Ballina Kryesore Hero në kohë tutjesh kolektive

Hero në kohë tutjesh kolektive

Nga poetja Elida Rrustaj – Shkodër

Ditë për ditë kam dalë me njeh anijet
me shpresën se shoh kryet tánd,
vajtue t’kam në brymë t’nadjes,
brigjeve të askundit.

A ásht márre me qá Havzi?
A ásht vonë me mbajt premtimet?

N’qoftëse jam vonue ti veç
mos u plak,
mos u ligështo,
edhe m’duej,
asgjá tjetër nuk lypi prej teje.

Na u deshte edhe pak,
dëshirës e ándrrës tánde me i dhánë gjak.
Mandej me hy n’dhe për së gjalli,
me pshtue veten prej nesh,
me na kallzue sa fisnike ásht e bardha dekë.

Havzi vëlla, çou pash mue!

Me ikjen tánde mendova se dreqnit kanë me rá n’paqe.
Por jo!
Ata u tërbuen si asnjiherë má parë.
Jau çoftë Zoti pikën!

Unë s’mujta me ta gjetë kryet nëpër natë,
as me shpirt poeti me shue
zjermin e ndezun në tempujt e mallkuem të zotave të pá fe.

Poetët kanë tjetër ag,
ti e di mirë.
Ecësit e vegjël me qime derri,
gjuhë gjarpni e lakmi Harpagoni,
vazhdojnë me dhunue konakun tonë.
Këta lloj dreqnish e thejnë kambën shpesh e má shpesh e të mbesin n’derë.

Çohu orëmadh!
Ban’ju krah orës tonë të ligësht,
mësona se me dek si ti ásht si me lé!
Çou mos pritsh me u çue!
Na kanë rrethue t’pabesët
e veç ti mundesh me ju kallzue çka ásht besa.

Havzi bre vëlla,
po të pres si qyqja verën.

Përnatë para se me fjetë
e preki strehën tánde pa krye,
më shfaqesh si kandil e ma ndez natën.

Ti rrin te porta si burrë guri,
fryma jote ká shpirt.

Hej dekë që kurrë s’more me rend!
Ná jena t’vegjël e s’dimë çka bájmë.

Don Zoti ka me m’fal se s’mujta me ja gjet kryet.
Duhet me hap gjaqe të reja,
e kanë me m’quejt má t’falisunën ndër tánë.

Me flokë t’i teri sytë,
me harrue kush jam,
njinjishëm me ty e bjerri shpirtin deri te pragu
i natës së errët e të pafundme,
strukem n’krahnor tand,
shndrrohem në skllave të dashnisë së pasosun
s’tutna prej asgjasë.

Tridhjetë vjet pa ty Havzi,
lypi pshtim po pshtim askund nuk ka.
Na robnove e ike,
asnji qiell nuk ásht má nalt se i yti.

Më fal vëlla!
Nuk mujta me t’pshtue prej qytetit.

Plaga jote s’ka me u shërue kurrë,
atë e ke stolinë má të bukur me të cilën të varrosën,
plagë burrash kristali
që ndihen të lirë ashtu pa krye.

Asgjá s’ka ndrrue prej atëherë i dashtun,
veç boshti i Tokës ndihet kah sillet,
ti hyn e del si hyjni
me zemrën e rehatueme në qiell.

Zgjohesh herët e më flet për yjet,
këndojmë bashkë dy kángë të nji derti.

Nëpër rrugë njerëzit e pálumtun veç dritë shkëmbejmë.

A sheh Havzi?
U tremba kot.
Në tokën ku pingul pa krye të futën,
gjeta të rrahunat e nji zemre.
Ti në pavdeksinë tánde,
nuk tutesh prej asgjasë,
s’ke dert se nuk pat’ kush me t’vajtue,
as me t’la prej mëkateve të pabáme,
s’ke dert se nuk të përcuell kush,
ty, heroi ynë në kohë tutjesh kolektive.

Sot Shqipnia ásht ti dhe poezia,
je bar i qiellit që ndez zjerm në hánë
flet për tufat e yjeve e të ándrrave.
Sot malli për ty nuk djeg,
digjet…