Ballina Aktualitet DY BILBILAT E DIASPORËS

DY BILBILAT E DIASPORËS

Nga Hilmi GASHI në Gjermani

Dhuna deri në genocid dhe reprezaljet deri në spastrim etnik të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve etnikë e të pafajshëm të Kosovës, i detyruan shumë prej tyre, me qindra e deri në mijëra, ndër motmote, që për siguri fizike e ekonomike të jetës së tyre, me e marrë rrugën e gjatë e të vështirë të mërgimit në shtete perëndimore të Europës. Në mesin e të përndjekurëve, të të larguarëve, nga politikat kundërshqiptare të regjimit neo-kolonizatorë, shoven e i përgjakshëm i Millosheviçit kishte dhe shqiptarë me përgaditje superiore, të shquar në lëmi të ndryshme të jetës e veprimtarisë në Kosovën tonë.

Në mesin e shteteve europiane, ku më së shumti shqiptarët kërkuan shpëtim e gjallnim jete e ardhmërie, është Gjermania- një nga shtetet më të fuqishme të botës së sotme, e cila me zemërgjerësinë e saj humane të madhe e të rrallë ka pranuar një numër të madh shqiptarësh nga të gjitha trevat shqiptare të Ish-Jugosllavisë AVNOI-ste.

Në Gjermani, shqiptarët e ardhur, mërgimtarët e saj, duke mos harruar se në çfarë gjendjeje i kanë lënë familjet e farefisin e tyre në vendlindje, filluan të angazhohen për themelimin, gjallërimin e forcimin e aktiviteteve të shumta e të vazhdueshme kulturoro-politike përmes së cilave do të ndihmonin familjet e tyre në Kosovë, do i informonin vendasit me gjendjen aktuale e realitetin që popullata shqiptare po përjeton në Kosovë e në viset e tjera shqiptare. Veprimtari të tilla, ndër më kryesoret, ishin e mbeten manifestimet e ndryshme për festat tona kombëtare shqiptare, festivalet, përkujtimet për figura historike e martirë të kombit shqiptar, përurime të librave, etj.

Për organizimin e përvjetorëve e festave tona kombëtare shqiptarët mërgimtarë në Gjermani nuk e paten dhe as nuk e kanë të vështirë për t’i festuar ato, sepse në mesin e shqiptarëve në Gjermani kishin dhe e kanë solistin e instrumentistin e tyre me gishtërinjtë e tij brilant, Besim Krasniqin, me prejardhje nga qyteti historik i Kosovës, nga Prizreni. Ai ka marrë për mbiemër të ri vendlindjen e tij, Prizrenin, pasi e thërrasin ndryshe dhe “Besi Prizreni”. Dhe, ai, që mban emrin e vendlindjes së tij duhet të ketë disa të veçanta, të jetë i veçantë dhe mban peshë të madhe në jetën e veprimtarinë e tij.

Kohë më herët, pas mbajtjes së Festave të Nëntorit në Gjermani na paraqitet djaloshi nga bjeshkët e Shalës së Bajgores të Kosovës, Naim Smakolli, me zërin e ëmbël si bilbili. Naimi  ka rreth një çerek shekulli në Gjermani, një kohë e madhe për të krijuar emrin e tij të mirë. Në Gjermani, me e thënë ndryshe, i kemi “dy Naima”: njëri është poeti ynë kombëtar Naim Frashëri “Naimi-poet’ dhe tjetri, këngtari i mirënjohur Naim Smakolli, “Naimi–këngtar i Mërgatës”, “këngtar i Diasporës”.

Gishtat brilant të Besim Krasniqit dhe zërin e ëmbël të Naim Smakollit i bëri bashkë te dy për të mos u ndarë  ndërveti sa të jenë gjallë, sepse ata i bashkon gjaku atdhetar i shqiptarit, kënga e bukur shqipe, jeta e mërgimit, idealet e misioni i tyre për artin e kombin e vet shqiptar.

Solisti Besi (Besim Krasniqi) dhe këngëtari i mirënjohur “Nimi” (Naim Smakolli) janë pjesmarrës të shumë koncerteve humanitare të mbajtura në Gjermani dhe në Austri, Zvicër, në Shtete të Beneluksit e ato Skandinave. Këta dy artistë janë pjesë elitë në manifestime kulturore të shqiptarëve, si dhe në dasma e në gëzime të veçanta të shqiptarëve mërgimtarë.

Këta të dy janë artsitë të dashur për publikun e mërgatës shqiptare në Gjermani e në disa shtete të tjera të Europës, pasi me mirësjelljen e tyre qytetare si shqiptaro-gjermanë, me kulturën e traditat e tyre tradicionale shqiptare, me talentin e tyre si artistë, ofrojnë e i bëjnë për vete çdo njeri që është afër tyre.

Dashuria e afria me Diasporën Shqiptare, prania në veprimtari të Diasporës Shqiptare ua ka dhënë atyre me plot të drejtë emrin e merituar: “Dy bilbilat e Diasporës”.

Gishtat brilant të Besim Krasniqit dhe zëri i ëmbël i Naim Smakollit, meloditë e këngët e tyre, Mërgatës Shqiptare ia heqin mallin për vendlindjen e tyre dhe për aq kohë sa të jesh pranë tyre të frymëzojnë, të çmallin, të largojnë mërzinë që e kaplon çdo shqiptar në Diasporës në Gjermani e shtete perëndimore të Europës.

Hilmi GASHI

Gjermani

Foto 1: Hilmi Gashi në Gjermani 

Foto 2 e 3 Naim Smakolli e Besim Krasniqi