Ballina Bota Europa Ime: Bukureshti – Triologji

Europa Ime: Bukureshti – Triologji

Ta kuptojnë Bukureshtin e kanë të vështirë edhe vet banorët e tij. Qyteti është sa idilik aq edhe i uniformuar, sa elegant aq edhe i vjetëruar. Një afrim me tre hapa nga Catalin Dorian Florescu.

Në dy vitet e fundit unë kam kaluar nga dy muaj në Bukuresht, në gjurmët e një romani të ri. Në dekadat më parë unë nuk mund të vendosja ndonjë lidhje të vërtetë me këtë qytet, në të cilin nuk jam rritur dhe ku nuk kam asnjë kujtim. Por sot për mua është krejt ndryshe.

Bukureshti nuk ta bën të lehtë që ta duash atë: Sapo ai të shfaq elegancën dhe rafinesën e vet, menjëherë ti percepton edhe rrënimin e lënien pas dore të tij. Sapo ai të duket modern, papritur të shfaqet edhe një zonë mjerimi. Sapo mbizotëron qetësia e madje idiliteti, menjëherë të ndjen zhurmën, ngutin dhe uniformitetin. Jo më kot në kohën midis luftrave për Bukureshtin flitej në shumës: Bucurestii.

Sot kjo do të shkonte më së miri, sepse qyteti ka një numër të madh fytyrash. Ai përbëhet nga disa botë të vendosura njëra pas tjetrës apo që ekzsitojnë paralelisht. Pa i përfshirë ato të gjitha nuk mund ta paraqesësh si duhet atë.

Kështu si Bukureshtin mund të shohësh edhe të gjithë Rumaninë: si të larmishëm dhe kontradiktor, qartësisht europian e megjithatë me një këmbë në botën orientale.

Me kokën e zemrën plot mbresa unë u ktheva para pak kohësh në Rumani. Jo për ta presuar atë të tërin në një formulë, por për t’iu përgjigjur karakterit të këtij vendi, unë përpilova një listë me kujtime. Ajo përbën një tërësi një mozaik subjektiv, një kolazh të mbresave, që mund të plotësohen edhe më tej. Sepse Rumania, ashtu si Bukureshti, është një thirrje e mirëfilltë për të perceptuar, për të ndjerë, pa e vlerësuar duke u nxituar. E megjithatë dikur, nëse rrethanat janë evidente, të duhet për fat të keq edhe ta bësh këtë.

Kujtimet e mia unë dua t’jua prezantoj juve në doza të matura në tri pjesë.

Unë kujtoj:

­- Në prag të pranverës, në rrugën drejt Bukureshtit, unë bashkë me miqtë morra pjesë në një protestë të heshtur në Sibiu, qe zhvillohet çdo ditë në orën 12:00 në selinë e partisë PSD në pushtet.  Për çerek ore pjesëmarrësit qendrojnë këtu në heshtje, trafiku qarkullon ngadalë anash tyre, kalimtarëve u duhet të kalojnë përreth tyre. Disa prej kalimtarëve i bashkohen protestëts së heshtur. Mbizotëron qetësia, që ndokush e percepton e ndokush tjetër nuk e vë re fare. Kjo lëvizje quhet: “Ne ju shohim juve!”. Me këtë ata kanë parasysh politikanët dhe sipërmarrësit e korruptuar, nga të cilët vendi është bekuar të ketë me bollëk. Heshtja e popullit në këtë rast ka kuptim.

– Në Brasov takova një ditë më vonë Sonjën, mësuesen zvicerane, drejtuese e një strehimoreje fëmijësh, që e ka themeluar vet para 25 vjetësh. Ajo vjen dhe nuk mund të largohet më nga ky vend, aq shumë ia ka kushtuar ajo jetën e saj jetës së fëmijëve. Një ditë ajo mbërriti në të ftohtin dhe mjegullën e një vendi, ndaj të cilit mund të kish qenë edhe indiferente. Por ajo ka arritur atë, që pakkush është në gjendje ta bëjë: ajo i është përkushtuar me këmbngulje dhe mbrojtje jetës së brishtë. Për dhjetra fëmijë ajo është si një nënë. Ajo më tregoi që një punonjëse e saj ndodhej në spital. Koleget e saj qendronin me rotacion pranë shtratit të saj, i sillnin ushqim dhe letër higjenike dhe e përdornin atë kur ishte e nevojshme. Kjo është gjendja në spitalet shtetërore rumune. Sonjës e vetmja infermiere në këtë pavion iu lut që të vëzhgonte serumin. Mjekët dhe personeli i kujdestarisë, ekspertët e të gjitha fushave emigrojnë. Kjo është një gjakderdhje, për të cilën nuk është përgjegjës Drakula.

– Sikur të ishtë shkrirë një akullnajë, dimri e hapi rrugën nga Brasovi drejt Bukureshtit. Në lugina e bukura të Karpateve njeriu lë gjurmët e indiferencës. Ndërsa unë udhëtoja për në kryeqytet, një kolonë e pafund makinash të vjetra udhëtonte në drejtimin e kundërt me shpejtësinë e këmbësorit. Këta ishin bukureshtasit, të cilët sa herë munden marrin arratinë prej qytetit të tyre. Disa herë në vit Bukureshti zbrazet dhe disa ditë më vonë mbushet sërish, si një zemër që thith dhe pompon gjakun. Në këto ditë në Bukuresht mbizotëron paqe dhe mund të pajtohesh me qytetin.

– Në Bukurresht kioskat e luleve janë të hapura deri në mesnatë. Praktikisht në çdo cep ndodhet një e tillë. Por unë nuk kam parë ndokënd që të blejë. Ndoshta këtu presin për të shprehur dashurinë pasi të jetë errësuar. Ndoshta bukureshtasit i dërgojnë të vdekurit natën në varreza. Ndoshta njerëzit përpiqen t’i zbukurojnë shtëpitë dhe qytetin duke qenë të mbrojtur nga errësira. Ndoshta banorët e qytetit mblidhen në mesnatë rreth kioskave të luleve, për të shijuar aromën e tyre. Por ndoshta ky është edhe vetëm dëshpërimi për të shitur së paku diçka.

– Natë për natë nëpër rrugët e zbrazura të qytetit vërshojnë autobotët që i pastrojnë ato prej pluhurit të ditës. Njësitë e pastrimit me jelekët fluoroshentë të shfaqen para dritave të makinës si nga hiçi dhe zhduken sërish. Ata tërheqin kazanët e plehërave me rrota dhe mbajnë në krahë fshesat me bisht të gjatë si në epokën e gjyshërve tanë. Të duket sikur ky qytet vuan prej manisë së pastrimit, për të shpëtuar veten prej kalbjes – në mëngjes herët kjo poterë ka marrë fund. Ajo që mbetet pas janë pellgjet plot shkumë. Me këtë të duket sikur dikush od të thotë: “Pa shihni! Ju jeni të rëndësishëm për ne! Qyteti ynë është për mua i rëndësishëm! Unë kujdesem për të.” Ndërsa ndonjë politikan ditën shfaqet si i pafajshëm, e shtëpi të tëra shihen me sy që janë duke u rrënuar, natën Sizifi vazhdon punën e vet të pafund.

– Në taracën e një lokali ishin të gjitha tavolinat e zëna. Me oreks klientët hanin menytë e shijshme të kuzhinës së rëndë vendase. Përreth tyre sillej duke kënduar një vajzë cigane rreth nëntë apo dhjetë vjeçe. Ajo mbante në dorë një tufë vjollcash, që donte ta shiste, por askush nuk i kushtonte vëmendje asaj. Unë i ofrova asaj pjatën me fasule e peksimadhe – po, këtu edhe kështu ndodh –  pasi ajo e hëngri atë dhe fitoi më shumë kurajo, po i vinte rrotull tryezës fqinjë me ëmbëlsira. Aty hante në heshtje një familje, që pas ushqimit të bollshëm po shijonte edhe Papanasit – donutse gjigante rumune. Vajza i pyeti nëse mund t’i jepnin edhe asaj ndopak. Familja heshti dhe përtypej. Pas një farë kohe u dha një përgjigje: “Nëse ne kemi mjaftueshëm, mund të marrësh edhe ti diçka.”/Catalin Dorian Florescu/D.W./