Ballina Aktualitet Shqipëri, sulm me armë banesës së gazetares Lala

Shqipëri, sulm me armë banesës së gazetares Lala

Në Shqipëri, një sulm me armë ndodhi sot në orët e para të mëngjesit në banesën e prindërve të gazetares së konikës në Televizionin “News 24”, Klodiana Lala. Ndaj ndërtesës në një zonë në periferi të Tiranës është qëlluar me breshëri automatiku. Gazetarja Lala tha se dyshonte se sulmi lidhej me aktivitetin e saj professional. Ndaj ngjarjes reaguan me forcë autoritetet politike e shtetërore të vendit si dhe shoqatat e gazetarëve.

Në banesën e prindërve, ku gazetarja Klodiana Lala dhe fëmijët e saj, çdo ditë, kalojnë pjesën më të madhe të kohës, gjurmët e sulmit me armë, në orët e para të mëngjesit, janë të freskëta. Të paktën 10 plumba kanë lënë shenjat mbi muret, dritaret dhe dyert e shtëpisë në periferi të Tiranës. Në banesën njëkatëshe, në ato moment ndodheshin dy vajzat e vogla të gazetares, vëllai dhe dy prindërit e saj. Për fat të mirë, askush nuk është lënduar, por siç pohon vetë Lala, përmes një postimi në Facebook, të gjithë “kanë mbetur të tronditur”. Gazetarja shprehet se as ajo dhe asnjë prej familjarëve të saj “nuk kemi konflikte personale” dhe se dyshon se ngjarja lidhet pikërisht me profesionin e saj.

Reagimet kanë qenë të shumta. Shoqatat e ndryshme të gazetarëve kanë folur për një “akt të rëndë dhe serioz” apo një “këmbanë alarmi që bie fort për rrezikun që u kanoset gazetarëve në kryerjen e detyrës”, duke kërkuar nga policia dhe institucionet e tjera që ta zbardhin sa më shpejt atë. Edhe zyra e OSBE-së në Tiranë, dukë dënuar me forcë sulmin ndaj gazetares thekson ndër të tjera se “media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate të shpërndarë pasdite “dënon me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë”. Ambasada thekson se “si gazetare, Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj – sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”, përfundon deklarata.

Presidenti Ilir Meta i telefonoi sot gazetares Lala duke e inkurajuar që “të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush”. Po ashtu, përmes një deklarate, kreu i Shtetit inkurajon “organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj”.

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes Twitter-it, duke e cilësuar të “patolerueshme barbarinë mbi shtëpinë e gazetares. Ngjarja – shkruan ai – duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”, shprehet kryeministri.

Por për kreun e opozitës, Lulzim Basha, përgjegjësia bie pikërisht mbi kryeministrin: “Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë: se kush del nga rreshti, kush nuk i bindet urdhrave, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë. Sulmi me armë ndaj gazetares Klodiana Lala, e cila së fundmi denoncoi dhe nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se me Edi Ramën, krimi ndjehet i paprekshëm!”, u shpreh zoti Basha.

Klodiana Lala është një ndër gazetaret më me experience, e cila prej shumë vitesh mbulon ngjarjet e kronikës së zezë, ndërsa ka qenë e pranishme në debate të shumta televizive, ku janë trajtuar ngjarjet kryesore që lidhen me aktivitetin e grupeve kriminale në vend.