Ballina Kuriozitete Cilat janë aplikacionet e rrjeteve sociale dhe chat-et më të përdorura në...

Cilat janë aplikacionet e rrjeteve sociale dhe chat-et më të përdorura në botë?

Comscore vlerëson se mesatarisht, më shumë se 60% e kohës së shpenzuar online ndodh nga smartphone-t dhe më shumë se 80% e minutave të lundrimit nga telefonat lidhet me përdorimin e aplikacioneve. Si të thuash, tashmë gjithçka kalon nëpërmjet smartphone-ve.

Vincenzo Cosenza është një ekspert italian i rrjeteve sociale, i cili prej disa vitesh mbledh të dhënat publike të rrjeteve kryesore sociale, nëpërmjet platformës Alexa, duke realizuar harta dhe grafikë.

Ai identifikoi se cilat ishin aplikacionet e rrjeteve sociale dhe ato të komunikimit më të përdorura në çdo vend, duke përdorur të dhënat e AppAnnie, kompani që monitoron app store, e cila ka përcaktuar aplikacionet më të përdorura në vitin 2017 në 25 vende. Eksperti ka analizuar aplikacionet më të shkarkuara në tre muajt e fundit të 2017-s, gjithnjë falë instrumenteve të AppAnnie, duke i konfrontuar me burime të tjera.

Pyetja së cilës është përpjekur t’i japë përgjigje është: Cilat janë aplikacionet e rrjeteve sociale dhe chat-et më të përdorura në botë?
Për të bërë një përmbledhje, zbulojmë se Whatsapp mund Facebook. Fiton gjithnjë Zuckerberg, i cili zotëron gjithçka, por Facebook humb primatin e tij.

Megjithatë, edhe pas skandalit të Cambridge Analytica, rrjeti social mbetet dominues për numrin e përdoruesve nga kompjuteri apo laptop-i. Kur flitet për smartphone dhe tablet, gjërat ndryshojnë. Rrjeti social me më shumë përdorues aktivë në botë (2,1 miliardë) është lider ndër aplikacionet e tjera në vetëm katër vende: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Suedi dhe Vietnam.

WhatsApp, i cili ka 1,5 miliardë përdorues aktivë, pushton 32 vende. Ai tregon fuqinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Spanjë e Rusi, por edhe në vende të Amerikës Latine, Indi dhe Arabinë Saudite. Facebook Messenger, me 1,3 miliardë përdorues, dominon në 17 vende të botës, ndër të cilat Kanadaja, Australia dhe në disa vende të Europës Lindore.

Nëse shihet më në detaj, jo të gjithë vendet e botës janë tërësisht të globalizuara. Kjo do të thotë që ka ende popullata që i rezistojnë ndikimit perëndimor dhe parapëlqejnë shërbimet që janë në përputhje me kulturën e tyre kombëtare.

Line, aplikacioni i mesazheve të çastit në Korenë e Jugut, me më shumë se 200 milionë përdorues aktivë, është mjeti më i parapëlqyer i komunikimit në Japoni, Tajvan dhe Tajlandë. Në Kinë dominon WeChat, pjesë e kolosit Tencent, i cili zotëron edhe rrjetin social QZone, me 980 milionë përdorues në muaj. Në fund është Viber, i cili zotërohet nga Rakuten, që preferohet në Ukrainë dhe Kroaci dhe KakaoTalk në Korenë e Jugut. Por nëse shikojmë në vendet perëndimore, në podium qëndrojnë gjithnjë produktet e ekosistemit të Facebook.

Burimi: Il Sole 24 Ore