Kryetarit të shtetit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, OSBE, Zyrës së BE, ambasadave të shteteve të Quintit, AGK, Shoqërisë civile, Avokatit të Popullit, opinionit kosovarë:
PROTESTË NDAJ
KONKURSEVE TË KURDISURA
Të nderuar të lartcekur,
po Ju drejtohem me këtë letër publike për t’ju njoftuar dhe protestuar ndaj dukurisë të cilën veç e dini, si edhe i gjtihë populli, por pos deklarimeve verbale, nuk po merrni kurrfarë hapash konkret për demaskimin, luftimin dhe çrrënjosjen e kësaj gangrene të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, dhe për ndërtimin e shtetit demokratik e ligjor, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë, e jo shtet partiak, klanor apo mafioz.
Për Ju pushtetarë dhe për opinionin kosovarë (por as për atë ballkanik e më gjerë) nuk ka nevojë të prezantohem, sepse keni njohuri të mjaftueshme për punën time profesionale dhe për veprimtarinë njerëzore e intelektuale, prandaj edhe po ndjej obligim dhe përgjegjësi njerëzore, profesionale e morale që ta nxjerr në shesh dukurinë e kurdisjes së konkurseve në Kosovë, me rastin tim konkret, veçmas të atyre për Bordet e ndërmarrjeve publike, në këtë rast të mediumit publik me rëndësi dhe mision të veçantë, të caktuara me ligj.
Kah fundi i Qershor të vitit 2015, konkurrova për anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës –RTK, sepse jo vetëm që i plotësoja kushtet e parapara me konkurs, por edhe më tepër për shkak të bagazhit tim profesional, njerëzor e intelektual (50 vjet përvojë gazetareske, nga të cilat 38 vjet korrespondent i rregullt nga Beogradit i gazetës Rilindja, Zërit të Amerikës, BBC, RTK dhe i shumë mediave tjera në shqip e gjuhë tjera; se kam botuar disa libra dokumentar me vlerë të veçantë kapitale në shqip, serbokroatisht, anglisht…
Më 19 korrik (2015) u ftova në intervistë nga Komisionin Ad Hoc i themeluar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ku e prezantova vizionin (programin) tim si anëtar i mundshëm i Bordit të RTK. Atë ditë më informuan disa anëtar të Komisionit se nuk kisha fituar pikë të duhura dhe se ishin kandiduar njerëzit e parive në pushtet (PDK, LDK). Madje Kryetarja e Komisionit, Xhevahire Izmaku kish konstatuar se “Fahriu ka qenë kandidati më i mirë, por e kam direktivën e partisë që mos e votojë”.
Në mbledhjen e radhës të Kuvendit u votuan: një pjesëtar i FSK, një ekspert i financave, ligjërues në një kolegj privat dhe, për të dytën herë, këngëtari i muzikës tallave nëpër dasma, por asnjëri nuk e kishte bagazhin tim profesional (gazetaresk).
Në nëntor apo Dhjetor të vitit të njëjtë, edhe pse e dija se çfarë do të ndodh, vendosa të konkurrojë serish. Një zyrtar i lartë i PDK, gjatë një takimi, më sugjeroj që të mos konkurroj për Bord të RTK se do të më zgjidhnin anëtar të Bordit të Universitetit të Prizrenit, por këtë e refuzova me konstatimin se nuk pranoj të jam anëtar i stafit për çka nuk jam kompetentë.
Në intervistën e zhvilluar në fund të janarit të vitit 2016, kryetarja e njëjtë e Komisionit, XH. I., qysh në fillim më provokoj me pyetjen “pse keni konkurruar për të dytën herë për anëtar të Bordit- është nostalgji apo…”?
Kuptohet edhe kësaj radhe anëtarët e Komisionit nga partitë në pushtet nuk më kishin votuar, meqë rastësisht më ra në dorë lista e votimit. Kësaj radhe ishte zgjedhur kandidatja e cila ishte zyrtare e Ministrisë së Arsimit me rrogë të majme, e që ishte edhe në konflikt interesi, për çka i njëjti komision për këtë arsye e suspendon pas plotë dy vihesh.
Në qershor të këtij viti serish konkurrova edhe pse e dija rezultatin, por doja të bëja një hulumtim gazetareskë dhe të bindëm se sa thellë i ka futur rrënjët shteti partiak dhe akraballëku.
Në fund të korrikut shkova në intervistë, ku në listë ishin gjithsej 32 aplikantë. Gjatë rrugës për në godinën e Kuvendit, e takova kryetarin e Komisionit për Media i cili, pasi më pyeti “a më kanë ftuar në intervistë” dhe pasi i thash se pikërisht atje po shkoj, ma ktheu: “e kot, puna është e kryer, do të zgjidhen…mi tha emrat e kandidatëve…”
Në intervistë isha ndër të fundit. Komisionin e kryesonte prapë Xh. Izmaku e cila kësaj radhe nuk më provokoj dhe më njoftoj se do të më intervistojë deputeti Armend Zemaj. Qysh në fillim u thash se e di se nuk do të votohem as për herë të tretë, sepse gjatë ardhjes këtu, një anëtar i komisionit për media (nuk ia ceka emrin), më njoftoj se “puna është e kryer” dhe mi tregoj emrat e kandidatëve, që e forcon bindjen time se do të zgjidhen njerëz partiak.
Megjithatë e prezantova vizionin tim, me një vlerësim kritik të gjendjes aktuale në RTK dhe duke dhënë propozime konkrete për tejkalimin e dukurive negative, veçmas në programin informativ, kulturor-argëtues, arsimor e edukativ, dhe për t’ia kthyer RTK misionin e vet ligjor, meqë nuk kamë njohuri për teknikën e jo aq edhe për financat.
Në fund, në vend të pyetjeve, deputeti Frashër Krasniqi, anëtar i Komisionit tha: “pyetje nuk kam por zoti Musliu paraqiti një vizion shumë më bindës dhe konkret, krahasuar më të gjithë kandidatë e deritashëm”.
Derisa unë e prezantoja vizionin, anëtari i Komisionit, gazetari Milaim Zeka doli dy herë jashtë sallës dhe nuk ka dëgjuar në tërësi çfarë kamë thënë. Të dytën e herë u kthye derisa anëtari Krasniqi jepte vlerësime për mua, dhe sapo ai e përfundoi fjalën e kërkoi Milaimi duke thënë se ka pyetje: “Fahri të njohim si gazetar të vjetër. Na thuaj sa vjet ke punuar në RTK, sa kronika ke bërë dhe sa rrogë ke marrë?” Milaimit iu përgjigja, vetëm shkaku i respektit si gazetarë edhe pse të gjitha këto ishin pyetje që kishin qëllimin që të tregoj se “nuk kam moral unë të kritikoj RTK derisa nuk paskam bërë kronika e paskam marrë aq rrogë të majme”!
Kryetarja e Komisionit u përpoq disa herë ta ndaloj Milaimin në pyetjet dhe konstatimet e t’ia, e protestuan edhe disa anëtar tjerë se “kjo s’ka të bëj me intervistën”, por ai nuk ndalej. Nuk u futa në debat me atë për ta ruajtur dinjitetin tim dhe të mos e hapi Kutinë e Pandorës…
Të njëjtin ditë një person që ishte aplikant ma dërgoj listën me emrat e 6 vetave që ishin kandiduar për votim në Kuvend, ku duhet të zgjidhen tre anëtar të Bordit të RTK.
1. Ermira Bjçica, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave natyrore në UP, bashkëshortja e deputetit të VV, Glauk Konjufca (950 pikë)
2. Agron Gashi, kryeredaktor i revistës “Jeta e re” – AAK (950 pikë)
3. Vilma Biba, Qendra për Arsim e Kosovës – AAK (875 pikë)
4. Dr Sali Bashota, prof në Fakultetin e Filologjisë në UP, ish drejtor i Bibliotekës Kombëtare – PDK; (860 pikë)
5. Lirim Geci, anëtar aktual i Bordit të RTK nga vitit 2015 – PDK, (830)
6. Arlinda Demiri, profesoreshë në shkollën e mesme në Gjilan- AAK (720 pikë).
Pas disa ditësh nga koordinatorja në Sekretarinë e Komisionit për Media, Drita Morina kërkova me SMS që të ma dërgojë listën e aplikantëve me rezultatet e votimit. Nga ajo mora këtë përgjigje: “Nuk e kam në përshkrim pune këtë dhe ju nuk keni të drejtë të kërkoni një gjë të këtillë, mos më pengo tutje”…
Kjo pra është zyrtarja arrogante që e pasqyron gjendjen në Tempullin e demokracisë, ku paguhet me paratë e popullit.
Listën e aplikantëve e sigurova dhe u binda se asnjëri nuk e kishte as bagazhin as kompetencën time profesionale: me dije, autoritet, kredibilitet, integritet e moral njerëzor dhe parime e kode profesionale.
Këto veti të mia i kanë të njohura shumë mirë qytetarët e Kosovës.
Në përshkrimin se si duhet të jetë anëtari i Bordit të RTK thuhet:
“Anëtarë të Bordit duhet të jenë individë me kredibilitet dhe autoritet të lartë njerëzor, profesional e moral. Gjatë punës së tyre, anëtarët e Bordit duhet të jenë plotësisht të përkushtuar, objektiv dhe të paanshëm. Anëtarët e Bordit emërohen (pra jo zgjidhen në Kuvend) dhe veprojnë në kapacitetin e tyre personal dhe nuk e përfaqësojnë asnjë interes jashtë RTK-së, përveç interesit të publikut Ata nuk lejohet të kërkojnë apo pranojnë asnjë instruksion në lidhje me aktivitetin e Bordit nga asnjë interes jashtë RTK-së.”
Duke u nisur nga e gjithë kjo e them me plotë përgjegjësi se anëtarët e Komisionit Ad Hoc nuk janë të nivelit që të japin vlerësime objektive e të paanshme për aplikanët dhe të propozojnë ata që vërtetë janë kompetentë dhe meritor për anëtar të Bordit të RTK. Sëkëndejmi, e pa nënçmuar asnjë aplikant tjetër, jam i gatshëm të ballafaqohem me secilin nga ata që janë kandiduar, në çdo kohë dhe vend, meqë e njoh më se miri edhe natyrën e këtij mediumi dhe jam më kompetent, dhe nuk do të isha vetëm dekor dhe makinë e votimit.
Prandaj, ju pushtetarë të nivelit qendror, (por edhe lokal), përfaqësues të popullit në Tempullin e Demokracisë, duhet të keni ndërgjegje të lartë, moral dhe obligim e përgjegjësi politike për ndërtimin e shtetit demokratik e ligjor të Kosovës me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. E jo të favorizoni ndërtimin e shtetit partiak, akraballëkun, injorancën, korrupsionin, kriminalitetin, arsim e shëndetësi të dështuar, dukuritë tjera negative të shoqërisë kosovare të cilat edhe shtetin edhe shoqërinë e kanë bërë vend më të izoluar dhe më të urryer në Evropë, nga i cili po synon të ikin shumë të rinj, sepse nuk po shohin perspektivë e as dritë në fund të tunelit!
Edhe ju përfaqësues diplomatik, veçmas të shteteve të “Quintit”, të BE dhe OSBE, që bashkë me vendet tjera demokratike e ndihmuat çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore, bartni përgjegjësi që po i favorizoni këto dukuri negative, dhe po adresoni vetëm kritika verbale (përfshirë edhe konkurset për Bordet e ndërmarrjeve publike, nga të cilat ai i RTK është më specifik dhe me përgjegjësi më të madhe ashtu siç është edhe vet mediumi publik i cili direkt financohet prej taksave të qytetarëve), kurse të këqijat vetëm sa po shtohen.
Përgjegjësinë për zbulimin, demaskimin dhe luftimin e këtyre dukurive e bartin në veçanti mediat dhe Shoqëria civile.
Për fund, dhe si hap i parë për fillimin e demaskimit dhe stopimit të mosrespektimit të konkurseve të tilla, propozoj:
1. që deputetët e Kuvendit Popullor, në mbledhjen e parë kur duhet të votojnë kandidatët për Bordin e RTK, të anulojnë rezultatet e votimit në Komisionin Ad Hoc dhe procesin ta kthejnë në intervistim të ri nga një Komision i Pavarur, jashtë-partiak;
2. që deputetet të marrin vendim për formimin e Komisionit të Pavarur e Profesional me autoritet, kredibilitet e kontribut të veçantë në fusha të ndryshme, emrat e të cilëve do t’i propozonin: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Këshilli i Mediave të Shkruara, Shoqëria civile, Komunitetet kulturore-artistike, OSBE, Zyra e BE, dhe Sindikata e pavarur e RTK. Punën e këtij Komisioni do ta drejtonte Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media;
3. Kuvendi të merr vendimin që komisione të tilla Ad Hoc profesionale, jashtë partiake, të formohen me rastin e shpalljes së çdo konkursi të RTK për anëtar të Bordit, me çka do të eliminoheshin devijimet, do të shtohej profesionalizmi dhe efikasiteti i Bordit me anëtar kompetent, e jo që ai të jetë vetëm dekor duke marrë shuma të larta të rrogës për një mbledhje mujore, çfarë nuk ndodh me mediat tjera publike në rajon dhe Evropë.
Ju faleminderit për mirëkuptim.