Ballina Bota Negociatat shterpë ….

Negociatat shterpë ….

 

Nga Lindita KOMANI

Duhet të “falenderojmë” Alex Soros që si fëmijë i kohëve moderne, përmes fotove në Instagramin e tij na zgjoi vëmendjen mbi atë që qenka gatitur në heshtje e fshehtësi prej kushedi sa kohësh. Itinerari i tij i fiksuar mirë me foto shenjon bërjen fakt të kryer të diçkaje që ishte shtyrë prej vitesh nga mendja, mundësisë që Kosova realisht të gjymtohet e t’i vidhet trualli e pasuria e madhe nëntokësore dhe që kjo të ndodhë në formën e vetme që mund të ndodhë, me pabesi.

Duhet të falenderojmë këdo që i dorëzoi Gazetës Zëri planin për shkëmbimin e territoreve që ishte aq i detajuar sa kishte mbushur plot 90 faqe hartuar nga ekspertë të fondacionit Soros, që sikurse është bërë me dije do të zhvendosë zyrat qendrore në Beograd. Nga plani nuk janë habitur vetëm ata që kanë ditur për të dhe që e kanë lënë të zhvillohet deri në atë pikë sa deklarata e presidentit Thaçi të vinte si një goditje e rëndë. Ndoshta u la të ndodhte në këtë mënyrë që deklarata të shkaktonte një reagim të madh popullor? E bashkë me të edhe një politik? Ndoshta do të vijnë edhe reagimet që deri tani janë shprehur me „nxehje“ të internetit nga statuset në rrjetet sociale, artikujt e komentet. Ndoshta, sapo të bjerë vapa e gushtit e pushuesit, ndonëse janë pakësuar për shkak të kushteve të rënduara ekonomike këtë vit, të kthehen nga plazhet.

Por studimi i fondacionit Soros i bërë tashmë publik nuk është i vetmi. Mbase ai është më tronditësi, duke pasur parasysh se shoqëria post-komuniste shqiptare, si këtej ashtu edhe andej kufirit, është farkëtuar me fonde që kanë dalë nga ky fondacion e të cilët kanë shkuar kryesisht për formimin e elitës së re të shkolluar me bursa që të bëjnë borxhli gjithë jetën. Por dy studime që gjenden me një kërkim të thjeshtë në internet, realizuar i pari nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe i dyti nga dy organizata me bazë në Kosovë, Research Institute of Development and European Affairs (RIDEA) dhe Balkan Policy Research Group (BPRG) me mbështetjen e Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, e që datojnë respektivisht mars 2018 dhe prill 2018, tregojnë që përpjekjet e kujt bukën e fiton me studime të këtij lloji gjithsesi janë zhvilluar, vetëm populli ka qenë vazhdimisht e është lënë ndoshta qëllimisht në “autobus”.

Edhe në skenarin më pozitiv të mundshëm, në studimin e FES nuk përmendet që Serbia e njeh Kosovën si shtet, parashikohet vetëm që një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi arrihet në vitin 2019, e cila përshpejton rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që ndodh në këtë rast në vitin 2025. Marrëveshja i mundëson gjithashtu Kosovës që të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare. Për Kosovën pritet që të bëhet pjesë e unionit në vitin 2037. Në studimin e dytë, skenari më pozitiv parashikon nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse duke projektuar dy variante. Varianti i parë i këtij skenari, që mbështetet nga shumica dërrmuese e të intervistuarve, rezulton në një njohje dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, si variant i dytë dhe më realist në këtë skenar projektohet një tjetër. Një marrëveshje e llojit që lidh ligjërisht nënshkruhet dhe në të Serbia pranon shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë këtu të drejtën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por pa njohur zyrtarisht pavarësinë e saj.

Duhet theksuar që vetëm njëri nga skenarët e projektuar në këta dy studime, e pikërisht në atë të realizuar nga RIDEA dhe BPRG, përmend shkëmbimin territorial si opsion të mundshëm. Edhe në atë rast shkëmbimi është parashikuar që do të mund të ndodhë vetëm pasi dy vendet të kenë njohur njëri-tjetrin dhe jo në një ditë të papritur gushti të vinte nga vetë presidenti i Kosovës si një grusht ndaj popullit që ai përfaqëson në atë pushtet që mban dhe i cili nuk e ka autorizuar me votë për një skenar të tillë.

Kryeministrja gjermane Merkel u shpreh në mënyrë të bindur kundër shkëmbimit të territoreve. Ambasada e Britanisë së Madhe u shpreh se thirrja për modifikim të kufijve nacionalë mund të jetë destabilizuese dhe qeveria britanike beson se zgjidhja duhet të jetë në bazë të njohjes së vendeve të pavarura brenda kufijve të tanishëm. Ministrja e jashtme austriake Kneissl bëri thirrje për integrim të shpejtë në BE të gjithë rajonit tonë si një domosdoshmëri gjeopolitike, duke lejuar këtu opinionin që BE si organizëm përfaqësues i Europës, edhe 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nuk e ka kuptuar ende rolin e detyrimet si trup politik dhe që ky është problemi thelbësor politik që ka që në gjenezë. Gazeta gjermane Bild, duke iu referuar komandantëve të UÇK-së, shpalli se Komandantët po luftojnë për ndarjen e Kosovës. Publicisti dhe politikani Surroi po publikon çdo ditë analiza të zgjeruara për gjendjen e që shkojnë në adresë të presidentit Thaçi. Në Shqipëri mbizotëron heshtje varri nga ana e qeverisë për këtë temë, por prapë duhet të falenderojmë Alex Soros për indiciet që na dha përmes Instagramit të tij. Ish-kryeministri suedez Carl Bildt bëri me dije gjithashtu se kryeministri i Shqipërisë është shprehur i hapur ndaj idesë së Vuçiçit. Mes zërave nga opinioni publik në Shqipëri vlen të shquhet eksperti i diplomacisë e punëve të jashtme Shaban Murati, i cili në një analizë të shkëlqyer, paralajmëroi me ftohtësinë e duhur që “Prishtina nuk duhet të dëgjojë asnjë sirenë diplomatike, që e fton të mbytet në detin e Serbisë.”

Vulën në mënyrën më domethënëse, këtij debati e gjithashtu edhe negociatave shterpë që qysh në gjenezë injorojnë realitetin e ndikimeve nga jashtë BE-së mbi vendet e rajonit, vullnetin e rezistencën shqiptare, sikurse dhe realitetin ushtarak në rajon, mund të thuhet se ia vuri aktivisti serb i të drejtave të njeriut Milos Ciric në një artikull në BIRN:
„Ne e „humbëm“ Kosovën kohë më parë se ajo të shpallte pavarësinë në vitin 2008. Ne „e humbëm Kosovën“ atëherë kur pas dhjetë vitesh të tmerrshëm të torturimit të shqiptarëve të Kosovës, Miloshevici dhe Vucici më në fund u përballën me ndërhyrjen e NATO-s. Ne e „humbëm“ Kosovën kur masat e para shtypëse u zbatuan zyrtarisht kundër shqiptarëve të Kosovës. Ne e humbëm Kosovën kur përzumë mbi 800 000 shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe vramë më shumë se 10 000, shumë prej të cilëve ndodhen ende të pazbuluar në varreza masive. Ne e „humbëm“ Kosovën kur racistë dhe shovinistë të mirënjohur serbë nisën të pushtonin sferën publike serbe, arsimin, median dhe politikën në fillim të viteve ‚80. Ne e „humbëm“ Kosovën e cila asnjëherë nuk ishte vërtet ‚e jona“ që të mund ta humbnim.“

Jemi në kushtet kur e ardhmja tashmë po ndodh me shpejtësi, keqbërja po zhvillohet pa na pyetur nëse e pranojmë dhe duket se ka të përfshirë në unison majat e pushtetit si andej ashtu edhe këtej kufirit. Ndaj vlen të shtrojmë e diskutojmë publikisht për pyetjen: Si shqiptarë, qytetarë e intelektualë që dinë të mendojnë, kur e si do të dalim nga gjendja e shastisjes dhe apatisë, do të zbresim nga “autobusë” që na mbajnë e na largojnë në trajektore të kithëta dhe do të reagojmë në unison?