Ballina Aktualitet Fushë Gurra gurgullon me shpirtin e bardhë të çermenikasve

Fushë Gurra gurgullon me shpirtin e bardhë të çermenikasve

Nga Qazim SHEHU

Sot,ende Tirana nuk e di se çfarë bukurie ka pas Dajtit,ose bën sikur  nuk e di,kur na duhet të mendojmë për indiferencën e qeverive në mungesën e investimeve.Në Qafë Priskë, ndahen dy rrugë:njëra, e Qafë Mollës dhe, tjetra për në Shëngjergj.Pastaj, kur ndodhesh në Shëngjergj, duhet të përshkosh 2.5 km rrugë të vështirë për të mbërritur tek Kroi i Kuq e tutje në Bizë e Ballenjë.Shumë afër është edhe Fushë Gurra.Biza,Ballenja, Fushë Gurra, janë tri fusha të rëndësishme, rrethuar nga pylli i ahut,të përmendura jo vetëm për histori,po edhe për bukuri natyrore të jashtëzakonshme.Ato ngjajnë me tri pjata të argjendta  ku kanë ngrënë bukë perënditë ose tri feste të aristokracisë së lashtë mbi kryet e menduar të maleve.Në Ballenjë, çdo 29 qershor, bëhet pelegrinazhi,ndërsa, në Fushë Gurrë, çdo 12 gusht, festa e saj.I nisur kështu ky paragraf nënkupton se këto tri vende nuk mund të ndahen nga njëri tjetri,ashtu si njerëzit përreth,Fushë Gurra është shumë afër Bizës e Biza afër Ballenjës.Se shumica e njerëzve që marrin pjesë në një festë janë edhe atje,e këto male kreshnikë  me  qyrkun e gjelbër të pyjeve janë male të bekuara nga perëndia e të dashura nga njerëzia.

+++

Së bashku me Ben Sherën nisemi nga Tirana për në Fushë Gurrë.Jo vetëm Festa përbën një ngjarje të besueshme po edhe fakti se rruga e saj, me interesimin e Bashkisë Librazhd dhe të kryetarit të shoqatës “Çermenika 2017” Behar Almeta,si dhe me ndihmën e donatorëve privatë, është rikonstruktuar  dhe mund të shkohet atje më lehtësisht.Rruga nga Zdrajshi për në Fushë Gurrë është një e përpjetë  që shpesh të befason me vendet e drejta dhe të sheshta.Kur mbërrijmë në Fushë Gurrë,larmia e njerëzve e zbukuronte edhe më  lëndinën.Fusha e rrethuar nga pylli  freskohet në gjirin e vet nga uji që i shkon mes për mes.Nga kjo e ka marrë edhe emrin.Njerëzit me shpërndarjen e tyre apo përqendrimin në pika të caktuara ta afrojnë menjëherë ndjesinë e festës,krijojnë një larushi dhe afeksion të natyrshëm.Kanë ardhë në këtë festë kryetari i bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra,mjeku i njohur orenjas Avni Koçi, mjeku Kujtim Albrahimi , shkrimtarja Bardha Alimeta që të befason me librin e ri,njerëz të ndryshëm nga emigracioni,kontribues dhe dashamirës të vendlindjes dhe të shoqatës,pa harruar të përmendim drejtuesit e shoqatës si: Behar Almetën,Fatmir Gjeçin,Bashkim Isakun,Lulëzim Hazballën,Gazmir Alcanin,Gëzime Sinanin,Xheladin Lukën,Vehbi Xherrin,Sokol Gjypin  etj ,etj,pleq,rini,fëmijë,vajza, djem të veshur me kostum kombëtar, po edhe intelektualë,mësues   ,poetë ,gazetarë,njerëz të profesioneve të ndryshme, ku fjalët,urimet,interesimet nuk kanë fund.Kjo jo vetëm është në natyrën e festës,por festa bëhet një shkas madhor që njerëzit të takohen me njëri tjetrin,të njihen e rinjihen,e të krijojnë raporte më miqësore,edhe pse dikush në fund, nën yshtjen e avujve të alkolit nuk i kontrollon emocionet.Edhe kjo pjesë e festës,e dehjes prej saj…

+++

Fushë Gurra është një vend me histori,afër është Guri i Muzhaqit e pak më tutje Neshta,pak më poshtë Zdrajshi,e nga aty duket gjithë lugina e zonës që i ngjan një govate të shtrirë e të fundosur në freskinë e ujërave që Çermenika i ka me tepri.Historia flet përmes kujtesës,po edhe kujtesa e kërkon shenjimin fizik.Aty mund të vihen tabela,detyrë e historianëve të shoqatës dhe e gjetjeve të mundësive për t`i kryer këto punë,po kështu, në këtë vend, mund të vihet edhe në data të tjera për të përkujtuar ngjarje të ndryshme.Festa është një kulmim i tyre.

+++

Në Festën e Fushë Gurrës merr pjesë edhe rapsodi lezhian Ben Pacani,artistë të vegjël të zonës,valltarë të mrekullueshëm, drejtuar nga i palodhuri Hysen Balliu.Ben Pacani ka krijuar këngë për Çermenikën,këngë të bukura,ritmike,plot pathos dhe vrull,këngë që himnizojnë dhe ngrenë lart historinë e burrave trima të saj.Në këto këngë përmenden disa nga figurat më të njohura të  Çermenikës,po kështu emrat e fshatrave   të cilat , sipas bukurisë që kanë, sjellin   nga një veti të tyre në thurje të tekstit.Është për t`u përgëzuar Gazmir Alcani që ka krijuar këtë lidhje dhe ka sponsorizuat këto këngë të bukura,po edhe Beni i cili e ndjen veten çermenikas dhe me zërin e kthjellët melodioz e gurgullues intonon e sjell mirë tharmin kohor të epit historik të zonës duke e ngritur në tonalitetet e një arti të realizuar madhështinë e kohërave si një qëndresë sublime.Në rrjedhë të natyrshme të pëlqimit , Çermenika është pjesë e Gegnisë dhe këto këngë ngjisin shumë,edhe se janë  të intonuara në  atë vijë melodike që shkon drejt një përpunimi më profesional.

Festa e Çermenikës organizohet sipas një skenari të mirëpërgatitur,ku moderatorja Sidorela Xherri me elokuencën e saj do ta përgatisë dhe prezantojë me rrjedhshmëri fjalën e pjesëmarrësve drejtues.Intelektuali i njohur Ilmi Leka ,mësues,poet,gazetar,njohës i traditës gojore  do ta hapë këtë ceremoni.Si gjithnjë duhen disa fjalë qoftë si mirëseardhje, qoftë si urim.Në fjalën e tij Kastriot Gurra kryetar i bashkisë, do ta theksojë rëndësinë e kësaj feste duke e performuar atë në premtimin për investime;ndërsa Behar Almeta,kryetar i Shoqatës “Çermenika 2017” do të flasë mbi mundësitë që jep bashkimi dhe organizimi, që nënkupton kontributin e të gjithëve në mbarëvajtjen e punëve,të cilat nuk mund të bëhen, nëse nuk ndërmerren inisiativa dhe shihen mundësi.Xhafer Isaku është një çermenikas i vjetër i ikur qëkur nga Neshta,po ai nuk mund të rrijë pa e përshtatur një poezi të Çajupit  që i shkon kësaj dite,është një përshtatje e poezisë së njohur “Mëmëdheu”;po kështu vargje prekëse do të recitojë Hyqmet Qoshi ;ndërsa kënga, vallja do të vërshojë më pas me motive të valles dyshe çermenikase,valle të Rrajcës e valle të tjera,të cilat përcjellin ritme të gëzuara  në atmosferë.

+++

Hitoria na mëson se dashuria për vendlindjen nuk është thjesht një akt propagandistik,as një justifikim shpirtëror për t`u ndjerë më i lehtësuar nga pesha e rrugëtimeve të jetës;njeriu shkon nga shkon dhe prapë në vendlindje përfundon,thotë një filozof anglez.Por, kjo dashuri,mall,apo një këndellje shpirtërore, nuk mund të jetë thjesht romantike,edhe pse është e tillë;ajo i kapërcen kujfijtë e një ndjesie dhe hyn në fazat e një qëllimi,sot në kohërat moderne kur njerëzit kanë përvetësuar koncepte dhe qëllime të mira.Sot kushdo ka diçka për të thënë,për të përkujtuar  një figurë,apo për të treguar një ndodhi.Është koha e shkrimit apo e gdhendjes së kujtesës nëpërmjet tij në libra;por s`duhet harruar se vendlindja kërkon diçka tjetër,ajo kërkon ndihmë,bashkim mundësish dhe kanalizim të tyre  drejt gjërave të domosdoshme,në rregullim rrugësh,investime në qendra të ndryshme social kulturore,organizim aktvitetesh të ndryshme,promovime etj.Gjer më sot shoqata ka bërë mjaft,ajo është interesuar jo vetëm duke sensibilizuar,por edhe duke  hartuar projekte konkrete,përmendja e tyre në këtë rast nuk do ishte e arsyeshme, sepse faktet janë të njohura;por më shumë mund të bëhet duke e parë përkushtimin e disa personave  jo si përgojim,as si inat dhe  si atmosferë për të rritur temperaturën e disa personave të fantaksur  me ego të sëmurë,por si respekt,si nxitje,si shembull ,si nderim; vetëm ndërveprimi dhe respekti për vlerën sjell dobi.Një shoqatë mund të bëjë shumë.Dhe një person mund të bëjë shumë  qoftë me një kontribut sado modest…

+++

Në të  vërtetë festa e Fushë Gurrës shpalosi krahas përjetimeve emocionale edhe vlera të mëdha,të cilat nuk mund të mos sjellin drejt tërheqjes së një motivimi më të fortë.Në kthim,na duhet të ripërshkojmë rrugën nga kishim ardhur.Vargani i makinave zbret rrugës gjarpëruese  dhe shumë njerëz kthehen tek të afërmit e tyre.Fushë Gurra mbeti atje,midis ahëve dhe freskisë së tyre, duke dremitur  në hijen e mbrëmjes si një amfiteatër natyror ku drurët e lartë përtypin heshtjen e mbrëmjes që po bie…Është një kthim që mbart peshën e një lodhjeje të bukur,vlerat e një feste,dhe ndërsa më duhet të përvetësoj për efekt koinçidence  një sintagmë të Heminguejt i cili kur flet për Parisin thotë se ai është një festë që e ke githmonë me vete.Kështu është edhe Fushë Gurra,një imazh,një përjetim që e ke për një kohë të gjatë me vete,jo vetëm për natyrën e bukur,freskinë,po edhe për historinë e këtyre vendeve,kohërat ,të vështira e më paqësore,për njerëzit që kaluan dhe pushuan në këtë fushë me emër,për atraksionin turistik që ka,për fshatrat që shtrihen poshtë saj dhe ajo i ndjell si një sofër gjigande  dhe i shtron rreth saj me të mirat që prodhojnë këta njerëz punëtorë.Dhe vërtet ,në këtë ditë njerëzit u ulën sipas familjes,shoqërisë,në këndet e blerta të fushës,nën hijen e ahëve,pranë faqores së rakisë,birrës së ftohtë,verës,mishit të pjekur,kënduan këngë ,bënë humor dhe sollën kujtime të ndryshme,apo premtuan për ritakime.Dhe në këtë larmi njerëzish,nga fshatra të ndryshëm,nga Tirana,Durrësi,Librazhdi etj,po edhe emigrantë nga Greqia, Italia e vende të tjera,të bie në sy fakti se festohet me bollëk,jo varfërisht,shenjë e gjallë e jetesës dhe e kërkimit për një jetë sa më dinjitozë  përmes punës;por kjo del dytësore,ndërsa  ajo që është më e bukura,më poetike nuk mund të përkufizohet brenda një konstatimi të thjeshtë,ajo është ana shpirtërore,afrimi midis njerëzve,shija e bukur e një dite që nuk sillet si të zakonshmet dhe që do mbahet mend gjatë.Dhe fjalët që të vijnë ndërmend sapo nisesh për kthim janë:Mirë u pafshim Fushë Gurrë…