jashtë me fleksibël.