Ballina Enciklopedi Robotët në industrinë e ndërtimit

Robotët në industrinë e ndërtimit

Ndërtimi është një nga industritë ku kërkohen gjithnjë punëtorë të kualifikuar. Këtu, një anëtar i ri po i bashkohet ekipit të punës për shtrimin e tullave në ndërtimin e një shkolle të re.

Është SAM, shkurt për “Semi-Automated Mason”, një robot i krijuar nga kompania me qendër në Nju Jork, “Construction Robotics”.

SAM mund të vendosë rreth 3.000 tulla në ditë – disa herë më shumë se sa një murator i zakonshëm.

“Shtysa për krijimin e këtij roboti ishte dëshira për të zbuluar teknologji që do të më lejonin të bëja më shumë vëllim pune dhe të plotësoja kërkesat e klientëve të mi, duke bërë më shumë punë për përballimin e tyre”, thotë Todd Berich, president i kompanisë Berich Masonry.

Ish inxhinieri i kompanisë Google, Noah Ready-Campbell, është themelues i kompanisë së re “Built Robotics”, e cila po krijon teknologji për makinat e rënda të ndërtimit, pa shofer.

“Ka projekte me vlerë 1 trilion dollarë për rrugët, urat, shkollat dhe çdo gjë tjetër që duhet të ndërtohet, apo mirëmbahet dhe rinovohet. Por frenuesi më i madh për t’i bërë të gjitha këto është kostoja. Pra, në se shkurtojmë koston e gërmimeve, nivelimit dhe përgatitjes, atëherë mund të realizojmë më shumë punë për projekte që ka nevojë vendi ynë”, thotë Noah Ready-Campbell, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Built Robotics”.

Dronet janë gjithashtu pjesë e kësaj vale të automatizimit. Ky avion mund të inspektojë një zonë prej 36 hektarësh në 25 minuta – një punë, që merr një ditë të tërë, po të bëhet me një sistem lazer të montuar në kamion.

Ai është krijuar nga “Kespry”, një kompani në Silicon Valley, që konverton të dhënat e vëzhgimit në harta të hollësishme 3 dimensionale.

“Pra, përparësia është tek piketimi që është jo vetëm më i sigurt dhe më i shpejtë, por të jep më shumë të dhëna, dhjetë deri në 100 herë më shumë të dhëna, së bashku me faktin që ke një dron që fluturon vetë për të mbledhur gjithë të dhënat”, thotë George Mathew, drejtor ekzekutiv i kompanisë Kespry.

Por automatizimi nuk do t’i lerë njerëzit me domosdo pa punë.

“Ne kemi nevojë për të gjithë robotët që mund të marrim, plus të gjithë punëtorët që punojnë për të patur rritje ekonomike. Por, ajo që do të ndodhë, është se ndërsa makinat fillojnë të bëjnë një pjesë të punës që kanë bërë njerëzit, këta duhet të bëjnë punë të tjera, që do të thotë, se do të jetë i nevojshëm ritrajnimi”, thotë Michael Chui, i Institutit “McKinsey Global”.

Automatizimi po riorganizon industrinë e ndërtimit, duke përcaktuar një peizazh të ri, ku njerëzit dhe robotët punojnë së bashku.