Ballina ED/OP Kinezëritë e Rinasit dhe pafuqia e ministrit të Diasporës

Kinezëritë e Rinasit dhe pafuqia e ministrit të Diasporës

Nga Petrit Kuçana

Të mezidallueshëm janë flamujt kinez në mes të atyre Kuq e Zi në aeroportin e vetëm shqiptar. Poshtë tyre si replike, një avion i ngjyrosur vrullshëm me ngjyrat kombëtare, që duket se personifikon bjerrjen deri në venitje të Aeroportit tashmë të “dorëzuar” kinezëve.

Kalon çdo terminologji “kinezëria” me këtë aeroport, i gjithë-pranuar si më i shtrenjti i rajonit, ndër më të shtrenjtit në Evropë, e çoç del ndonjë lajm se t paktën këtu “rezervohen” çmimet tre herë më të larta se aeroportet e rajonit. Një lajm thuajse i kobshëm, por krejt amorf, që rrjedh ashtu në mesin e lajmeve ditore dhe asnjë çudi nuk ndodh, as brenda ditës; thjesht lajm që më së shumti shkakton neveritje së paku tek mërgimtarët, ata që bartin në kurrizet e tyre halleshumë edhe këtë “dhuratë” shqiptaro-kineze.

Janë mërgimtarët ata që e përballojnë sa hyjnë në tokën e rrënjëve, nga ku nuk mund të shkulen,  ata që masin çdo cent të biletës, pasi nuk kanë gjetur të tjera hapësira dhe mundësi nga aeroportet fqinjë (kryesisht ata që e kanë kohën e kufizuar). Krejt e pabesueshme mund të duket për shumëkënd që shumë mërgimtarë sidomos nga veriu i Shqipërisë ka vite e vite që nuk kanë qenë në Tiranë, pasi Podgorica mbetet porta tyre e hyrjes, në mos Tivati i krahasueshëm me ndonjë “petrol station” nga ata luksozët në Shqipëri.

E njëjta gjë ndodh me Shkupin apo aeroportet greke, e Rinasi vjen më shumë si mallkim.

A është Rinasi personifikim i “përkujdesjes” së shtetit shqiptar ndaj mërgimtarëve?

Bash e tejkaluar del kjo pyetje, pasi mërgimtarët shqiptarë, si jetimë të paepur, nuk kanë përfaqësues, nuk kanë mbrojtje dhe nuk kanë peshë, pasi qeveritarët nuk e kanë parë “të arsyeshme” t’u japin atyre të drejtën e votës. Thjesht para faktit të kryer, që duket sikur kumbon pasthirrma se ky është aeroporti, këto janë çmimet në daç hajdeni në daç thyeni qafën nëpër aeroportet e tjera… dhe kjo është Shqipëria se autoriteti i konkurencën është diku mes letrash, si autoritet që mbron shqiptarët nga abuzimet që në fakt reflekton si grup njerëzish që firmosin diku ndonjë pagë dhe çdo lloj organizmi tjetër mbetet i pazëshëm, i pashpirtshëm në hendekun e madh të çmimeve diferencuese mes aeroportit të Rinasit dhe vendeve të tjera të rajonit.

Duket e pamundur të gjendet ndonjë ent rregullator, ndokush që mund t’i bjerë kokë pikëpyetje e thjeshtë dhe e madhe se pse Rinasi është tre herë më i shtrenjtë se aeroportet e tjera të rajonit? Aq më pak të gjenden shifrat e humbjeve që i vijnë mëmëdheut nga kinezëritë e Rinasit. Pak e vështirë për të gjetur edhe numrin e mërgimtarëve shqiptarë që vijnë nga Mali i Zi, Maqedonia apo Greqia, pasi ata thjesht numërohen si turistë.

Mbetet një pikëpyetje që as Ministri i shtetit për Diasporën nuk i përgjigjet dot. Madje këtu në Londër u shpreh se ndjehej i turpëruar dhe se kishte marrë vesh se shumë shqiptarë shkojnë nga Londra në Mal të Zi dhe kaq. Majko s’mundet. E kush dreqin mundet? Kush mund të mbroje interesat e rreth gjysmës së popullsisë shqiptare që jeton jashtë territorit të Republikës?

Kaq retorike duken këto pikëpyetje për pushtetarët që se kanë idenë e çmimeve të biletave, saqë çdo ligjërim i tyre për mërgimtarët ngjallin vetëm neveri, siç mund të jetë edhe përpjekja për zgjedhjen e komisarëve të diasporës, ndërkohë që kinezëritë në Rinas vazhdojnë, gllabërueshëm..