Ballina Kulturë Koha shkundet kurrëkund

Koha shkundet kurrëkund

Trevargsh nga poeti QAZIM  D. SHEHU

 

Në faqe shkëmbinjsh

dielli hodhi një dorë rreze

pasqyrat u grisën si beze.

+++

Humbi kujtesa e një minuti

Minuti tjetër e fshiu

Fytyra në ajër ngriu.

+++

Uri e ujit përtyp kohën

Memecëri delirante

Zbrazet pa gjyq.

+++

Në paralojë futa një  fjalë,

Ngeci tek rrokja e parë,

Dielli mbi sup m`u var.

+++

Mbeta kësaj ane duke pritë

Mos vjen babai;

Çeli gjethe degë e thatë.

+++

Dheu i bardhë tregon

Thinjat e tokës që plaket

Për ne.

+++

Rrjedhin përrenj malorë

Digat e kujtimeve

Përpara marrin.

+++

Ara e gjyshit dhe e babës

Bëri pronar një tjetër njeri,

Ngopja tek tjetri mori uri…

+++

Guralecët në mot të ngrohtë

Bien mbi lumin e vjedhur

Nga një lot.

+++

Harqe triumfesh të vogla

Ngrihen në histori me kokteje

Rrëzohen sa dal prej dere.

+++

Një fije bari kërkoj

Fre për gjuhën;

Njomësia qesh hidhur

+++

Jam kuturisur njeri i vetëm

Vetmia më sjell

Dyndje shekujsh.

++

Shikimet e tua të mbetura

Në ajrin e ndezur

S`m`i ftohin lulet e etura.

+++

Bishti i kalit vret një mizë

I shigjetllës rrezikun ndjell,

Njeriubisht veten vjell…

+++

Ujëvara shkrihet si loti

I dashurisë në trupin femëror;

Greminat s`kërkojnë theror.

+++

Shelgjet përkunden në zjarr

Të dashurisë, anë përroi,

Helmin terratisën ankthit dashuror.

+++

Ciganët braktisën shelgjet,

Hëna si brisk i dëshpëruar

U pret degët…

+++

Lavde ngrita

Për sytë e tu shprehës

Para një gryke pa lëngun dehës.

+++

Koha shkundet kurrëkund,

Një thes poshtë i vë,

Më pak miell, më shumë krunde lë.

+++

Lëçita e pëshpërita

Një mal me poezi,

Sa e gjërë pëshpërima.

+++

Buzët të rreshkura nga puthja,

Çdo lëng tjetër mbi to

Ledhaton shkrumbin.

+++

Në mëngjes dhe darkë

Me njerëz takohem,

Nga vetja ankohem.

+++

Trillime hapësirash

Rrjedhin kujtimet,

Kurrë s`kanë qenë.

+++

Kripë e mbrëmjes

Në gjellë kujtimesh hidhet;

Sa bajate.

+++

Rruga rrëshqet në përtesë,

Shiritin e vet mbledh

Pa asnjë fytyrë.

+++

Dashuria  rrëmben ditën

E ndërsen  drejt vetëtimash;

Zbutur në litarë shiu.

+++

Çengel i fjalës var,

Imazhe të thyera nga drita,

Kontraste pa errësirë.

++

Në jam, në s`jam, s`e di,

Pa shpjegimin e syve të tu,

Mbeta pezulli.

+++

Në xhunglën urbane s`i vras

Mizat e plogështisë;

Tigri i ulërin mërzisë.

+++

Në qerpikun e dikujt

Syri i natës mbyllet;

Na ngushëllojnë yjet.

++

Je diell që ngroh

Hapësira të tjera

Hithra vegjetimi dehen.

+++

Ulërima ujqërish

Në artopolante politikanësh

Ëmbëlsojnë egërsinë.

+++

Turravrap shkon

Majës së shikimit tim

S`dihet kur do biesh.

+++

Zallishte e mjerë

Gurët shkrofëtijnë

Fosile kuajsh.

++

Lopa me gjuhë mbështolli

Një letër të harruar,

Bari pikoi fjalët.

++

Trishtimet s`kanë gojë

Vetëm brima hapin

Mola të padukshme

++

Kosa mbi bar qesh

Për prerjen e barit

Dridhet dorë e kostarit.

+++

E marr shikimin tënd

E ngjyros në brendësi,

Ngjyrat i vjedh tjetër dashuri.

+++

Mendja për tek vendlindja

Bredh përgjysmë,

Gjysmën tjetër e trishtojnë prindërit.

+++

Jetojmë në kohë të bukura

Na injektojnë lumturinë

Mundësitë e pamundura.

+++

Njeriun e dua të zbrazët

Me frymë librash ta mbush

Rekuim dritash pa qetësi.

+++

Zemra ime shqetësuar

Nga rrotullim i syrit,

Dridhet nga lëvizja.

+++

Filiz i pyllit zemërak

Në shtatin tënd mbiu,

Nuk gjeti dru të denjë.