Parlamenti i Kosovës u mblodh fillimisht në një seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të qeverisë për të miratuar përbërjen e ekipit të saj negociator në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Seanca duhej t’i paraprinte mbledhjes tjetër po ashtu të jashtëzakonshme të kërkuar nga partitë opozitare lidhur me, siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjimin e kufijve” në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Opozita bojkoti seancën e kërkuar nga qeveria e cila propozoi ekip negociues që sipas saj duhet të drejtohet zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se pjesë e ekipit do të jenë edhe Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar, ndërsa vendet e tyre në këtë ekip i kanë edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.
Kryeministri Haradinaj kritikoi bojkotimin e seancës nga ana e partive opozitare.
“Ata mund të mos marrin pjesë në votim por ka qenë dashur të vijnë në seancë e t’i tregojnë mendimet e veta, mendoj se më mira ka qenë që të vihet në seancë dhe të thuhen ato pikëpamje, çka nuk është në rregull, a janë emrat, a është logjika apo çka nuk qëndron, por vetëm mos pjesëmarrja në seancë nuk mendoj që është ndihmë dhe me këtë ata nuk po dëshmojnë që e kanë qëllimin që po thonë të ruajnë territorin, se nëse është për të ruajtur territorin më shumë kam bërë punë unë se krejt opozita bashkë, ata kanë mundur të vijnë sot dhe me marr hisen e vet në këtë proces”,tha kryeministri Haradinaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se “ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, do të përligj në emër të qeverisë marrëveshjet e fshehta të z.Thaçi me Serbinë. Shteti i Kosovës po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës“.
Sipas kësaj partie “sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pa negociueshëm”.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kritikoi qeverinë, e cila sipas tij, po dorëzohet përballë trysninë së presidentit të vendit.
“Sot çka kemi parë është vagonët që do t’i shtohen Hashim Thaçit në negociatat me Serbinë. Duke u bërë bisht i Hashim Thaçit duke shkuar në Bruksel me gjysmën e spektrit politik, përkundër që ne i refuzojmë vendet e rezervuara, këtu nuk po ndryshon kurrgjë. Nuk kam dyshim që kufijtë e Kosovës nuk do të hapen. Do të shkojë t’i hap kufijtë me Serbinë. Kjo është ditë e pikëllueshme për Kosovën, këta do të shkojnë vetëm për të bërë agjendën e Thaçit dhe jo për të mbrojtur Kosovën”, tha zoti Konjufca.
Seancat e jashtëzakonshme në parlament u kërkuan pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.
As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një ndryshim i tillë, por presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.