Nga Besnik Mustafaj
Në një sprovë të shkurtër mbi Havzi Nelën, shkruar 18 vjet më parë, saktësisht në prill 2000 dhe botuar në gazetën “Rilindja Demokratike” me titullin “Heroizmi i detyrueshëm i poetëve”, i drejtohem Niçes sipas një citimi në parathënien e përmbledhjes së tij post – mortum me poezi “Pa nji ditë lumnie”. Fjala e Niçes është: “Ndër ata që shkruajnë, dua vetëm atë që shkruan me gjakun e vet. Shkruaj me gjak dhe do të mësosh se gjaku është shpirt”. Dihet se Niçe është filozofi i mbinjeriut, thënë më thjeshtë, i njeriut hero, shpëtimtar i njerëzimit. Havzi Nela është ndër të paktët qytetarë të Republikës së letrave shqipe, i cili ka shkruar me të vërtetë me gjak.
Po a futet dot në kallëpin e ngushtë të heroit niçean Havzi Nela, i cili për veten e tij shprehet: “Nuk them se jam trim, jo as frikacak”? Është vargu, me të cilin çelet poezia “O liri, o vdekje”, shkruar nga autori në nëntor 1987, në fshatin Arrën të Kukësit, ku mësojmë se ishte i internuar. Kur ia përcaktonte kështu vetes fatin midis lirisë ose vdekjes, pa asnjë mundësi të ndërmjetme, janë mbushur plot njëzet vjet nga arrestimi i tij i parë (1967), si pasojë e të cilit ai ka kaluar 19 vjet në skëterrën e Spaçit. Muajt që mbeten janë në internim. Mënyra si i ka qëndruar ai kësaj prove jashtëzakonisht të rëndë fizike dhe shpirtërore do të duhej t’i jepte plotësisht të drejtë ta pranonte veten si trim. Për më tepër që, siç do të rridhte historia, ai do të kishte përpara vetëm edhe ca muaj jetë.
Me 10 gusht 1988, i dënuar me vdekje, ai do të varej publikisht në mes të qytetit të Kukësit, krejt si në Mesjetë, kur një tjetër poet, Fransua Vijon, francez ky, ishte varur po ashtu në mes të qytetit për krimin e vetëm pse lirinë e fjalës e quante më të shënjtë se ligjet e pushtetit shtypës.
Havzi Nela, pra, në prag të arrestimit të dytë dhe përfundimtar, ishte krejt i vetëdijshëm se rruga, nëpër të cilën po ecte, do ta çonte ose te liria, ose te vdekja. Liria ishte ëndërr. Vdekja ishte realiteti. Ai e dinte fare mirë se hije bënte në këtë realitet, ku nuk kishte vend për ëndrrën. Por, qartësia, me të cilën po shkonte drejt fundit, duket se nuk ia prishte aspak qetësinë shpirtërore e as nuk e lëkundte në vendimin e tij sublim. Pa asnjë pozë vanitoze prej heroi, i rrethuar nga frikacakë në realitetin ku jetonte me detyrim, ai kujdeset vetëm ta veçojë veten prej tyre: “Nuk them se jam trim, jo as frikacak”.
Havzi Nela ka kështu bindjen e tij për raportin midis të vërtetës dhe lirisë, që nuk ishte aspak bindje mbisunduese e shoqërisë së tij bashkëkohore. Përkundrazi. Por kjo nuk e shkurajon kurrsesi. Sepse ai nuk e sheh veten si prijës që kërkon ndjekës, gjë që do ta afronte me përfytyrimin niçean për heroin. Nuk e sheh veten as si profet që kërkon ithtarë. Duke e parë jetën e tij nga lartësitë e sotme, do të thosha se gjithë kohën, të vërtetën ai e ka kërkuar si poet. Vetëm si poet. Dhe, duke qënë se poeti përballet me disa të vërteta, që janë: e vërteta politike, e vërteta morale dhe e vërteta estetike, ai është përqëndruar më së pari tek e vërteta politike, i vetëdijshëm se e vërteta politike ishte kushti i pashmangshëm për t`i çelur rrugën lirisë, që është e përbashkët për mbarë shoqërinë, nën dritën e të cilës do të lulëzonin pastaj edhe e vërteta morale, edhe doemos e vërteta estetike, që është individuale për poetin.
Nga Havzi Nela nuk duhet pritur gjithçka. Bie fjala, pavarësisht përkushtimit prej martiri, ai nuk arriti dot t’i qasej në thellësi të vërtetës së vet estetike. Por, edhe me aq sa bëri, ai bëri pakrahasimisht më shumë se të tjerët.
Sjellja e tij ndaj të vërtetës politike, e cila do e çonte te liria, ose te vdekja siç e çoi, mbetet fillim e fund ajo e një poeti të vërtetë, pa ngjashmëri me sjelljen që do të kishte ndaj kësaj të vërtete një njeri i lindur për politikë. Dallimi substancial qëndron te fakti se Havzi Nela e detyron veten të mos pajtohet për asnjë çast me të keqen, e shtyn madje veten ta denoncojë të keqen e mishëruar te dhuna dhe arbitraritetet e tjera të pushtetit, të cilat nuk ushtroheshin posaçërisht mbi të, por mbi mbarë shoqërinë, por ai nuk merr kurrë përsipër ta çrrenjosë këtë të keqe me veprime, nuk është kjo detyra e tij si poet. Emblematike do të mbetet përgjigja e tij ndaj akuzës që iu bë kur e arrestuan për herë të dytë dhe e akuzuan për tentativë për rrëzimin e pushtetit me dhunë. Unë jam me pranga në duar, ia ktheu ai prokurorit. Si mund ta rrëzoja pushtetin me dhunë? Sigurisht që fjala “pranga” në gjuhën e tij kishte një kuptim shumë më të gjerë e të shumëfishtë se përshkrimi konkret i hekurave, që i shtrëngonin kyçet e duarve në atë çast. Është kjo hera që do ta çonte në litar dhe ai me doemos që e dinte. Por sedra e poetit, bindja e poetit ndaj betimit që i kishte bërë vetes për të jetuar me nder deri në fund, kuptimi që kishte ai si poet për nderin, nuk e lejojnë as të gënjejë, as të kërkojë mëshirë e as të pendohet.
Kjo sjellje ndaj të vërtetës politike, jo asaj që ai vetë kishte në mendje, përmes të cilës do të vinte liria, por të vërtetën politike që kishte futur në zgjedhë atdheun e tij është e njëjta qysh në fillim të shfaqjes së tij publike. Kur e kuptoi këtë të vërtetë dhe e shprehu me zë të lartë, në shpirtin dhe as në mendjen e Havzi Nelës nuk lindi ndonjë shkëndijë besimi hamletian në vete se kishte ardhur në këtë botë të mbrapshtë për ta ndrequr. Jo. Si poet, ai thjesht vendosi të ndërrojë atdhe, të shkojë në një atdhe tjetër, ku liria ekzistonte tashmë e ku populli nuk “asht i sëmurë” siç ishte “i sëmurë” në atdheun e tij. Nuk do të ishte i pari poet që bënte një zgjedhje të tillë në rrethana të ngjashme. Tek merrte vendimin, ndoshta i kanë kaluar përpara syve si një ngushëllim qysh nga Ovidi, Dante e deri te Bilal Xhaferri, bashkatdhetari dhe bashkëmoshatari i tij.
Në largim e sipër, në vijën e kufirit shtetëror, ai la një letër, ku shprehet gjithë dhimbja e tij. Në fakt, është një distik poetik: Lamtumirë, Atdhe i dashur, / po të la, po, me zemër plasun.” Largimi i tij është një refuzim me përmbajtje thelbësisht politike. Por, si poet që është, rënkimin e tij ai do e shprehte detyrimisht me poezi. Kjo copë letër u gjet të nesërmen nga rojet e kufirit dhe zuri vend në dosjen e tij gjyqësore. Ajo është e nënshkruar me emrin e mbiemrin e autorit. Ai po largohej në errësirë, por, karakteri i poetit nuk e lejonte që, një vendim të tillë të madh, ta zbatonte fshehurazi. Havzi Nelës i kishte mbirë dreqi, siç do të kishte thënë Hamleti, jo vetëm në shtëpi, por edhe në kojshi. Ai nuk kishte pranuar të bëhej vegël e dreqit në shtëpinë e tij, nuk do të pranonte, sigurisht, të bëhej vegël e dreqit as në kojshi. Në bindjet e tij, në sjelljen e tij ndaj të vërtetës, ai ishte njësoj poet si brenda edhe jashtë kufirit. Pasojat dihen: policia komuniste jugosllave e dorëzoi te sivëllezërit e saj të Shqipërisë. Ai nuk u pendua as pse kishte dashur të largohej, as pse nuk pranoi të bashkëpunonte me policinë jugosllave për të shpëtuar kokën.
Në 1967, kur po zhvillohej kjo tragjedi, ai ishte 33 vjeç, në moshën e Krishtit ditën e kryqëzimit. Por, ndryshe nga Krishti, ai nuk u dëgjua të lutej për xhelatin e vet: “Fali, o Zot, se nuk dijnë ç’po bëjnë!” Në ndërgjejgjen e tij ai nuk do ta falte kurrë tiranin jo për mizorinë që po tregonte ndaj tij, por për mizorinë që po tregonte ndaj popullit të tij. Ai u dënua me 15 vjet burg. As brenda skëterrës nuk do të pendohej. Pa e mbaruar ende dënimin e parë, do të ridënohej edhe 8 vjet të tjera dhe do të dilte pas 19 vjetësh. Jo për të fituar lirinë. Liria, e tillë siç e besonte ai, nuk ekzistonte në Shqipëri. Me pranga apo pa pranga në duar, ai ndjehej njësoj i shtypur. Pas pak muajsh do të kthehej përsëri përpara prokurorit për ta mbyllur tragjedinë e vet me fundin në litar.
Do të mbetem gjithmonë i bindur se, pavarësisht nga ç’synonin xhelatët e tij, ai vetë do e parapëlqente më mirë ekzekutimin në publik ashtu siç ndodhi. Një ekzekutim fshehurazi do të ishte jashtë parimeve të tij.
Ai u largua nga kjo botë pa pendesë. Do të thosha se mospendesa deri në fund mbetet virtuti i tij më madhështor.