Ballina Kosova Shtypi gjerman: Kufijtë në Ballkan – kutia e Pandorës

Shtypi gjerman: Kufijtë në Ballkan – kutia e Pandorës

Shtypi gjerman i kushton vëmendje zhvillimeve në Ballkan. Gjermania nuk mbështet këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje debatit aktual për kufijtë në Ballkan. Nën titullin “Zgjidhje kreative për Ballkanin”, FAZ nënvizon, se Serbia dhe Kosova po diskutojnë për këmbim të territoreve. Ka disa partnerë që e shohin me përmbajtje këtë propozim, por rezistencë vjen nga kancelarja gjermane.

Merkel kundër ndarjes së kufijve

Duhet të jetë pritur si bezdisëse në Beograd, shkruan gazeta gjermane, që pikërisht kancelarja gjermane, mjaft e nderuar për një kohë të gjatë nga Vuçiq, del kundër dhe paralajmëron se “‘integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Këtë duhet ta themi gjithmonë, sepse gjithmonë ka përpjekje, të flasim ndoshta edhe njëherë për kufijtë. Këtë nuk mund ta bëjmë.’ Tingëlloi ndërkohë si një përgjigje indirekte ndaj kancelares Merkel, kur Vuçiq të shtunën në një prezantim të përbashkët me presidentin Thaçi në Forumin Europian të Alpbachut në Austri kërkoi që serbët dhe shqiptarët të gjejnë vetë një zgjidhje. Thaçi nga ana e tij shtoi se ‘koha  për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është tani’. Komisioneri Hahn ëndërron për një ‘moment historik’.

Zëra kritikë dhe përkrahës

Por Frankfurter Allgemeine Zeitung e drejton vëmendjen edhe tek rreziqet e planeve të tilla, që mund të sjellin një reaksion zinxhir të pakontrolluar në Ballkan. “Wolfgang Ischinger, kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih paralajmëron nga hapja e ‘kutisë së Pandorës’. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Suedisë dhe përfaqësuesi i dikurshëm i bashkësisë së shteteve në Bosnje, Carl Bildt u shpreh në “Washington Post”, se ‘të luash me kufijtë dhe ndarjet në Ballkan ka qenë e rrezikshme në fillim të viteve 90-të dhe është e rrezikshme edhe sot.’ Sipas tij ‘Ballkanizimi i Ballkanit’ është ‘recetë për katastrofë’.

Vetëm austriaku, Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm për Kosovën thotë me siguri se ndryshime ‘kozmetike’ të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të kenë ndikime negative në rajon.” FAZ nënvizon deklaratën e Petritsch, se dikur ka qenë kundër ndryshimit të kufijve, por në disa “raste duhet të mendohesh dy herë”, dhe thekson se ai ka harruar të përmendë se punon për studion e madhe ligjore “Lansky, Ganzger+Partner”, ku klient është edhe qeveria serbe.

Ushtria e veteranëve

Ndërsa gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” me artikullin “Ushtria e veteranëve të luftës rritet në Kosovë”, i kushton vëmendje rritjes së numrit të ish-ushtarëve të UÇK-së që marrin pension, dhe pengesave që iu bën qeveria hetimeve të drejtësisë për rastet e keqpërdorimit.

“Grindja për rrjetet e pensioneve të ish-luftëtarëve të UÇK-së në Kosovë ashpërsohet. Javën e kaluar demonstruan partitë opozitare dhe qytetarë të zemëruar kundër shpërndarjes së milionave nga buxheti për gjoja “veteranë” të luftës në vitin 1999. Shkak ishte dorëheqja e prokurorit, Elez Blakaj, që duhet të hetonte listat e ekzagjeruara….Sipas medieve, presioni kundër Blakajt u rrit pasi ai filloi të marrë në pyetje funksionarë të lartë të dalë nga UÇK-ja”.

Klientela e përkrahësve

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” thekson se në Kosovë kanë shënuar një rritje të madhe shpenzimet për veteranët. “Nga viti 2015 shpenzimet vjetore janë rritur vazhdimisht nga 24 milionë euro dhe në vitin 2018 pritet të kapin shifrën e 76 milionë eurove. Paratë janë dhënë pjesërisht edhe për persona që gjatë luftës kanë qenë foshnje ose më shumë se 70 vjeç, pra jo në moshë për t’u mbrojtur, shkruan portali Prishtina Insight.”

NZZ nënvizon se ish lidershipi i UÇK-së dominon edhe dy dekada pas luftës politikën dhe shoqërinë në Kosovë. Këtu asaj i ndihmon edhe fakti që me skemën e pensioneve të UÇK-së ka lidhur pas vetes një klientelë me njerëz të varur dhe përkrahës, që është rritur me çdo zgjedhje parlamentare.” / D.W./