Ballina Rajoni Kurti: Ideja për shkëmbim territorial sjell ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e...

Kurti: Ideja për shkëmbim territorial sjell ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e Luginës së Preshevës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të dielën se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, “po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmëri vetjake”, ndërsa paralajmëroi “protesta qytetare e paqësore, për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, fundjavën e kaluar kërkuan mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimi e marrëdhënieve ndërmjet d vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve .

As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një ndryshim i tillë, por presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Idetë e tij janë kundërshtuar nga opozita që kërkon seancë të jashtëzakonshme në parlament por edhe parti në koalicionin aktual qeverisës.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se “ndryshimi i kufijve e dëmton rëndë Luginën, sipas mënyrës së tyre”

“Ne e dimë se kështu siç po flitet, për faktorë demografikë etnikë, pa përmendur të drejtat historike e pronësore, shqiptarët dalin të humbur. Po të jetë vetëm për demografi, shumicën e shqiptarëve të Luginës tashmë Serbia e ka përzënë dhe ata jetojnë në Kosovë, ose në mërgatë. Pa u llogaritur edhe ata që janë shpërngulur nga Lugina, atëherë ne e humbim Medvegjën, sepse aty shqiptarët aktualisht janë pakicë, edhe pse kanë prona dhe dikur kanë qenë shumicë. Po ashtu, është bërë e qartë nga Serbia se ata nuk do të lejojnë të preket territori matanë autostradës e hekurudhës, që ata e konsiderojnë të jetë strategjike meqë e lidh Beogradin me Shkupin, Sofjen, Stambollin e Athinën”.

Kjo, sipas zott Kurti do të thotë që një numër i madh i fshatrave në komunat shqiptare, të cilat janë në të dyja anët e autostradës, nuk do të lejoheshin t’i bashkoheshin Kosovës.

“E pra, a e kuptoni çka do të thotë kjo? Që sipas parimit demografik dhe duke mos lejuar afrimin te autostrada e hekurudha, Serbia ka mundësi që të lejojë vetëm qytetin e Preshevës, fshatin e Tërrnocit e Konçulit, që të bashkoheshin me Kosovën. Dikush mund të thotë se edhe kjo është fitore, sepse të paktën merr diçka, mirëpo kjo është humbje e madhe. Territoret e tjera shqiptare do të detyroheshin të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm, do të humbnin të drejtat e tyre politike e përfaqësuese, dhe shpejt do të spastroheshin prej shqiptarëve. Cilët janë ata që mendojnë se kanë të drejtën të bëjnë marrëveshje për spastrimin e shqiptarëve prej Medvegjës e prej qytetit të Bujanocit? Sa për Tërnoc e Konçul, Serbia sonte t’i jep, sepse ashtu shqiptarët ngelen pakicë në komunën e Bujanocit dhe në vend të Shaip Kamberit atje bëhet kryetar një serb i Vuçiqit mandej”.

Ai tha se “ideja dhe diskutimi për shkëmbim territorial (që po quhet korrigjim kufiri) sjell veçse ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e Kosovës Lindore. Ndarjen e Kosovës në lumin Ibër dhe ndarjen e Kosovës Lindore, përkatësisht veçimin e Preshevës nga Aksi A-10 dhe Bujanoci e Medvegja”.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve.

Zonja Mogherini tha të premten në Vjenë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa theksoi se “do të do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në krijimin e shteteve njëetnike”.

Një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Gjermania e Britania e Madhe, kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve për shkak të pasojave që mund të kishte për Ballkanin Perëndimorë që ende po rimëkëmbet nga pasojat e luftërave të përgjakshme të fundshekullit të kaluar.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane.