Ballina Bota McGahn do të largohet nga Shtëpia e Bardhë

McGahn do të largohet nga Shtëpia e Bardhë

Avokati i Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, një këshilltar kyç i presidentit Donald Trump, do të largohet në javët e ardhshme, tha zoti Trump të mërkurën.

McGahn ishte avokat i zotit Trump gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, përpara se të merrte postin e këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti tha se zoti McGahn do të largohet pasi të ketë mbikqyrur fushatën në Uashington për të ndihmuar gjyqtarin Brett Kavanaugh të marrë konfirmimin e Senatit për t’u bërë anëtar i Gjykatën së Lartë në seancat që zhvillohen muajin tjetër.

Javët e fundit, McGahn ka qenë duke përgatitur dhe prezantuar gjyqtarin Kavanaugh në zyrat e senatorëve për takime të gjata njohëse me ligjvënësit përpara seancave të konfirmimit. Shtëpia e Bardhë shpreson se Senati do ta konfirmojë emërimin e zotit Kavanaugh para 1 tetorit, kur Gjykata e Lartë të fillojë mandatin e ri.

“Kam punuar me Don McGahn për një kohë të gjatë dhe vërtet e vlerësoj shërbimin e tij!” tha Presidenti Trump në Twitter.

Presidenti Trump ka gjithashtu një ekip avokatësh personalë, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, të cilët e kanë këshilluar përsa u përket hetimeve penale të ndërmarra nga prokurori i posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale dy vjet më parë, rreth një bashkëpunimi të mundshëm të fshehtë të fushatës Trump me Rusinë dhe nëse presidenti ka penguar drejtësinë.

Vitin e kaluar Presidenti Trump shkarkoi ish drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili në atë kohë drejtonte hetimin e agjencisë rreth Rusisë, duke çuar në emërimin e zotit Mueller, edhe pse zoti Trump nuk ishte dakord me këtë emërim.

Zoti McGahn shërben si avokat që trajton interesat juridike të Shtëpisë së Bardhë. Por marrëdhëniet e tij me Presidentin Trump, sipas disa njoftimeve, janë bërë më të tensionuara gjatë javëve të fundit, kur dolën lajme se lajmet se McGahn, me miratimin e Presidentit Trump, ishte ulur vullnetarisht për 30 orë intervista me hetuesit e zotit Mueller gjatë një periudhe disa muajshe.

Sipas njoftimeve, zoti McGahn iu përgjigj pyetjeve në lidhje me shumë ngjarje brenda Shtëpisë së Bardhë dhe me veprime të ndryshme të Presidentit Trump.