Ballina Aktualitet Vdekja e penës dhe lavdia e litarit

Vdekja e penës dhe lavdia e litarit

Mësimet politike të 30 vjetorit të vdekjes së Havzi Nelës

Nga Andi Mustafaj

Në fillim të gushtit babai na pyeti, vëllain dhe mua, nëse mund të ndërprisnim pushimet për një ditë të shkurtër dhe ta shoqëronim në udhëtimin për të nderuar figurën e poetit Havzi Nela me rastin e përkujtimit të 30 vjetorit të vdekjes së tij.

Të jem i sinqertë, unë nuk e dija kush ishte Havzi Nela edhe pse, për babain tonë, qartazi duhej ta njihnim pasi prej jetës dhe veprës së tij mund të nxirrnim mësime të rëndësishme.

Vendosëm të mernim dhe djalin tim, Gjergjin, dhe të gjithë së bashku u nisëm për në veri ku do të ndalonim së pari në Kukës tek ceremonia që do mbahej tek busti i poetit dhe më pas në Kollovoz ku do përurohej shtëpia e tij e ringritur.

Gjatë rrugës mësova më shumë për Havzi Nelën. Ai kishte qënë një mësues dhe një poet. Kishte qëndruar i palëkundur në lirinë e tij gjë që e pagoi me tre dënime nga regjimi komunist ku i treti ishte ai i dënimit me vekje me varje në litar në mes të qytetit të Kukësit.

Teksa dëgjoja babain që më tregonte historinë e jetës së tij formësova në mendje një figurë heroike dhe me një naivitet që më çuditi më pas edhe vet, mendova se nderimi që do i bëhej do ishte në lartësinë e respektit të treguar nga babai në tregimin rreth tij.

Ndodhi e kundërta. Nuk besoj se i bëj ofendim personave të nderuar që ishin të pranishëm aty kur them se ajo ditë, për Shqipërinë, u luajt si një tragjedi në tre akte : Shteti i falimentuar, Opozita e munguar dhe Shoqëria e degraduar.

Akti i parë: Shteti i falimentuar

Busti i Havzi Nelës është vendosur në mesin e qytetit të Kukësit, përballë gjimnazit që mban emrin e tij dhe është vepër e skulptorit kuksian Hilmi Hoxha.

Gjëja e parë që më goditi teksa po afroheshim drejt bustit ishte mungesa e përfaqësimit të pushtetit qendror. Autoriteti më i lartë publik ishte një autoritet lokal, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu i cili, së bashku me Këshillin Bashkiak kishte ndërmarrë dhe financuar nismën për të ngritur bustin dhe ringritur shtëpinë e Havzi Nelës.

Ndërkohë që po përshëndesnim personat e pranishëm, nuk munda sesi të mos mendoja për ironinë fatkeqe të situatës në të cilën ndodheshim. Havzi Nela kishte vuajtur ndëshkimin e një regjimi i cili i druhej penës dhe mendimit të tij të lirë. Dënimi u ekzekutua në publik nga një regjim të cilit po i merrej fryma me shpresën që të ngjallte frikë tek të tjerët.

Këto elemente, pra arsyet dhe lloji i ekzekutimit janë krejtësisht të njëjtë me një tjetër të cilin ndryshe nga ai i Havzi Nelës unë e kam përjetuar nga afër për shkak se ndodhesha tek Kabineti i Prefektit të Policisë së Parisit. Ekzekutimi i karikaturistëve të Charlie Hebdos në Paris më 7 janar të vitit 2015 nga anëtar të grupit terrorist ISIS.

Mu kujtua retrospektivisht me një shije tejet të keqe udhëtimi dhe paradimi i Kryeministrit Edi Rama në rrugët e Parisit për të treguar mbështetjen e Republikës së Shqipërisë ndaj popullit mik francez. Ai kishte vendosur në xhepin e ti tre lapsa. Për të bërë lajm, ai i kishte zgjedhur këto tre lapsa me ngjyrat e flamurit francez.

Tre lapsa!

Çfarë ironie fatkeqe. Havzi Nelës nuk i lejohej të kishte as edhe një laps të vetëm për të shkruar në burg. Ai është shkrimtari i fundit i dënuar me vdekje nga një regjim komunist në Europë. Për të, Kryeministri Edi Rama nuk udhëtoi 3 orë deri në qytetin e Kukësit, për të Kryeministri Edi Rama nuk tha asnjë gjë.

Havzi Nela shkëlqeu me fjalën e tij, Edi Rama me heshtjen e tij. Vdekje penës, lavdi litarit!

Në vazhdën e drejtpërdrejtë të Kryeministrit, në frikën e hijes së tij apo në indiferencën e një dite të nxehtë vere, mungoi në qytetin e Kukësit edhe Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit ndërkohë që busti i poetit ndodhet përpara një gjimnazi që mban po emrin e tij si shembull për rininë.

Munguan gjithashtu Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës dhe vet njëri i penës ndërkohë që një aktivitet i tillë nuk duhej kursesi të ndodhte pa një mbështetje minimale të dikasterit që ajo drejton si dhe Prefekti i Kukësit, përfaqësuesi i pushtetit qëndror i cili ndodhet më pranë banorëve të një zone.

Pas ceremonisë së shkurtër mbajtur tek busti u nisëm për në Kollovoz, një fshat i Kukësit në të cilin gjendet shtëpia e vetme e Havzi Nelës dhe e cila ishte ringritur nga Bashkia e Kukësit me qëllimin për tu kthyer në një shtëpi muze.

Midis maleve madhështore një pamje e trishtë na shoqëronte, lumi ishte gati i tharë nga hidrocentralet e shumta. Dëshmi rrënqethëse e aftesisë së popullit tonë për të shkatërruar çfarë ka më të bukur, paralajmërim i zymtë se as atje lart nuk do gjenim shtetin tone, ai tashmë ka falimentuar.

Shtëpia ishte e vogel, njëkatëshe, me një koridor të ngushtë, një dhomë dhe një guzhinë. Fjalimet që munguan në ceremonin e bustit u mbajtën te dera e saj. E katërta mori fjalën Lavdie Nela, bashkëshortja dhe bashkëvuejtsja e Havzi Nelës. Gjatë fjalës së saj, mikrofoni u fik, edhe pse hidrocentralet kishin përpirë lumin poshtë fshatit Kollovoz, aty u ndërpre drita elektrike.

Dritat u fikën, Lavdie Nela ngriti zërin.

Mu kujtua Edi Rama teksa buzëqeshte në rrugët e Parisit dhe ecte me kokën lart për të treguar se Shteti Shqiptar nuk toleron që një njëri të vritet për atë çfarë mendon apo çfarë shkruan. Ai mbante tre lapsa tek xhepi i xhaketës.

Vdekje penës, lavdi litarit ! Shteti ka falimentuar.

Akti i dytë: Opozita e munguar

Personi i dytë që takuam tek busti i Havzi Nelës, ishte Edi Paloka, Nënkryetar i Partisë Demokratike dhe i Parlamentit Shqiptar. Ai ishte i vetmi përfaqësues politik i pranishëm dhe kishte ardhur në emër të Lulzim Bashës. Edi Paloka mbajti një fjalim shumë dinjitoz tek hyrja e shtëpisë muze por prezenca e tij e vetme më ngjalli shumë pikëpyetje.

Kam menduar gjithmonë se edhe politikës i zbatohet rregulli sipas të cilit natyra nuk e duron boshllëkun. Njëlloj si një territor lënë i lirë nga një kafshë zihet nga një kafshë tjetër, edhe terreni politik lënë i lirë nga një parti është një mundësi për një parti tjetër.

Shqipëria ndodhet në një gjëndje shumë të vështirë, vecanërisht në shtyllat e saj « regaliane ». Policia është e diskredituar pasi dy drejtuesit e fundit të saj kanë familjarë të drejtpërdrejtë të implikuar në rrjetet ndërkombetare të trafikut të drogës. Njëri prej tyre po ndiqet penalisht po me këtë akuzë, ndërsa tjetri vazhdon të drejtojë me një legjitimitet të cunguar për shkak se nuk mund të kalojë vetingun, të cilin po ua imponon vartësve të vet.

Gjykatat nuk janë më funksionale. Pas Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të cilat nuk kanë më kuorumet e nevojshme për tu mbledhur, rrezikohen edhe gjykatat e shkallëve të tjera si dhe prokuria.

Integriteti kombëtar është çdo ditë e më i cënuar me fuqizimin e rolit të Rusisë dhe Turqisë në Ballkan dhe tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga roli i arbitrit të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë siç e tregon dalja e fundit e Departamentit të Shtetit mbi ndryshimin e kufijve.

Sa më shumë shteti ynë, drejtuar nga mendja e sëmurë e një rilindje imagjinare falimenton, aq më shumë kthetra e saj shtrëngohet rreth qafës së atyre që guxojnë të jenë të lirë. Në mënyrë të dëshpëruar ajo zvogëlon hapësirën e lën bosh duke fshehur sistematikisht mbrapa një propagande të mirëorganizuar vlerat, ushqim i pashtershëm i njerëzve të lirë dhe i njerëzve të revoltuar. Fillimisht në vështirësi për t’i gjetur vlerat dhe më pas në pamundësi të plotë, i verbuar nga uria, njëriu i lirë zbehet, njëriu i revoltuar lodhet dhe në fund, të dy, nënshtrohen.

Në këto kushte, çdo hapësirë e lënë bosh nga shteti i falimentuar duhet parë si një dritare e cila duhet hapur drejt vlerave të fshehura, si urë ndërlidhëse mes njëriut të lirë dhe atij të revoltuar.

Ku është Lulzim Basha ? Pyeta disa prej personave të pranishëm. Më thanë se mosardhja e tij nuk lidhej me Havzi Nelën, por me faktin se ishte me pushime. Kjo përgjigje me sa kuptova duhej të më qetësonte, por më bëri të qesh nervozisht.

Në mesditë, nga llogaria e facebookut e Lulzim Bashës u botua një shënim per Havzi Nelën. E lexova. Mendova se është shumë e thjeshtë te jesh Kryetar i Opozitës që kur ekziston Facebook-u. Mendova gjithashtu se ka një ndryshim themelor midis një njëriu që përshkruan simptoma me një njëri që trajton semundje.

Më vonë në darke, u zhyta tek llogaria e facebook-ut e Kryetarit të Partisë Demokratike. Doja të gjeja lëvizjet e tij në territoret e lëna bosh nga shteti i falimentuar. Fatkeqësisht, sjellja ndaj figurës së Havzi Nelës nuk ishte përjashtimi, ai ishte standardi. Kryetari i Partisë Demokratike drejton nga Facebook-u dhe nga Tirana. Ai përshkruan simptoma brenda një qyteti të sunduar!

Havzi Nela u dënua me vdekje me varje në litar në mesin e qytetit për tu bërë shembull. Shembull ai duhet të shërbej sot, më shumë se kurrë, për një brez që dyshon, për një brez që largohet. Ai nuk kishte letër apo laps gjatë 19 viteve të burgut. Vargjet i thurte në mendjen e tij dhe i mbante mend përmendësh. Këtij akti heroik i shtohet një tjetër, ai i vëllait të vet i cili i dëgjonte nga Havzia kur e vizitonte ne burg, i mbante mend përmendësh dhe i shkruante në fshehtësi kur kthehej në shtepinë e tij. Çfarë shembulli, çfarë simboli!

Lulzim Basha ishte me pushime. Vdekje penës, lavdi litarit!

Në Kukës mungoi gjithashtu Belind Këlliçi, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe në mënyrë krejt paradoksale, ndërkohë që ishin të pranishëm tek ceremonia bustit, munguan ne Kollovoz përfaqësuesit e Partisë Demokratike të degës Kukës.

Partia Demokratike duhej t’ja kushtonte 10 gushtin e vitit 2018 tërësisht Havzi Nelës dhe Kukësit. Kryetari i rrethuar nga ekipi i tij duhet të organizonte mbledhje të strukturave lokale, të takonte banorët e qytetit, të pushtonte territorin e braktisur nga shteti i falimentuar.

Fjalimet përpara shtëpisë u mbyllën pa drita e mikrofon. Pas Lavdie Nelës, edhe Agron Tufa dhe Shukri Nela, vëllai i poetit, ngritën zërin. Shtëpia u inagurua dhe u vizitua. Hëngrëm drekë tek një restorant i mirë në Novosejë, kryefshati i njësisë administrive ku gjendet Kollovozi. Morrëm rrugën e kthimit të gjithë bashkë. Lulzim Basha ishte me pushime. Revolta pret.

Vdekje penës, lavdi litarit! Opozita mungon.

Akti i tretë: Shoqëria e degraduar

Fshati i Kollovozit ishte lart në mal. « Rreth 1300 metra mbi nivelin e detit », na tha një prej të pranishmëve. Sa më e vështirë bëhej rruga aq më shumë më vriste mendjen pyetja: “Deri këtu lart vinte Sigurimi i shtetit?“ Jemi afër kufirit m’u përgjigjën njëzëri babai dhe vëllai. Pastaj, edhe po të mos vinte Sigurimi deri këtu lart, boll njerëz do spiunonin (dhe kanë spiunuar) Havzi Nelën.

Ky është realiteti i shoqërisë sonë dhe ka një element tejet të rëndësishëm brenda tij, degradimi i saj nuk është diçka e re. Nëse kemi dalë një herë prej tij, gjasat janë që mund ta bëjmë përsëri.

Të pranishëm për të mbuluar aktivitetet ishin tre media: RTSH, Kukës TV dhe ABC neës. Tri kamera u vendosën përballë podiumit ku do të mbaheshin fjalimet, në pragun e derës së shtëpisë së ringritur. Tre burra i shoqëronin këto kamera, dy prej tyre vendosën mikrofonin mbi podium dhe ju kthyen imazhit ndërkohë që i treti braktisi kamerën për të mbajtur mikrofonin ngjitur me boxin e vendosur aty pranë, që të pranishmit të dëgjonin më mirë, sigurisht deri sa u fikën dritat.

Tri kamera si tre lapsa. Qesha.

Asnjë gazetar që të bënte intervista apo pasqyrim kritik të ngjarjes. Asnjë ndërgjegje për rolin e tyre në një shoqëri kaq të trazuar e cila ka nevojë më shumë se kurrë për shembuj pozitivë, për xixa që të ndezin zjarrin e madh të revoltës qytetare, ajo që e tejkalon politikën dhe interesat e një klase drejtuese të shkëputur nga populli.

Më keq, lajmit krejt faktual të mediave vizive ju përgjigj ai krejt bosh i mediave të shkruara të cilat kishin botuar statuset e facebookut të personaliteteve të ndryshme. Kështu Mirela Kumbaro dhe Lulzim Basha u vendosën artificialisht në qendër të një dite të humbur.

Shteti i falimentuar kishte takuar opozitën e munguar. Havzi Nela kishte marrë nderimin që i takonte, mbyllet lajmi. Iluzioni u krijua dhe shikuesi apo lexuesi mundej t’u rikthehej punëve të veta.

Herë mjet e herë bashkëpunëtor, media, kundërpushtet themelor në shoqëritë moderne demokratike, është bërë pasqyrë e shoqërisë që duhet të informojë, e degraduar. Cili ka ndikuar te tjetri?

Vdekje penës, lavdi litarit! Shpërdahuni! Nuk ka gjë për të parë.

Në fjalën e saj, Lavie Nela falenderoi Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Këshillin Bashkiak dhe grupin e shkrimtarëve që mundësuan ngritjen lart të emrit të poetit. Ajo përmendi vuajtjet e saja dhe të burrit të vrarë. Pa i thirrë në emër ajo kujtoi se personat që firmosen dënimin me vdekje janë akoma të lirë dhe nuk kanë njohur asnjë pasojë nga veprimet e tyre.

Çfarë shoqërie… Jo vetëm nuk i dënoi, por i lartësoi. Fehmi Abdiu u bë deputet e më pas Kryetar i Gjykatës Kushtetuese në demokraci, Fatmira Laska u bë Kryeinspektore e ILDKP në demokraci. Paradoks pas paradoksi. Shqiptari, i etur për të treguar nderin dhe forcën e tij, i cili të vret për një të gërvishtur makine, ka mbetur gjithmonë si një pulë e lagme përpara shtetit që të merr çdo gjë. Trashëgimi kjo e pakthyer dhe e kaluar fatkeqësisht tek brezat që pasuan deri më sot.

Po kjo shoqëri vështron pa bërë zë rininë e saj të largohet çdo ditë e më shumë nga sistemi arsimor kur nuk braktis krejt vendin për të marrë rrugën e kurbetit.

Një jetë në iluzion nuk është e mundur. Herët a vonë, flluska e qelqit do të kriset e më pas do të thyhet. E çoroditur, shoqëria jonë do të përballet me veten dhe më pas me atë çfarë ka lejuar të ndërtohet. Bandat po lulëzojnë përsëri në çdo qytet, vrasin në mes të ditës dhe nuk ndiqen. Pa simbole për t’u dhënë forcë njerëzve, nuk mund të fitohet asnjë betejë.

Bandat lartësohen, Havzi Nela harrohet. Vdekje penës, lavdi litarit! Shoqëria ka degraduar.

Përfundim : Një bindje dhe disa pikëpyetje

Nata po fillonte të binte kur u kthyem ne plazh. Vapës së madhe i buzëqeshte një erë e lehtë. Njerëzit po fillonin të ktheheshin nga deti. Disa do bëheshin gati për shëtitjen e mbrëmjes, disa të tjerë për të ngrënë darkë. Fëmijët vraponin. As vrasja e tetëfishtë në Vlorë nuk dukej të kishte prishur qetësinë e njerëzve. Ishte një ditë e zakonshme gushti.

Teksa po veshtroja këtë pamje piktoreske, kontrast i ndjeshëm me gjëndjen time shpirtërore, mendova për të ardhmen, mendova për mënyrën sesi historia do të na gjykojë.

Sot një gjë është e dukshme, drejtimi që ka marrë shteti ynë, ndihmuar nga një opozitë e munguar dhe një shoqëri e degraduar do të na çoj në mënyrë të sigurt drejt mjerimit. Edi Rama nuk duhet nënvlerësuar, kthetra po shtrengohet.

Disa pikëpyetje mbeten.

Si do i gjykoj historia socialistët që mbyllën sytë përballë shmangieve autokratike të Kryetarit të saj, kriminalizimit të Kuvendit, korrupsionit galopant, lulëzimit të bandave, paralizimit të gjykatave, shumëzimit të PPP-ve, shkatërrimit të vlerave?

Si do i gjykoj historia demokratët që u pajtuan me një Kryetar që në dijeni të plotë të gjëndjes në të cilën ndodhet vendi ikte shpesh me pushime, nuk shkelte jashtë Tiranës, denonconte por nuk ndërtonte, premtonte veprime që linte në mes si çadra apo resistenca civile?

Mbi të gjitha, si do e gjykoj historia shoqërinë tonë, e cila, për të përfituar një qetësi të përkohshme, i shiti shpirtin djallit, pranoi të jetojë në iluzionin e krijuar nga propaganda e Rilindjes, u bë bashkëpuntore e heshtur e një krimi makabër?

Nata ra, hëngrëm darkë, vura djalin në gjumë. Teksa po e vështroja që po flinte paqësisht mendova gjithashtu se çfarë përgjegjësie kam ndaj tij, ndaj mbesës, ndaj nipit që do të më vij?

A ka me forcë shkrimi? I vetëm, sigurisht që jo. Por shkrimi, si provë themelore e ekzistencës sonë mbi këtë tokë mbetet një dritare e përhershme drejt vlerave. Havzi Nela na e kujton këtë nëpërmjet veprës dhe jetës së vet.

Politika, edhe pse me përgjegjësi madhore në hapjen e dritareve drejt vlerave të fshehura nga kthetra e Rilindjes socialiste, nuk është e vetme. Dështimi i saj nuk duhet të jetë dështimi ynë. Unë do shkruaj, do shkruaj sa të mundem.

Do shkruaj sepse nuk kam armë tjetër. Nuk do pajtohem kurrë me të keqen që kërkon të na verbojë dhe të heq bukën nga goja sepse nuk kam nevojë as për sy e as për gojë për të shkruar. Kam nevojë për zemër, kam nevojë për vendosmëri. Edhe këtë na e ka treguar Havzi Nela.

Çfarë dite e çuditshme. Lavdi penës, vdekje litarit! U prefsh në paqe Havzi Nela, një dritare u hap.