Ballina Histori Festë ne Bjeshkët e Markofçës…

Festë ne Bjeshkët e Markofçës…

Nga Ibrahim HAJDARMATAJ – Kryetar i OJF “Mësuesi”

( Intervistë me kryetarin e organizatës së veteranëve të Tropojës, veteranin 95-vjecar Rexhep Shpatin )

Intervistë me Rexhep Shpatin

Z.Rexhep, disa herë më keni folur për patriotët e Malësisë së Gjakovës, Tropojës, desha më konkretisht ndonjë ngjarje për muajin Gusht 2018 ?

Unë po ndalem në heroizmin e patriotëve të shquar, të cilët në muajin Gusht të vitit 1818, në luftime e sipër me Austro-Hungarezet, në bjeshkët e Markofcës, te Kugji i Armëve, ranë heroikisht pas katër orë luftime, Zeqir Halil Mulosmani, Bajram Man Mulosmani dhe Bajram Niman Osmanaj.

Për meritat e tyre këta janë shpallur dëshmorë të Atdheut, Bashkia e qytetit Bajram Curri, i ka shpallur këto ditë Qytetar Nderi dhe janë propozuar për dhënien e titullit te lartë Nderi i Kombit.

Meqenëse muajin që jemi, Gusht 2018, është 100 vjetori i rënies së këtyre patriotëve, a mund të na tregoni dicka për veprimtarinë patriotike te trungut familjar të tyre ?

Foto:  Zeqir Halil Mulosmani, Bajram Man Mulosmani, Bajram Niman Osmanaj

Familja Mulosmani në Bujan të Tropojës është fis i vogël me një histori të madhe. Kjo familje në shekuj ka luftuar kundër turqve, serbo-malazezëve, austro-hungarezëve, italisë fashiste, gjermanisë naziste dhe qeverisë së Ahmet Zogut.

Nga ky trung ka dhënë jetën Heroi i Popullit Mic Sokoli në vitin 1881 në lufte kundër turqve, duke ja vënë gjoksin topit. Gjithashtu kanë dhënë jetën për Atdhe 6 dëshmorë, Shaban Binaku, varur në Gjakovë nga turqit në vitin 1910.

Bajram Mani dhe Zeqir Halili në Gushtin e vitit 1818 ra heroikisht duke luftuar kundër Austro-hungarezëve në Kugjin e Armëve në bjeshkët e Markofcës, pas katër orëve luftim. Jah Salihi ne Shkurt 1944 bie heroikisht në luftë me gjermanët në Bujan, ndërsa Rrustem Avdyli në luftime me gjermanët në vitin 1944 në Devë te Kosovës bie heroikisht.

Idriz Mulosmani në luftime me gjermanët në vitin 1944, plagoset dy herë. Ndërsa oficeri Kapiten i Parë Ram Zeqiri bllokon Urën e Bahcallëkut në Shkodër në vitin 1939 me shokët e tij për katër orë rresht duke mos i lënë ushtarët italianë për të mos hyrë në Shkodër.

Kolonel Mehmet Mulosmani në provokacionet e 2 Gushtit 1949 me grekët në Kakavijë të Gjirokastrës arriti predhën të ja u hedhe në kazanin e ushqimit të kazermave greke.

Heroizmi i Jah Salihit duke qenë komandant i Batalionit  “Rinia”, Idriz Mulosmani komandant i Batalionit të parë të Brigadës së 25 S, Mehmet Mulosmani komandant i Batalionit të tretë të Brigadës së 25 S dhe Avdi Barami, komandant territorial.

Pas clirimit kjo familje ka nxjerrë dy deputet të Kuvendit Popullor, dy kryetarë të komitetit ekzekutiv të rrethit të Tropojës dhe me dhjetëra intelektualë të fushave të ndryshme.

Bajram Niman Osmanaj nga fshati Margegaj i Tropojës, i cili dha jetën në luftime të ashpra me austro-hungarezët, në Gushtin e vitit 1818 pra para 100 vjetëve, më vonë shtëpia e tij u bë bazë ë rëndësishme e Bajram Currit, ku në këtë familje jetoi për pesë vite me rradhë Bajram Curri.

Aty janë marrë vendime të rëndësishme nga Bajram Curri dhe Hasan Prishtina me shokë, të cilët në vitin 1920 e shpallën këtë krahinë zonë neutrale. Ndërsa në vitin 1922 Bajram Curri ngarkon Hysni Currin, të cilët erdhën në shtëpinë ë Bajram Nimanit në Margegaj, të cilët vendosën për asgjësimin e postës së xhandarmërisë. Kështu Maxhun Nimani, organizoi Haxhi Baramin, Shpend Halilin, Uk Alinë, të cilët e rrethuan këtë postë të xhandarmërisë dhe e asgjësuan.

Pas dy muajve bajraktari i Lumës Muharrem Bajraktari dërgon 200 xhandarë nga Kukësi, të cilët vinë e i djegin këto shtëpi. Pas një lufte katër orëshe të udhëhequr nga Maxhun Nimani dhe Ram Elezi arrestohet nga xhandarët Halil Athemi, i cili nga torturat ç’njerëzore në burgun e Durrësit vdes. Banorët vendas u detyruan të largohen në Plavë e Guci të Malit të Zi për dy vjet. Ndërsa Maxhun Nimani e Ali Nimani vazhduan luftën në malet e Dragobisë me Bajram Currin në krye.

Ali Nimani duke qenë në arrati në vitin 1934 vdes në malet e Shkupit të Maqedonisë.

Pjesëtarët e këtyre familjeve inkuadrohen në Brigadën e 25 S dhe Hysen Maxhuni arrin të behet përgjegjësi i rinsë në këtë Brigadë.

Këto familje dhanë disa dëshmorë të Atdheut dhe nxorën me dhjetëra intelektualë të shquar që punojnë në Tropojë dhe në Tiranë.

Për këta patriotë a keni zhvilluar ndonjë aktivitet ?

 

Foto: Nënprefekti i Qarkut te Kukësit  Z.Granit Kurmekaj gjatë përshëndetjes mbajtur në aktivitet.

Po. Konkretisht këto ditë Gusht 2018 u përkujtua me madhështi 100 vjetori i rënies në luftime e sipër me austro-hungarezët të Zeqir Halil Mulosmani, Bajram Man Mulosmani, Bajram Niman Osmanaj, ku kishin ardhur me qindra njerëz nga Gashi, Krasniqja, Bytyçi, Berisha, Tirana dhe Kosova në vendin e quajtur Kugji i Armëve të bjeshkëve të Markofcës.

Drejtuesi i aktiviteteve kulturore Hasan Tahiri, i dha më shumë gjallëri këtij aktiviteti.

Nëpërmjet interpretimit të rapsodëve babë e bir, Ibrahim Muça dhe Eduart Muça, të cilët kënduan këngë patriotike si dhe kërcimet tradicionale të vajzave tropojane me veshjen e tyre karakteristike i dhanë jehonë më të gjerë aktivitetit.

Foto : Akademiku Prof.Dr. Isuf  Bajraktari duke ligjëruar.

Në emër të bashkisë së qytetit të Bajram Currit përshëndeti nënkryetari Astrit Margjeka. Ndërsa nenprefekti i qarkut të Kukësit Granit Kurmekaj solli përshëndetjet shume të ngrohta të prefektit të këtij Qarku Z.Zenel Kuçana. Aty e morën fjalën edhe Kryetari i Pajtimit të Gjaqeve Z.Avdi Rexha dhe Kryetari i shoqatës së përndjekurve politik Rrustem Gjoçaj.

Foto: Rapsodët e talentuar babë e bir, Ibrahim Muça dhe Eduart Muça.

Me mjaft interes u ndoq ligjërata e akademikut Prof. Dr. Isuf Bajraktari nga Prishtina.

Ndersa sekretari i organizatës së veteranëve të Tropojës Z.Zeqir Hasanpapaj lexoi përshëndetjen e  kryesisë së komitetit kombëtar te veteranëvë te LANÇ-it nga sekretari Odhise Prodani dhe kryetari Rrustem Peçi.

Ndërsa unë ju dhurova tri fotografi te ekspozuara për herë të parë të familjeve të patriotëve Zeqir Halil Mulosmani, Bajram Man Mulosmani, Bajram Niman Osmanaj.

Në fund në emër të familjarëve të patriotëve falendërimet më të mira i dha Kujtim Avdi Mulosmani, të cilët për të gjithë të pranishmit shtroi një drekë te Kugji i Armeve ne bjeshkën e Markofcës.

Ju faleminderit për intervistën dhe në të ardhmen paci aktivitete akoma më të larmishme dhe frytdhënëse.