Ballina ED/OP Principata e Arbërit – shteti i parë i Shqiptarëve (1)

Principata e Arbërit – shteti i parë i Shqiptarëve (1)

Arbërit dhe shtrirja e tyre

Nga Nikollë LOKA – Tiranë  

Arbërit dolën në skenën e historisë gjatë periudhës së Mesjetës së Hershme, si një bashkësi e re etnike,një popullsi më vete, me një identitet të spikatur e të dallueshëm nga sundimtarët e huaj dhe popujt e tjerë fqinjë. Kjo bashkësi përfshiu ata banorë të Ballkanit Perëndimor, të cilët Marin Sirdani, jo pa të drejtë, i quan, në përqasje me neolatinët e, do të thonim ne, sidomos, me neogrekët, neoilirë (neoillirici). Përderisa kombësitë atëherë ndaheshin sipas bashkësisë politike të gërshetuar ngushtësisht me atë fetare, neoilirët e përfshirë nën administrata politike, ushtarake dhe kishtare të ndryshme nuk arritën menjëherë të dalloheshin dhe të përmendeshin si grup etnik i veçantë. Veçoritë e tyre gjuhësore, etnografike, historike dhe antropologjike që i bashkonin, ishin të papërfillshme për autoritetet politike shtetërore dhe fetare, rrjedhimisht kulturore, në atë

kohë. Për këtë arsye, siç është konstatuar me të drejtë, prapa emrave “romaioi” dhe “bulharoi”, që përmenden në burimet historike si pjesëmarrës të ngjarjeve politike dhe ushtarake që ndodhën në territoret e neoilirëve në shekullin VIII-XI, nuk qëndron medoemos vetëm heleni ose bullgari mesjetar, por fshihet dhe shqiptari i asaj kohe. Ai nuk përmendet me emrin e vet etnik, mbasi,

siç konkludon Prof. Dr. Kristo Frashëri, deri më atëherë nuk pati as komunitet politik, as fetar të veçantë.[1]

Dalja e emrit kombëtar mesjetar Arbëri dhe Arbër nëpër dokumente, me një shtrirje të gjërë gjeografike, si në Shqipërinë e Sipërme ashtu dhe në Shqipërinë e Poshtme, dëshmon se për banorët vendas ai ishte emërtim kombëtar në përdorim të përhershëm. Këtë mendim, përmes analizave gjuhësore e ka mbështetur Prof. Dr. Shaban Demiraj, i cili ka arritur në përfundimin se “emri mesjetar i shqiptarëve, por dhe te popujt e tjerë fqinjë, te sllavët dhe grekët, ka qenë i njohur dhe i përdorur që herët dhe jo më vonë se shekulli X”.[2] Në mbështetje të kësaj teze, historiani Pëllumb Xhufi ka veçuar disa rrjeshta në veprën “De administando imperio” të Porfyrogjenetit, ku flitet për albanët e Kaukazit që ishin të shënuar si ilirë, duke dalë në përfundimin se “kjo kishte ndodhur pasi si të tillë quheshin dhe albanët e territoreve ballkanike”.[3]

Kur në shek. XI u shfaq emri albanë (αλβαvoι) dhe arvanitë (αρβαvιται) nuk kishte vështrim etnik, por ishte, sikurse u tha, emri i krahinës Arbëni/Arbëri. (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Ka një lidhje dhe përcjellje të natyrshme nga

Antikiteti në Mesjetë të banorëve të të njëjtit rajon që, në krahasim me viset e tjera arbërore, ishte më i rëndësishmi për Perandorinë Romake dhe Bizantine, si dhe më i ekspozuari dhe më i njohuri për të huajt nga qyteti i Durrësit dhe nga rruga Egnatia që e përshkonte tejembanë gadishullin Ballkanik. Këto rajone qendrore gjatë Mesjetës kishin një emër të dalluar, Arbanon

(Albanum).[4] Meqë nuk njohim ndonjë qytet të quajtur Arbanon dhe ndonjë themë bizantine me këtë emër, sipas Aleks Budës, “këtu bëhet fjalë për një njësi provincial me autonomi më të madhe, e cila nuk ishte identike me themën e Durrësit. Si e tillë, mund të mendohet se këtu

bëhet fjalë për një bërthamë shtetërore autonome, e cila në kushtet e mëvonshme jep Principatën e Arbërit. Përmendet një arkond i Arbërit, në vitin 1166. Arhondia ishte një hallkë ndërmjetëse në rrugën e formimit të shtetit të Arbërit, si rezultat i një zhvillimi të gjatë”.[5] Sikurse

u tha, emërtimi Arbanon ishte në origjinë emri i trevës rreth e rrotull Krujës, e cila deri kohët e vona e ruajti të paktën në Kurbin, emrin historik Arbëni. Ishte njësoj si emrat e krahinave të tjera të vendit : Polati (Pulti), Kunavia (Martaneshi), Crnika (Çermenika), Trafandena (Mirdita), Matia, Dibra, Skuria, Tamadea, Benda, Mokra, Skrapari, Malakas, Mazarek, etj.[6]

Pas shekullit XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shekullin XI, në fillim si bashkësi politike dhe fetare dhe më vonë si bashkësi politike dhe gjuhësore.[7]

Emri pak i dëshmuar në lashtësi“Albania”, rishfaqet në shekullin XI si emërtim i një grupi etnik -albanoί ose arvanίtai, rreth vitit 1100 dhe si emër vendi – greqisht Arbanon, pak më vonë latinisht si Albanum dhe serbisht si Raban (emri i popullit është “arbanas”), ndërsa në Këngën e Rolandit si“Albeigne”.[8]

Ka mundësi që referenca e parë e drejpërdrejtë që është shkruar për arbërit të jetë gjetur në një tekst të vjetër bullgar të fillimit të shekullit XI. Ai është zbuluar në një dorëshkrim serb të vitit 1628, të publikuar në vitin 1934 prej Radosllav Grujiĉ. Ky është fragmenti i një legjende të Car Samuelit, ku bëhet një përpjekje që në formë pyetje-përgjigjesh katekizmale të shpjegohet origjina e popujve dhe gjuhëve. Sipas atij dokumenti, bota ndahej në 72 gjuhë dhe tri kategori fetare: ortodoksët, gjysëmbesimtarët (të krishterët jo ortodoksë) dhe jo besimtarët. Në këtë dokument, ku nuk përmenden serbët, flitet dhe për arbërit si gjysëmbesimtarë.

 


[1] Gazmend Shpuza, Nga arbëreshët përmes epirotëve te shqiptarët, revista “Univers” viti 2002, Nr.3, http://archive.is/ojjVg

[2] Gjon Berisha, Arbërorët në mes të Kishës Perëndimore dhe asaj Lindore (shek.XI-XIV), botim i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë 2015, f.70

[3] Pëllumb Xhufi, Dilemat e Arbërit, botimet “Pegi”, Tiranë 2006, f. 4-5

[4] Gjon Berisha, Arbërorët në mes të Kishës Perëndimore… f.68

[5] Aleks Buda, Studime historike : (tekste të zgjedhura)Botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë 2006, f.126-127

[6] Kristo Frashëri: Ja si u krijua emri etnik i shqiptarëve, Suplementi “Rilindasi” i gazetës “Shqiptarja.com”, 8. 9. 2013

[7] Kristo Frashëri: Ja si u krijua emri etnik i shqiptarëve, Suplementi “Rilindasi” i gazetës “Shqiptarja.com”, 8. 9. 2013

[8] Oliver Jens Shmitt, Shqiptarët, Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, përkthyer nga Ardian Klosi, botimet K&B,Tiranë 2012, f.27