Ballina Kulturë PUSHKA E FLAMURI PËRMASA PËR LARTËSI

PUSHKA E FLAMURI PËRMASA PËR LARTËSI

Kushtim Zeqir Halilit të Krasniqes (1853-1918), luftëtar, prijës, kuvendtar, dëshmor martir  i Lirisë e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

 Nga Ramiz LUSHAJ

O Zeqir Halili i Krasniqes!

U rrite sa Pushka e Lirisë.

Te Flamuri Kombëtar u rrite.

 

Flamuri e Pushka t’u banë përmasa për lartësi

Në bjeshkë, në vrri, në histori…

 

Të gjej, o Zeqir Halili, të gjej:

 Në Lidhjen e Prizrenit,

Në Lidhjen e Pejës,

Në Kryengritjen e Shkupit,

Në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë

 

Të shoh tue ecë bashkudhtarë…

 me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin…

me qindra e mijëra luftëtarë malësorë.

Në Qafë Morinë, Shkodër,

Në Plavë-Guci…

Në Junik, Gjakovë…

Në Shkupin dardan

Në luftë për nji Shqipëri të vetme,

Në luftë për Kombin tand.

 

Ka 100 vjet tue t’ardh te kulla jote bajrak,

Aty ku linde, në vrri,  në Fang, skej Valbonës.

Ka 100 vjet tue të ardh te Kungji i Armëve

Aty, në bjeshkë tande alpine të Markofçes.

Ku mbete hero i përjetshëm

i bjeshkës, i kombit, i qiellit e i tokës.

 

Tash 100 vjet, do ketë dhe 1.000…

Edhe po s’të erdha te varri  në Kungjin e Armëve

Edhe po s’të erdha te kulla jote bajrak me histori

Në të lavdishmin Fang të Bujanit

Do të gjej dhe te Pushka e Lirisë

Do të shoh dhe tek palët e Flamurit…

 

Shqipëri Etnike, 18 gusht 2018