Nga Ramiz LUSHAJ
Flamur Noka – nji nga figurat emblematike të PD-së, ish ministër i Brendshëm, deputet i Qarkut të Kukësit (i vetmi qark i djathtë) para 40 minutave e hodhi statusin e mëposhtëm në faqen e tij në facebook. Nuk kemi vrejtje për statusin e tij edhe në koft se statusi ka vrejtje për vet Flamur Nokën.
Çështja trajtohet ndryshe: Flamur Noka në statusin e tij me 56 fjalë gjithsej e me ma shumë se 30 gabime jo vetëm drejtëshkrimore ia shkruan me germa nistore të mëdha emrin e mbiemrin “Edi Rama”, ndërsa emrin tonë të përbashkët, kryefjalën e identitetit tonë kombëtar ‘Shqipëri” e niston me germë të vogël.
Shumkush do ta keqvlerësonte e ndëshkonte botnisht një akt të tillë shkrimor të një politikanI të tillë kariere e të kalibrit të lartë kur e shënon me të vogël emrin e Shqipërisë tonë të shenjtë. Unë nuk kam pá ndokund në facebook që Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Bujar Nishani…e Leka Zogu i Parë të shkruajnë emnin e Shqipërisë me të vogël.
Sikur këto fjalë Flamur Noka t’i kishte të shkruara bukurshkrim me dorën e tij mbi letrën e bardhë, atëherit ato do të na zbulonin shumçka nga personaliteti i tij, nga karakteri i tij. Po, ai, kësaj here, si ngahera, i ka të shkrueme në faqe botës e në kuti të faqes së tij në facebook. Po dhe këto fjalë flasin shumë për politikanin, deputetin e qytetarin Flamur Noka. Ma e pakta duket se nuk e mirë vlerëson elektoratin e lexuesin e tij në facebook dhe tjetra, prapë e keqe dhe ma e keqja, e mbivlerëson dhe në drejtshkrim ma shumë Edi Ramën se Shqipërinë.
Mos kujtoni se ashtu, krejt rastësisht, i paska shkrue emër e mbiemër Edi Ramës me të madhe dhe Shqipërinë e tij/tonë me të vogël. Ndoshta nuk po e randojmë aq shumë sa t’i thona se Shqipërinë e vlerëson kaq të Vogël, po nuk do të gabonim po të thoshim se Edi Ramën e vlerëson të Madh.
Atij, politikanit e deputetit Flamur Noka, (me ose pa dashje) Edi Rama i duket i madh, ma i madh nga ç’mund ta kujtojnë dhe vet të majtët kundërshtarë të tij, saqë dhe emër e mbiemër do me ia skalit me të mëdha e Shqipërisë me të vogël.
A e keni pá se “çka i ban në tribunën e Parlamentit” kryeministrit Edi Rama e njiherit kryetar i PS-së, partisë së majtë në pushtet qeverisës?! Don me e zvoglue, me e mbyt krejt, me ia marrë fytyrën, me ia damkos kryet, me i bá gjithçka; po kur vjen puna për në facebook ia shkrue me të madhe emër e mbiemër të tij, ndërsa Shqipërisë ia shkrue me të vogël. Dihet se Edi Rama nuk ka fuqi hipnotizuese, po me sa duket disa figura politike i ka “kthye në robot politik”, aqsa edhe kur ia përmendin emrin e mbiemrin ia shkruajnë si me “pultim telekomandë” me të madhe.
Dikur, dikush, në kohë të djehit, u zatet udhës me rojtarin e pyjeve, të cilit ia dinte mirë emrin Mirash po e thirri Marash. Atëherit, Mirashi i tha se kam me të mësue me ma dit emnin. E ashtu ndodhi. Ai udhëtari preu dru në pyll dhe e nxuni rojtari. Ia preu gjobën. Kjo i dogji atij, ndaj e thirri në emën: o Mirash…! A ma mësove emnin i tha Mirashi atij e i shtoi: ma gëzofsh gjobën! Me sa duket Edi Rama i ka mësue shumë prej politikanëve të së djathtës se si me ia dijtë dhe me ia shkrue tamam emrin e mbiemrin e tij… edhe para Shqipërisë!